INTERVISTA/ Triumfi i dytë i Dajës, ja ku dallon Kosova me Shqipërinë në futboll

Emri i tij për shumë sportdashës, është i njohur. Ai është një prej trajnerëve më të mirë shqiptarë që njeh historia e futbollit. E kjo natyrisht për shkak të sukseseve që ai ka korrur ndër vite në karrierën e tij, shkruan Syri.net Kosova.

Nga Çlirimtare Dukolli

 Ilir Daja, trajner aktual i “FC  Ballkanit” pasi pushtoi Superioren në Shqipëri,  të njëjtën po e bën edhe me Ballkanin e Suharekës, i cili ka arritur të shpallet për të dytën herë radhazi kampion i Superligës së Kosovës në futboll.  Për sukseset e tij, Dajën rrallëherë e kemi dëgjuar të flasë, pasi këtë ja lë fushës së gjelbër, megjithatë jehona në media nuk i ka munguar asnjëherë.

Pak orë para se të shpallet edhe zyrtarisht kampion për herë të dytë me  klubin që ai drejton “FC Ballkani”, Daja flet ekskluzivisht për Syrin përmes një interviste me shkrim, ku na rrëfen më shumë rreth angazhimit të tij në klub, të arriturat e tij me klubet me të cilat ka udhëhequr ndër vite, si dhe ku është ndjerë më komod.

Po ashtu në këtë intervistë Daja ka bërë edhe dallimin mes Kosovës e Shqipërisë sa i përket cilësisë së futbollit.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë:

Syri.net Kosova:  Si trajner, u shpallët kampion me Ballkanin për të dytin vit radhazi. Cilat janë përshtypjet tuaja nga ky sukses?

Ilir DAJA: Ky vit ka qenë shumë I suksesshëm dhe tmerrësisht i lodhshëm. Të fitosh kampionatin është e vështirë ta fitosh për të dytin sezon radhazi. Gjithsesi ka qenë një vit plot suksese dhe përjetimi ka qenë në maksimum.

Syri.net Kosova: Si qëndron puna më cilësinë në futbollin e Kosovës. Ku çalon dhe cilat janë arritjet?

Ilir DAJA: Futbolli në Kosovë ka ngritje nga viti në vit për shkak se lojtarët kanë edukatë pune shumë të mirë dhe ka lojtarë të talentuar. Defekti është infrastruktura e stadiumeve që do të ishte një reklamë shumë e mirë dhe do të ndihmonte në cilësinë e ndeshjeve.

Syri.net Kosova: Mund të bëni një krahasim mes Superligës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë?

Ilir DAJA: Mendoj që cilësia është afërsisht një nivel, por janë stadiumet e ndërtuara dhe ato të rikonstrukturuara që bëjnë diferencën.

Syri.net Kosova: Ku ndieni veten më komod, në drejtimin e një ekipi kosovar apo në ndonjë klub të Shqipërisë?

Ilir DAJA: Mendoj që kudo ku kam drejtuar ndonjë klub, jam ndier komod sepse që në takimin e parë me presidentët e klubeve që kam drejtuar kam kërkuar të kem kompetenca të plota në drejtimin sportive të ekipit.

Syri.net Kosova: Jeni nga Tirana, keni udhëhequr klube të ndryshme si Tirana, Vlora, Korça, tashmë edhe klubin nga Suhareka. Cili nga këto qytete të pëlqen më shumë?

Ilir DAJA: Korça dhe Vlora në Shqipëri sigurisht, pas Tiranës sepse unë vij nga Tirana. Korça ka ngjashmëri me Suharekën sepse njerëzit janë të dashur dhe nuk e vënë në presion ekipin.

Syri.net Kosova:  A keni marrë ofertë për të drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë apo të Kosovës?

Ilir DAJA: Ofertë zyrtare për të drejtuar kombëtaren e Shqipërisë apo Kosovës nuk kam pasur.

Syri.net Kosova: Bashkëpunimi me FFK-në, është në rregull apo keni rezerva?

Ilir DAJA: Një eksperiencë bashkëpunimi e drejtpërdrejtë me FFK-në ishte suporti që na dha federata për organizimin e ndeshjeve sepse për Ballkanin ishte ekperienca e parë në këto kompeticione.

Syri.net Kosova: Mesazhi juaj për tifozët e Ballkanit dhe futbolldashësit në Kosovë në përgjithësi…

Ilir DAJA: Futbolli luhet për sportdashësit dhe na vjen mirë që në çdo ndeshje ku luan Ballkani si në Suharekë dhe në transfertë, sportdashësit kanë qenë të shumtë. Një mesazh për tifozët është që ti mbeshtesin ekipet edhe kur janë në vështirësi të rezultateve sepse lojtarët në këto momente kanë nevojë shumë për mbështetjen e tyre.

Syri.net Kosova: Dhe në fund, kush mendoni se do të fitojë në finalen e Champions League?

Ilir DAJA: Unë jam tifoz me Guardiolën dhe  futbollin e tij,kështu që do të dëshiroja që të fitonte Manchester City. Interesante është fakti që im bir është tifoz me Interin dhe do të jemi kundërshtarë për këtë finale.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme