Gazetar: Mihajllo Donev
Efekti i pakos së ligjeve të propozuara nga Ministria e Drejtësisë në fushën e gjyqësorit duhet të jetë reforma thelbësore e jo thjesht rritje e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve- shprehen nga sektori joqeveritar, duke reaguar ndaj deklaratës së djeshme të kryeministrit se thelbi i ligjeve që po miratohen është rritja e pagave të prokurorëve dhe gjykatësve. Disa nga këto ligje, siç është Ligji për Këshillin Gjyqësor, Ligji për pagat e gjykatësve dhe prokurorëve, duhej të miratoheshin deri në qershor dhe kjo nuk ndodhi, por OJQ-të sigurojnë se të gjitha këto ligje përmbajnë ndryshime konkrete.
“Ia kemi dalë me disa ligje, me të cilat nuk mund të pajtohem se janë vetëm kozmetikë, ka edhe gjëra thelbësore në ligjet që janë ndryshuar, në drejtim, siç thashë, të përmirësimit të situatës së përgjithshme në gjyqësor, vërejtjet që ne si sektor joqeveritar dhe ekspertë ligjorë i japim, sigurisht duke respektuar standardet dhe parimet si të Bashkimit Evropian ashtu edhe të standardeve ndërkombëtare, kështu që një pjesë e kësaj u përfshi në këto ligje, gjegjësisht në këto amendamente, dhe besoj se jemi në rrugën e duhur me miratimin e tyre për të pasur reformë cilësore”, deklaroi Jelena Kadriq, drejtore ekzekutive e Institutit për të drejtat e njeriut.
Bëhet fjalë për pakon e ligjeve nga agjenda e reformave në Planin e rritjes të Komisionit Evropian të ndarë në dy pjesë- disa me afat deri në qershor, me të cilat jemi vonuar tashmë megjithëse disa janë në procedurë qeveritare, e disa të tjera me afat deri në dhjetor. Sipas Kadriq, me këtë ritëm, do të ketë përsëri vonesa.
“Disa ligje nuk janë shqyrtuar ende kurse afati është dhjetori. Ne e dimë që zgjedhjet po vijnë, edhe nëse grupi i punës punon për këto ndryshime, kjo procedurë sigurisht që nuk do të vazhdojë as pas zgjedhjeve lokale, kështu që, mendoj se nuk do të bëhet deri në dhjetor, që nga ana tjetër do të shkaktojë përsëri vonesa dhe mospërmbushje, dhe vendi ynë nuk do të jetë në gjendje t’i marrë fondet që ishin planifikuar”, tha Jelena Kadriq, drejtoreshë ekzekutive e Institutit për të drejtat e njeriut.
Bëhet fjalë për shumë prej 750 milionë euro, mjete që vendi do t’i marrë nga BE-ja, por vetëm nëse reformat e premtuara zbatohen në disa sektorë, përfshirë gjyqësorin. Ministria e Drejtësisë paraqiti pesë ligje këtë verë që janë në procedurë qeveritare, por kryeministri Mickoski tha se ato do t’i nënshtrohen rishikimit dhe vetëm atëherë do t’i dërgohen Parlamentit për votim, duke theksuar se ligje të tilla kanë për qëllim vetëm rritjen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve e jo sjelljen e reformave të vërteta në terren. Pakoja e dytë e ligjeve afatin e fundit e ka në dhjetor, dhe ka të bëjë me pesë ligje, përfshirë një ligj të ri për Këshillin e prokurorëve publik, kod penal dhe ligj mbi procedurën penale. /Alsat.mk



