HAZIRI: MOCIONI I OPOZITËS TË MOS E DEKONCENTROJË QEVERINË

Kryetari i Komunës së Gjilanit, njëherësh nënkryetar i Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Lutfi Haziri në një intervistë për AktivPress ka deklaruar se nuk e sheh me shqetësim iniciativën e opozitës për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Mustafa.

Ai është shprehur se ka besim të thellë se ky mocion nuk do të arrijë të ketë ndikim në punët e Qeverisë së Kosovës.

Haziri nuk dyshon se PDK-ja ka gisht në iniciativën për rrëzimin e Qeverisë, pavarësisht zërave që mund të dëgjohen në publik.

Kreu i Gjilanit, thekson se koalicioni qeverisës ka arritur të përmbushë të gjitha projektet madhore në vend, me përjashtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Por, edhe për këtë ngecje, ai nuk e vë fajin te Qeveria.

Sa i përket zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtë të këtj viti, udhëheqësi i Komunës së Gjilanit ka thënë se nuk ka vullnet politik për të vazhduar mandatin e katërt për udhëheqjen e kësaj komune. Megjithatë, fjalën e fundit ai ia lë partisë.

Haziri gjatë intervistës flet edhe për memorandumet që i ka nënshkruar për parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, sikundër që tregon edhe për planet e Gjilanit që numri i pjesëmarrësve në luftra të huaja të bie në nivelin zero.

AktivPress: Meqë zgjedhjet lokale do të mbahen sivjet, a pretendoni t’i hyni garës edhe për një mandat në udhëheqje të komunës së Gjilanit?

Haziri: E kam paralajmëruar edhe më herët, që nuk kam vullnet politik. Nuk kam kërkesë politike për të kërkuar mandatin e katërt, përkundër që dy mandatet e para i kam pasur të shkëputura para luftës, dhe ky mandat është 6 vjet ose shtatë pas rikthimit tim. Do të jetë në vlerësimin e LDK-së dhe strukturave të saj dhe natyrisht në fund do të vendoset një kandidat i cili i fiton zgjedhjet në Gjilan.

AktivPress: Ndërkohë që zgjedhjet lokale po afrojnë, opozita ka marr iniciativën për ngritjen e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë. Mirëpo ka zëra brenda LDK-së që konsiderojnë se kjo iniciativë është shtyrë nga vet PDK-ja. Cili është mendimi juaj personal rreth kësaj çështjeje?

Haziri: Unë nuk e shohë ashtu. Iniciativën e ka marrë Nisma, si grupim politik parlamentar, e cila kërkon aleat që ky mocion i mosbesimit të bëhet i plotfuqishëm, për t’u paraqitur në Kuvendin e Kosovës për votimin e mosbesimit dhe besoj shumë se nuk do të arrij ta zhvendos vëmendjen e qeverisë nga punët e përditshme dhe nga implementimi i programit qeveritar. Është proces i cili pas pengesave në votimin për demarkacionin me Malin e Zi, del si kërkesë e opozitës, e cila, natyrisht presin që të ketë efektet e saja.

AktivPress: Meqë ju keni mbajtur pozita të larta në Qeveri, e shihni të rrugës që partnerët e koalicionit qeverisës të vazhdojnë bashkqeverisjen deri në fund të mandatit kushtetues, pavarësisht se nuk janë në gjendje t’i kalojnë projektet e mëdha që i kanë para vetës?

Haziri: Projektet e mëdha që kanë para vetes, kjo qeveri i ka kaluar. Pra këtu hyjnë të gjitha projektet që përfshinë sektorin e energjisë, që pritet me qenë investimi i jashtëm më i madh në sektorin më të rëndësishëm; autostrada Gjilan-Prishtinë që është projekti i dytë investiv me buxhetin e Kosovës; poashtu dhe ndërtimi i rrugëve regjionale; investime të tjera të mëdha që lidhen me zhvillimin ekonomik në Kosovë; vendime të mëdha në reformat fiskale; vendime jashtzakonisht të mëdha për absorvimin e mjeteve ndërkombëtare siç është BERZH-i, qeveria e Austrisë, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverive të shumta të shteteve të mëdha dhe donatorëve.

Vetëm në një çështje kemi pengesë dhe ajo ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes për përshkrimin e vijës kufitare me Malin e Zi, që është çështje që lidhet poashtu me opozitën kryesisht dhe partnerët e koalicionit nuk kanë arritr ta kalojnë si proces votimi ende. Asnjë punë tjetër e madhe asnjë angazhim tjetër i madh, asnjë projekt tjetër i madh të këtyre partnerëve nuk ka mbetur pa u zbatuar.

AktivPress: T’i kthehemi gjendjes në Gjilan. Këta muaj e kanë karakterizuar këtë Komunë me debate  dhe memorandume, për parandalimin dhe luftimin e ekstremizimit të dhunshëm. A do të thotë kjo se Gjilani ndihet i rrezikuar nga këto fenomene në shoqëri?

Haziri: Jo, e kundërta!. Ne jemi Komuna e zgjedhur, e para në Ballkanin Perëndimor e cila e piloton programin e parandalimit të çdo lloj radikalizimi apo ekstremizmi të dhunshëm që shpie në terrorizëm. Është iniciativë globale dhe është inicuar nga ish presidenti amerikan, Barak Obama dhe implementohet përmes strukturave të OKB-së.

Ne jemi të zgjedhur dhe shumë të nderuar në këtë përzgjedhje, si Komunë e cila I ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për të pilotuar këtë program për Kosovë dhe Regjion, ndërsa sukseset fillestare janë impresive.

Poashtu ne jemi prej komunave të para që jemi bërë anëtare të “Strong Cities Network”, me seli në Londër, e cila grumbullon, bashkon Komuna të cilat pilotojnë programe të njejta, aplikojnë programe të njejta në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit që shpien në terrorizëm dhe natyrisht ne do t’a dëshmojmë se këta mekanizma janë të efektshëm dhe ndihmojnë parandalimin e akteve ekstramiste dhe terroriste.

Gjilani është njëra prej Komunave që pjesëmarrjen në luftëra të huaja e ka në numrin më të vogël të mundshëm, por kjo nuk do të thotë se kjo nuk është shqetësim i yni. Duhet të punojmë mbi baza ditore për ta parandaluar çdo lloj tendence të radikalizimit dhe ekstremzmit e terrorizmit. Nuk lidhet vetëm me radikalizmin Islam dhe terrorizmin global si problem, por, lidhet me çdo lloj radikalizmi që në shoqërinë tonë mund të paraqitet si problem.

AktivPress: Atëherë, përse pikërisht është Komuna e Gjilanit, ndër komunat e para në Kosovë që po nënshkruhen memorandume bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit?

Haziri: Sepse ne kemi plotësuar të gjitha kushtet. Ambient politik, ambient i sigurisë dhe jemi Komuna e vetme që për tri vjet e katër muaj, nuk e ka asnjë vrasje me motiv të ulët, me motiv criminal.

Jemi komunë që edhe me numrin e aksidenteve në trafik jemi me numrin më të ulët të mundshëm. Jemi Komuna e cila ka siguri publike dhe ku funksionojnë shteti, prokuroria, gjyqësori, policia dhe administrate komunale, janë ato që në mënyrë të pavarur kanë krijuar këtë ambient të sigurisë.

Ne jemi si shembull i përmendur jo vetëm në Kosovë dhe regjion, por edhe më larg, si një Komunë e cila ka arritur të krijoj kushte të sigurisë. Po ashtu, transparenca, llogaridhënia, komunikimi me qytetarët, disciplina buxhetore dhe lufta e pakompromis ndaj dukurive korruptive dhe abusive me pushtetin që Gjilanin e ka nxjerrur si Komunë e cila pasqyron mënyrën më të mirë të funksionimit të shtetit të Kosovës në këtë pjesë.

AktivPress: Cilat janë politikat e juaja qeverisëse lokale për të parandaluar pjesëmarrjen e shoqërisë gjilanase në organizata terroriste?

Haziri: Kontakti me njerëz, me grupmoshat e reja, komunikimi ndërsektorial, si administrate komunale, shëndetësia, arsimi, prokuroria, gjykata, policia, OJQ, komuniteti fetar si atë islam, katolik, ortodoks, protestant, janë të gjithë këto institucione që në baza ditore janë duke punuar dhe bashkëpunuar në parandalimin e çdo lloj radikalizmi.

AktivPress: A ka të dhëna rreth pjesëmarrjes së qytetarëve të Komunës së Gjilanit në luftën në Siri?

Haziri: Siç e përmenda, pjesëmarrja jonë është shumë e vogël, por nuk do të thotë që nuk është shqetësim i yni. Ne do të punojmë çdo ditë derisa kjo pjesëmarrje të bjenë në pikën zero. Edhe ashtu jemi afër nivelit zero. /Intervistoi: Emirjeta Vllahiu- AktivPress/