Isa Mustafa: PDK po na shantazhon me SHIK-un

Muajt e fundit, PDK-ja, përmes strukturave të SHIK-ut brenda Policisë së Kosovës, ka shantazhuar punën e Komunës së Prishtinës duke u sjellë në formë të një regjimi policor, thotë lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mustafa flet edhe në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi si dhe idetë e disa zyrtarëve serbë për opsionet e ndarjes. Këto deklarime Isa Mustafa i kishte bërë me 18 Maj, në vitin 2011. Sot, skenari i ngjashëm ndodh me Komunën e Prishtinës, për kësaj radhe Isa Mustafa është në anën e kundërt.

Në vazhdim sjellim intervistën e plotë të Isa Mustafës, për Radio Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, dialogu Prishtinë-Beograd është duke vazhduar në cikle të ndryshme. Zyrtarët në Beograd kanë thënë se në diskutim mund të vijë edhe opsioni i ndarjes së Kosovës. Si i keni parë ju këto mesazhe?

ISA MUSTAFA

Si Lidhje Demokratike e Kosovës, ne i kemi dhënë edhe qëndrimet tona për dialogun. Kemi theksuar se duhet të përgatitemi më mirë, sepse ishte hyrje shumë e shpejtë në dialog – ashtu siç ka ndodhur nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ajo që kemi insistuar dhe insistojmë, është të qartësohen çështjet, për të cilat do të zhvillohen biseda me Serbinë, dhe çështjet, për të cilat nuk mund të bisedohet fare, si: integriteti territorial dhe tërësia territoriale e vendit, kufijtë e vendit, organizimi kushtetues.

Vetë fakti që ne jemi përcaktuar se për këto nuk mund të bisedohet, jemi përcaktuar po ashtu që nuk ka asnjë bisedë lidhur me ndarjen e Kosovës.

Në qoftë se Beogradi do që të bisedojë me ne ose në qoftë se faktori ndërkombëtar dëshiron që të zhvillohen biseda ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ata duhet të pranojnë realitetin. Realiteti është që Kosova ka shpallur pavarësinë, ka shpallur pavarësinë në kufijtë e saj legjitimë dhe asnjë bisedë për kufijtë e Kosovës nuk mund të zhvillohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, autoritetet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare nuk shtrijnë pushtetin e tyre në veri. A duhet të gjenden zgjidhje edhe për këtë pjesë, qoftë në dialogun e drejtpërdrejtë me serbët lokalë apo në bisedime të tjera?

ISA MUSTAFA

Unë mendoj se zgjidhjet më të mira do të gjendeshin në dialog me serbët vendorë. Këto çështje më së miri mund të zgjidhen përmes një dialogu të brendshëm, përmes zbatimit të barabartë dhe të drejtë të ligjit në tërë territorin e vendit.

Natyrisht se kjo kërkon mundim, mirëpo ky mundim do të jetë shumë më i lehtë dhe shumë më shpresëdhënës sesa të kapen tema që ne nuk mund t’i menaxhojmë në të ardhmen, si diskutimi eventual për një pozitë specifike të serbëve në veriun e Kosovës, çfarë do të ishte totalisht e papranueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë një debati në Parlament lidhur me dialogun janë dëgjuar disa konstatime të deputetëve se Kosova duhet të kërkojë reciprocitet në raport me Luginën e Preshevës. E ndani dhe ju këtë mendim?

ISA MUSTAFA

Jo, fare. Nuk është këtu puna për reciprocitet. Ne duhet ta diskutojmë çështjen dhe ta zgjidhim brenda kufijve të Kosovës. Nuk mund të hyjmë tani në pazare të territoreve ose të kërkimit të të drejtave.

Çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është një çështje tjetër, e cila sigurisht na preokupon edhe neve dhe ne do të angazhohemi në biseda me Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar, që shqiptarët t’i realizojnë të drejtat e tyre atje.

Mirëpo, në asnjë rast, bisedimet e tanishme me Beogradin nuk duhet t’i kushtëzojmë me çështje të tjera, sepse ajo na shtyn që ta thellojmë çështjen e Kosovës nga e para dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit, keni kritikuar segmente në Policinë e Kosovës për ndërhyrje në punën tuaj në komunë. Për çka bëhet fjalë dhe si i shihni këto veprime? Ju keni akuzuar se aty ka elemente të SHIK-ut…

ISA MUSTAFA
Vërejtjet e mia themelore kanë qenë për një prezencë jonormale të Policisë së Kosovës, të një njësie të policisë, që ka të bëjë me krimet ekonomike. Ata kanë qenë prezentë gjatë këtyre gjashtë muajve në komunë – kemi evidentuar që hyrja e dalja e tyre ka ndodhur deri në 12 herë gjatë ditës.

Na ka habitur ky fakt, sepse më shumë përngjan në një shtet policor sesa në një shtet normal, demokratik. Assesi nuk do të thotë se policia nuk mund dhe nuk duhet ta bëjë punën e vet, sepse ajo ka të drejtë ta bëjë, mirëpo ta bëjë ashtu si edhe në institucionet e tjera dhe jo të përqendrohet vetëm në Prishtinë.

Kjo ka marrë edhe efekte të një shantazhi politik që bëhet ndaj Prishtinës, sepse Partia Demokratike nuk ka mundur ta fitojë Prishtinën me vota. Është pra edhe problemi i konkurrencës me LDK-në, andaj kjo ngjan në një luftë politike që zhvillohet me instrumente shtetërore, e që ne nuk duhet ta lejojmë.

Unë kam respekt ndaj Policisë së Kosovës dhe dëshiroj që ajo të zhvillohet si një institucion i pavarur, të zbatojë plotësisht ligjin dhe të mos kemi elemente, të cilat disa segmente të policisë i shndërrojnë në segmente politike ose partiake.

Këtu kam dhënë edhe vërejtjet lidhur me prezencën e elementeve të SHIK-ut në disa segmente, jo se ne tani duhet t’i gjykojmë apo duhet të marrim masa ndaj njerëzve që kanë punuar në SHIK përpara, por nga fakti se nuk dëshirojmë që një agjenci partiake, e cila ka funksionuar krejtësisht për interesa të një partie, tani, përmes policisë, të punojë po ashtu për interesa të asaj partie, sepse policia duhet të punojë për interesa të qytetarëve. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se kjo.

RADIO EVROPA E LIRË
SHIK-u ka shpallur pushimin e aktiviteteve. Sipas kësaj që thoni, ata janë ende aktivë…

ISA MUSTAFA

E kanë shpallur pushimin si SHIK, por nuk do të ishte mirë që veprimtaria e tyre të vazhdojë në segmente të ndryshme përmes institucioneve vendore.

Këtë vërejtje e kam dhënë dhe do ta jap edhe më tutje, jo se kam diçka kundër njerëzve që kanë punuar aty, sepse ata me siguri i kanë pasur motivet e tyre, objektivat e tyre. Pjesa dërrmuese e tyre ka punuar në interes të Kosovës dhe për Kosovën, por ka punuar si pjesë e një partie politike.

Tani, do të ishte e papranueshme që forma e tillë të vazhdojë në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A janë ndalur këto që ju po i quani shantazhe ndaj punës së Komunës së Prishtinës?

ISA MUSTAFA
Unë nuk mund të jap vlerësime, sepse është një periudhë mjaft e shkurtër prej deklaratës sime që kam dhënë, por dëshiroj që të gjitha këto institucione – edhe policia, edhe prokuroria, edhe gjyqësia, edhe ministritë e ndryshme – ta trajtojnë Prishtinën në mënyrë të barabartë, si komunat e tjera, dhe të sillen në formë ligjore ndaj Prishtinës. Nuk kërkojmë asgjë tjetër.

Nëse vërejmë se prapë do të vazhdojnë avazet e tilla, unë prapë do t’i bëj vërejtje opinionit, sepse konsideroj se e kam për detyrë që atë që unë vërej, ta them publikisht dhe të kërkoj që me masa demokratike dhe me masa ligjore të zgjidhen problemet.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë ishim dëshmitarë edhe të një zhvillimi tjetër në raportet pozitë-opozitë. Një subjekt opozitar publikoi një kontratë të një projekti, që është cilësuar si projekt madhor. Si e keni parë ju këtë zhvillim dhe sa është e dobishme hapja e temave të tilla, qoftë për investitorët e huaj, qoftë për Qeverinë e Kosovës?

ISA MUSTAFA

Unë konsideroj se çdo kontratë duhet të jetë transparente edhe për Kuvendin, edhe për qytetarët. Nuk shoh arsye që një kontratë e tillë, siç është ajo për autostradën, të jetë kontratë e mbyllur dhe të mos jetë kontratë e njohur për deputetë të Republikës së Kosovës dhe për qytetarët.

Mënyra se si ajo është prezantuar, është çështje tjetër. Do të ishte shumë më mirë që ministria përkatëse dhe Qeveria ta prezantonin kontratën para qytetarëve, në mënyrë që të mos krijohen dyshime dhe dilema se çfarë përmban ajo kontratë.

Unë mendoj se kjo do të na shërbejë të gjithë neve, do t’i shërbejë në rend të parë Qeverisë si vërejtje se kështu nuk mund të vazhdohet.

Është edhe ky një rast, i cili është dashur të hulumtohet; është dashur të prezantohet edhe mënyra e pagesave që bëhen dhe të shihet nëse janë në harmoni me procedurat e parapara nga Thesari, nga Ministria e Financave dhe ligji, apo ka dhe procedura që zhvillohen jashtë tyre.

E kam një paralajmërim të grupit tonë parlamentar që do të vazhdojë të kërkojë informacione lidhur me mënyrën e formimit të çmimeve dhe lidhur me kontraktimin, sepse do të ishte e rrezikshme që çmimet të jenë rrëshqitëse dhe kontrata të jetë rrëshqitësve, në mënyrë që të mos dihet se sa do të na kushtojë përfundimisht ndërtimi i autostradës.

Do të ishte po ashtu e rrezikshme që traseja e autostradës të aprovohet ose të përcaktohet nga Qeveria dhe të mos kthehet në Kuvend – aty ku është përcaktuar paraprakisht – sepse mandej mund të lindin dyshime që është e lidhur me interesat e pronarëve të ndryshëm të tokave apo të pasurive kah kalon kjo trase.

Unë jam koshient për atë se autostrada na kushton shumë dhe se ndoshta si Kosovë nuk jemi në gjendje ta bartim krejt çmimin e ndërtimit të autostradës, por po ashtu vlerësoj se është mirë që edhe Qeveria, edhe Kuvendi, ta shqyrtojnë potencialin tonë financiar të përballimit tani për tani të autostradës.

Më mirë është që autostrada të ndalet në një pikë të caktuar dhe të pushojë për dy apo tre vjet, por që traseja të kalojë nëpër zonat, në të cilat ajo do të jetë një kolektor i të gjitha rrugëve që ndërlidhin jo vetëm vendbanimet, qytetet e Kosovës, por edhe rrugët që gravitojnë nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi në Kosovë, e që pastaj të mund të shërbejë si një autostradë që nuk është vetëm lokale, por që luan dhe rol ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, kohëve të fundit, ju kemi parë më aktiv në parti. Disa degë të LDK-së, në njëfarë forme, sikur kanë treguar një dozë rebelimi. Për çfarë bëhet fjalë?

ISA MUSTAFA

Ne kemi marrë vendim në kryesi që t’i zhvillojmë zgjedhjet në katër degë të LDK-së, në Shtime, në Obiliq, në Pejë dhe në Gjakovë.

Po ashtu kemi marrë një vendim që të zhvillojmë aktivitete gati në të gjitha degët e LDK-së, sa i përket vlerësimit të organizimit të tyre, vlerësimit të strukturimit të LDK-së, të reformave që ne do t’i zhvillojmë, të rolit të LDK-së si pozitë dhe si opozitë në institucionet kuvendore, qoftë në kuvendet komunale, qoftë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Të mos fsheh edhe përgatitjet tona për zgjedhjet e ardhshme, sepse që tani duhet të mendojmë se cilët njerëz do të përfaqësojnë LDK-në në pushtetin lokal, cilët në pushtetin qendror dhe cilët janë ata që do t’i përfaqësojnë më së miri interesat, jo vetëm të anëtarësisë së LDK-së, por edhe të qytetarëve.

Natyrisht se në çdo reformë ka njerëz, të cilët pajtohen por edhe që janë skeptikë. Ne kemi pasur disa vërejtje të degës së Gjakovës, sepse njerëzit me hezitim hyjnë në zgjedhje. U kemi thënë se nuk duhet të frikohen, sepse nga vota nuk mund të frikohet askush.

Por, pa marrë parasysh deklarimet e individëve, puna po shkon edhe në Gjakovë, pa ndonjë siklet, pa ndonjë presion. Do ta vazhdojmë këtë proces, sepse nuk e konsiderojmë si të sikletshëm. E konsiderojmë si një proces rutinë që duhet të ndodhë brenda LDK-së. Dhe, reformën nuk mund ta zhvillojmë ndryshe përpos me vota.

Pra, LDK-në do ta përfaqësojnë vetëm ata që do ta kenë besimin e anëtarësisë së LDK-së. Ne në asnjë rast nuk do të përcaktojmë nga Prishtina se kush cilën degë do ta udhëheqë në terren, por varet nga anëtarësia nëpër lokalitete dhe komuna kujt do t’ia japë besimin.

Ky proces do të përmbyllet gjatë këtij viti, por ne do të vazhdojmë me aktivitete në terren, në mënyrë që të mos e kontaktojmë LDK-në vetëm në rastet kur zhvillojmë fushatë, por të përgatitemi dhe ta kemi të qartë se çfarë është sot LDK-ja dhe cilat janë sfidat që duhet t’i përballojë, në mënyrë që ta ushtrojë rolin e saj demokratik në shoqëri.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme