Kanë kaluar më shumë se pesë vite që kur Diana Kastrati u vra në pikë të ditës, disa metra larg shtëpisë ndërkohë që i dyshuari për vrasjen e saj, ish-bashkëshorti Adnan Jashari ende nuk është kapur nga organet e ndjekjes dhe drejtësisë kosovare. Jashari, sipas Ministrisë së Drejtësisë, është arrestuar në shtetin e Spanjës, por kërkesa e Ministrisë për ekstradimin e tij në Kosovë, nuk është përfillur nga autoritetet e këtij vendi.
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe pse ndaj të dyshuarit Jashari kishte lëshuar Urdhër Kërkim Ndërkombëtar, ky i fundit ende nuk ka rënë në duart e drejtësisë kosovare.
Ministria e Drejtësisë thotë se ky Urdhër Kërkim është ende aktiv ndaj Adnan Jasharit, ose siç figuron në Interpol “Adnon”, mirëpo thonë se i njëjti ende është duke u kërkuar nga organet e ndjekjes në Kosovë, pasi gjendjet në Spanjë.
“… ndaj z. Jashari me kërkesën e Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte lëshuar Urdhër Kërkim Ndërkombëtar, ky Urdhër Kërkim është ende aktiv”, thotë ministria e drejtësisë në përgjigjen dërguar Gazetës Express.
Vitin e kaluar, ministria e Drejtësisë kishte pranuar një informatë se i dyshuari Jashari ishte i arrestuar në Shtetin e Spanjës, dhe të njëjtit kanë bërë kërkesë për ekstradimin e tij në Kosovë, mirëpo këto kërkesa për ekstradim nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Tash më 2017, Ministria thotë se do të bashkëpunojnë me Gjykatën dhe Prokurorinë në momentin e parë që do të ndodhë arrestimi i Adnan Jasharit, në mënyrë që t’i marrin të gjitha veprimet e nevojshme për ekstradimin e tij në Kosovë.
“Në rastin e parë që do të pranojmë njoftimin për arrestimin e tij nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit e Policisë së Kosovës, si organi zbatues i çështjeve operacionale, ne si Ministri e Drejtësisë në bashkëpunim me Gjykatën dhe Prokurorinë do t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ekstradimin e tij”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Ndryshe, Diana Kastrati është vrarë në maj të 2011 dhe i dyshuari kryesor për kryerjen e këtij krimi është ish-bashkëshorti i saj Adnan Jashari, me të cilin ajo kishte qenë e martuar për 10 vjet. Familja Kastrati një vit pas vrasjes së vajzës së tyre kishte dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për të konstatuar nëse sistemi i drejtësisë në vend ka funksionuar te rasti i vajzës së tyre, dhe nëse jo, kush është përgjegjës për këtë mosfunksionim./GazetaExpress/



