Analisti Ernest Luma konsideron se pas zgjedhjeve në Maqedoni duhet të vlejë parimi i ndërtimit të Qeverisë i atyre që kanë fituar zgjedhjet.
Sipas tij, shqiptarët duhet të mbledhin mend dhe të marrin vendime të guximshme për të qeverisur me Maqedoninë.
I pyetur se a duhet të ndërtohet Qeveria e re e Maqedonisë ndërmjet fituesve të zgjedhjeve, Luma përgjigjet qartë.
“Sigurisht. Është rregull, diku i shkruar e diku i pashkruar, i demokracisë”, ka thënë Luma, për Gazetën Express.
“Ndonëse të nokauduar me zgjedhjet, më shumë për shkak të gabimeve të veta politike, udhëheqësit politikë shqiptarë në Maqedoni duhet të mbledhin mend. Kanë me pak vota dhe dputetetë, por, konform klimës së ndërtuar politike atje, kanë më shumë fuqi dhe rol. Mendoj që do të duhej të futeshin në qeverisje, siç kish pasë me thanë i madhi Adem Demaçi, duke mbledhë mend më shumë, në këtë rast. Mendoj se çelësi i zgjidhjes është në duart e shqiptarëve dhe, vendimet e mëdha u takojnë liderëve të guximshëm. Nuk do të duhej kalkuluar shumë interesi personal e grupor, por ai nacional i shqiptarëve”, ka shtuar ai.
Luma konsideron se shqiptarët duhet të insistojnë të jenë faktor shtetëformues dhe të marrin vendime të unifikuara përballë situatës së re politike atje.
“VMRO-DPME i ka fituar zgjedhjet. LSDM është e dyta. Shqiptarët duhet të reagojnë si një, në këto furtuna politike në Maqedoni. Nuk do të duhej të kalkuloojnë ngusht, por gjerë dhe thellë. Ata mund të nxjerrin shumë, madje edhe bërjen e faktorit shqiptar në Maqedoni faktor shtetformues, gjë që nuk ka qenë deri më sot. Mund ta bëjnë gjuhën shqipe zyrtare dhe të barabartë atje dhe flamurin kombëtar shqiptar, të respektueshëm po aq sa atë tjetrin, që po dominon kudo. Shqiptarët e kanë rastin historik që të dalin nga periferia në qendër. Goditja elektorale e kësaj radhe, mund t’i bëjë politikanët shqiptarë të kthjellen, të mblëdhin mend dhe t’i kthehen angazhimit në të mirë të interesit nacional”, ka shtuar Luma.
Sipas tij, shqiptarët përpos hises në Qeveri, mund të marrin edhe ndonjërin nga postet më të larta në vend, si kryeparlamentarin.
“Mund të vendosin edhe për mënyrën e investimeve, orientimin e buxhetit dhe, në një mënyrë, edhe në faktorizimin politik të shqiptarëve atje”, ka shtuar ai.
Luma konsideron se dallimi midis dy liderëve maqedonas nuk është i madh prandaj këshillon shqiptarët të marrin vendime strategjike që janë në të mirë të shqiptarëve.
“Dallimi midis Gruevskit e Zaevit, në raport me shqiptarët, nuk është i madh. Në çfarëdo kombinimi, shqiptarët nuk duhet të harrojnë se do të futen në një koalicion të “maces me miun”, ka parashikuar ai.
Luma thotë se megjithatë Maqedonia është në dorë të shqiptarëve, sot.
“Maqedonia është në duar të shqiptarëve, por dikush duhet të guxojë atje”, shton ai.
Sipas Lumës është mashtrim ideja se shqiptarët janë bërë me një parti maqedonase përderisa shumica të mos votojë edhe për partitë shqiptare.
“Derisa nuk ekziston vullneti edhe i atyre që veten e quajnë maqedonë, që të votojnë për shqiptarët, atëherë vullneti i shqiptarëve për t’i hyrë nën sqetull LSDM-së është mashtrim. Nuk mund ta bëjë multietnicitetin një parti, nëse këtë, asnjëherë deri më sot nuk ka arritur ta bëjë vetë shteti atje”, ka konstatuar ai.
“Obsesioni antishqiptar në IRJM nuk është vetëm i sotëm, por ai shkon edhe më thellë, qysh me përpjekjet për t’i manipuluar vetë heronjtë e të së kaluarës, historinë dhe të vërtetën shqiptare atje. Ata që i thonë vetes maqedonë, kontestojnë (dhe e përvetësojnë) edhe Lekën e Madh e, madje, përpiqen ta maqedonizojnë edhe Shën Terezën. Kush mund të besojë se ata, të njëjtit, do të kenë respekt më shumë për flamurin kombëtar të shqiptarëve, për gjuhën, kulturën dhe të drejtat e shqiptarëve atje deri në shtetformim, kur ata të kontestojnë qysh në gjen dhe në histori, madje edhe në historinë e vonë. Nëse Aleaksandri i Madh u takon mileniumeve më herët, Gonxhe Bojaxhiu ka jetuar deri para 20 vjetësh. Dhe, në këtë rrafsh, nuk kanë dallim njëri kamp politik maqedon nga tjetri. Janë të njëjtë. Andaj, edhe multietniciteti nuk mund të ketë suskes, sepse atje bëhet politikë dhe shtet me kulturën e njëjtë, si gjithkah në Ballkan. Ata që janë shtypës dhe asgjësues ndaj dikujt në thelb apo në bërthamë të filozofisë së tyre politike, nuk mund të jenë multietnikë në mbështjellës, në lëvozhgë”, ka thënë Luma.