Jam lindur në Shkup, por atdheu im është Shqipëria

Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore i Shqiptarëve të Maqedonisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Historianëve Shqiptarë në Shkup me rastin e 106-vjetorit të lindjes së Anjezë Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza dhe në prag të shenjtërimit të saj, të premten në galerinë nacionale “Hamami i Daut Pashёs” ka organizuar një ekspozitë me emrin “Shenjtorja nga Shkupi – letërkëmbime”, pjesa më e madhe e të cilave për herë të parë i shfaqet publikut.

“Kemi arritur të bëjmë një ekspozitë ku në fokus kemi vënë aspektin e identitetit, aspektin human dhe atë paqësor të Nënës Terezë, me ç’rast kemi përshkuar veprimtarinë e Gonxhe Bojaxhiut prej lindjes deri në vdekje. Besoj se ky do jetë një mesazh i mirë për tërë botën, nga Shkupi, se atë që ia dhuroi Shkupi botës tani madhështia e humanistes së madhe i kthehet sërish Shkupit në prag të shenjtërimit për kontributin dhe veprimtarinë e madhe që ka dhënë Nëna Terezë”, tha Skender Asani, drejtor i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë.

Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, tha se sjellja në dritë e një morie dokumentesh që flasin për prejardhjen e Nënës Terezë paraqet vlerë kombëtare për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

“Sikurse e dini dhe ju të gjithë, në momentin e marrjes së çmimit ‘Nobel’ në vitin 1979, një nga klerikët e pranishëm e pyeti Nënën Terezë se nga ishte. Ajo atë kohë tha: ‘Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë, por atdheu im është një vend i vogël dhe quhet Shqipëri’”, tha ambasadori Reka, duke rikujtuar thënien e Nënës Terezë.

Gjatë ditës përfaqësues të lartë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria kanë vendosur kurora lulesh te pllaka përkujtimore, ku ka qenë shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut, në sheshin “Maqedonia”, në Shkup.

Deputetja nga Kosova, Mexhide Mjaku-Topalli, e cila ishte pjesë e delegacionit të deputetëve nga Kosova, tha se përmes virtyteve të saj që të ndihmojë të varfrit dhe promovojë frymën e paqes, Nënë Tereza vuri në spikamë virtytet e çdo gruaje në botë.

“Nëna Terezë ka dhënë një mesazh për të gjitha gratë e të gjitha popujve në botë, duke promovuar virtytet më të larta të njeriut, humanizmin, dashurinë dhe paqen”, tha deputetja Mexhide Mjaku-Topalli.

Ndërkaq Anton Sereçi, përfaqësues i besimtarëve katolikë në Shkup, ka shprehur, siç tha, dhembjen e të gjithë katolikëve shqiptarë në Maqedoni, sepse në Shkupin e Nënës Terezë tanimë me vite nuk ka asnjë meshë në gjuhën shqipe.

“Ne si shqiptarë katolikë këtu nuk kemi priftërinj shqiptarë, nuk dëgjohet fjala shqipe në mesha. I lus të gjitha institucionet në Republikën e Maqedonisë që ta zgjidhin këtë hall tonin”, tha Sereçi.

Ekspozita “Shenjtorja nga Shkupi – letërkëmbime”, e cila është hapur në Shkup, do të shfaqet në disa qendra të botës, thanë organizatorët e kësaj ngjarjeje.

Ndryshe, një ekspozitë me piktura të Nënës Terezë është hapur të premten në Katedralen që mban emrin e saj në Prishtinë, në kuadër të shënimit të shenjtërimit të saj, që do të bëhet më 4 shtator në Vatikan. Rreth 20 punime nga dhjetë artistë lokalë do të jenë të ekspozuara për tri ditë me radhë në këtë Katedrale.

Marian Nikolla, nga grupi “Infinity Art”, që merret me organizimin e ekspozitave të ndryshme, thotë se kjo është ekspozita e 6-të që organizohet në Prishtinë me piktura të Nënës Terezë. Kësaj radhe, thotë ai, kjo ekspozitë po organizohet në kuadër të aktiviteteve për shënimin e ngjarjes së shenjtërimit të Nënës Terezë. Të gjitha pikturat janë punuar posaçërisht për këtë ekspozitë.

“Janë punuar me një kualitet të lartë, artistët kanë pasur kohë rreth një muaj për t’u përgatitur për këtë ekspozitë, pikërisht që këtë ditë ta kremtojmë me ngjyra dhe me dashuri të plotë për Nënën Terezë dhe për këtë kemi organizuar një ekspozitë kushtuar kësaj dite”, thotë Nikolla.

Marigona Toma, një artiste shqiptare që jeton në Zvicër, po prezanton në këtë ekspozitë 5 punime të saj, që kanë motiv Anjezë Gonxhe Bojaxhiun, të njohur në mbarë botën si Nëna Terezë.

“Si fëmijë e vogël nuk e di se çka më ka tërhequr më shumë që ta pikturoj Nënën Terezë. Ndoshta ajo mirësia e saj, videot e saj që i kam parë me plot mëshirë… Kjo më ka shtyrë gjithmonë që unë ta pikturoj Nënën Terezë dhe këto janë ndër portretet që i preferoj më së shumti. Mund të them që deri më sot kam pikturuar mbi 30 piktura të Nënës Terezë”, thotë Marigona Toma.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite, Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji tha se Nëna Terezë duhet të jetë frymëzim për të gjithë, pasi ajo mundohej t’i mësonte njerëzit të jetojnë në paqe.

Në hapje të ekspozitës mori pjesë edhe Don Lush Gjergji, Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, i cili njihet si një ndër biografët më të shquar të Nënës Terezë. Ai flet për rëndësinë e shpalljes së Nënës Terezë shenjtore.

“Shenjtërimi është niveli më i lartë në Kishën Katolike, d.m.th, kur dikush është i dalluar në tri virtytet themelore: fe, shpresë dhe dashuri, dhe kur dikush ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm njeriut dhe njerëzimit, prandaj vihet si model i jetës, veprës dhe i frymëzimit”, shpjegon Don Lush Gjergji.

Më herët këtë vit Papa Françesku bëri të ditur se Nëna Terezë do të shpallet shenjtore më 4 shtator të këtij viti. Nëna Terezë, e cila u lind në vitin 1910 në Shkup, nga prindër shqiptarë, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ishte murgeshë katolike dhe misionare, e cila pjesën më të madhe të jetës së saj e kaloi në Kalkutë të Indisë, ku themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur “Misionaret e Bamirësisë”. Fituesja e çmimit “Nobel për Paqe” ndërroi jetë në vitin 1997, në Kalkutë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme