Ish-prokurorja që raportoi për korrupsionin në EULEX, tash në betejë me Prokurorinë e Kosovës

Një konferencë për media të mbajtur ditë më parë në Prishtinë, ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh mund t’ia shohë sherrin. Kjo pasi ajo është ftuar nga Prokuroria e Kosovës për intervistim, si e dyshuar për zbulim të informacioneve sekrete e keqpërdorim të detyrës zyrtare. Megjithatë, intervistimi duket i pamundur pasi Bamieh është kthyer në Britani. Punë nuk po i kryen as avokati ndërkombëtar, të cilin nuk ia ka pranuar Prokuroria e Prishtinës.

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare e rrjedhje të dokumenteve konfidenciale, po dyshohet ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh. Ajo gjatë qëndrimit në Prishtinë u ftua edhe për intervistim nga prokurorja Fitore Sadiku, megjithatë intervistimi nuk ndodhi. Kjo pasi Maria Bamieh që kishte raportuar për korrupsion brenda EULEX-it, është kthyer në Britani të Madhe.

Për këtë çështje, Maria Bamieh e ka angazhuar avokatin britanik, Toby Cadman. Megjithatë, Prokuroria Themelore e Prishtinës duket se nuk e ka pranuar emërimin e tij, duke ia kërkuar Bamihes një avokat nga Kosova.

Avokati Cadman në një përgjigje për gazetën Nacionale, ka sqaruar gjithë situatën që u krijua me ftesën e Prokurorisë për Bamiehn.

“Mund të konfirmoj se jam emëruar të përfaqësoj znj. Maria Bamieh. Në atë cilësi i shkrova prokurorit duke i informuar për angazhimin tim dhe duke kërkuar zbulimin paraprak të bazës dhe themelit të pretendimeve, detajet e çdo kërkese që është bërë për heqjen ose tërheqjen e imunitetit dhe duke kërkuar një kopje të thirrjes. Prokurori u përgjigj se nuk kam qenë anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës. Kërkova detaje në lidhje me caktimin e avokatit ex officio dhe detajet e çdo kërkese për heqjen ose tërheqjen e imunitetit. Nuk mora përgjigje të mëtejshme”, ka thënë Cadmani.

Prokuroria e Kosovës po pretendon se ish-prokurores Bamieh i ishte hequr imuniteti nga Kombet e Bashkuara. E këtë, e mohon vetë Bamiehi dhe avokati i saj. Si rezultat, thonë se intervistimi nga Prokuroria do të ishte i kundërligjshëm.

“Për sa i përket çdo interviste, unë e kam bërë të qartë se deri në momentin që ne marrim zbulimin paraprak të bazës dhe themelit të pretendimeve, dhe detajeve të heqjes së imunitetit, intervista nuk mund të caktohet në mënyrë të ligjshme”, ka thënë avokati i Maria Bamieh.

Në anën tjetër, Prokuroria e Prishtinës ka thënë se kërkesa për intervistimin e Bamiehs është përsëritur, pasi e njëjta në të kaluarën nuk kishte qëndruar në Kosovë. Nga Prokuroria, shprehen të bindur se po veprojnë në përputhje me ligjet në fuqi.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se në pamundësi të sigurimit të deklaratës së znj. Bamieh gjatë viteve të kaluara, Prokuroria i ka bërë ftesë të njëjtës për intervistim dhe po ashtu, nga prokurorja e çështjes e njëjta është udhëzuar të angazhojë një avokat vendor, i cili është i licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, për zhvillimin e mëtejmë të procedurës, mbështetur dhe vepruar në bazë të dispozitave ligjore të legjislacionit vendor”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

“Ju njoftojmë edhe njëherë se Prokuroria është duke vepruar në pajtim të plotë me legjislacionin tonë”, përfundon përgjigja.

Beteja Bamieh – EULEX

Beteja ndërmjet ish-prokurores Maria Bamieh dhe Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, daton gjatë.

Vite më parë, Bamieh kishte publikuar përgjime e dokumentacione të cilat sipas saj, dëshmonin për afera korruptive në EULEX. Ajo u largua nga puna si prokurore, u kthye në Britani, dhe së fundmi pas marrëveshjes me Zyrën për Punë të Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim (FSDO), ajo u kompensua gati gjysmë milioni euro. Bamieh akuzonte Britaninë, se nuk e kishte ndihmuar në betejën e saj.

Tash, Bamieh po e akuzon pikërisht EULEX-in, se po bëjnë presion në institucionet e Kosovës që ajo të akuzohet nga Prokuroria.

“Unë besoj se EULEX-i ka urdhëruar dhe inkurajuar autoritetet kombëtare/vendore të Kosovës të kryejnë një hetim hakmarrës kundër meje. Ky nuk mund të jetë rasti i tanishëm me lidershipin e ri brenda Misionit. Unë pres plotësisht dhe i bëj thirrje Kryeprokurorit të Kosovës Besim Kelmendi dhe Kryeprokurorit të Prishtinës Kujtim Munishi që të sigurojnë që të mos jem në shënjestër në bazë të motivimeve politike dhe presioneve të jashtme”, ka shkruar Maria Bamieh në rrjetet sociale.

Mundësinë që po bëjnë presion te autoritetet e Kosovës, e ka mohuar kategorikisht EULEX-i. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, ata kanë thënë se nuk janë të përfshirë në rast. Misioni i BE-së për sundim të ligjit, nuk ka pranuar të komentojë nëse prokurores Maria Bamieh, i ishte hequr imuniteti nga Kombet e Bashkuara.

“Në lidhje me pyetjen tuaj të parë, EULEX-i nuk ka pasur asnjë përfshirje në procedurat hetimore të ngritura nga autoritetet e Kosovës kundër Mariah Bamieh”, thuhet në përgjigje.

Pasi Maria Bamieh arriti marrëveshje me Qeverinë e Britanisë për kompensimin e saj, ajo mbajti një konferencë për media në Prishtinë, ku shpalosi sërish detajet rreth dyshimeve për korrupsion në EULEX.

Çfarë tha Bamiehi në konferencë?

“Drejtësia gjendet në zemrat e njerëzve” ishin fjalët e para që i tha në Prishtinë, ish prokurorja, duke aluduar në betejën e saj të fituar me EULEX-in e me institucionet britanike.

Tutje, Bamiehi shpjegoi rolin e saj në misionin e EULEX-it si dhe dha detaje nga një rast konkret.

“Kam qenë prokurore në këtë mision, kam fituar mbi 90% të rasteve. Detyra ime ka qenë të ndjek profilet e larta”, kishte thënë fillimisht Bamieh, duke u lëshuar në rastin konkret të ish sekretarit në ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj.

“Pata parë në medie se gjyqtari italian Franceso Flori ishte i involvuar në korrupsion, por i injorova fillimisht këto zëra. Meqenëse z.Tolaj gjendej në burg, ishte e habitshme se si kishte arritur të siguronte telefon brenda. Unë me të kuptuar këtë, kërkova nga gjykata të më lejohej përgjimi i telefonit të Ilir Tolajt. E përgjova atë. Në bisedat që Tolaj zhvillonte nga brenda, unë e kuptova se gjyqtari i rastit të Tolajt po takohej me ndërmjetësuesit e tij”, tha ajo.

Tutje Bamiehi, shpjegon detaje të këtij rasti, ku sipas saj, shfaqej lidhja politike në mes Tolajt e gjyqtarëve të EULEX-it.

“Ata po mundoheshin që ta zhduknin këtë rast. Unë dëgjova në përgjime se ata ishin takuar në ‘Villa Gërmia’ me gjyqtarin Francesso Flori dhe prokuroren Jaroslava Novotna dhe unë iu shkova këtyre përgjimeve në detaje. Të gjitha ishin të rëndësishme”, është shprehur ai.

Prokurorja ka hedhur dyshime të forta të përfshirjes së misionit të EULEX-it edhe me figura të rëndësishme politike në vend.

“Kishte një aleancë të fortë politike brenda Qeverisë së Kosovës, z.Tolajt e njerëzve brenda misionit të EULEX. Ata në përgjime i referoheshin një personi të fuqishëm në politikë me emrin ‘personi nga Kaltrina”, ka shpjeguar Maria Bamieh.

Ajo ka vënë një epitet misionit të EULEX-it, duke e quajtur atë “Mision fasadë”.

Gjithashtu, ajo tregoi se i ka dërguar letër ministrisë së drejtësisë së Kosovës, për të bërë një raportim të detajuar për misionin e EULEX-it, në Kuvendin e Kosovës, por që nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

Përveç Bamiehit, për korrupsionin në EULEX kishte alarmuar edhe ish-shefi i Asamblesë së Gjyqtarëve, Malcolm Simmons.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme