Siç ndodh në prag të çdo themelimi të Qeverisë, nuk kanë të ndalur informacionet që i ndërlidhin kombinatorikat dhe opsionet e mundshme të qeverisjes. Lëvizja BESA, si subjekt i ri, por që u bë një prej forcave dominuese politike në Maqedoni, është vënë në qendër të interesimit të publikut, por edhe të akuzave të oponentëve politikë. Pas kërkesës së portalit sakte.net, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, është përgjigjur në pyetjet se në cilat rrethana BESA do të pranonte të jetë në Qeveri dhe se si i komentojnë akuzat e BDI-së, që e ndërlidhin këtë subjekt politik me LSDM-në.
“Votuesit dhe përkrahësit e Lëvizjes BESA janë shumë të qartë në konsistencën e qëndrimeve dhe parimeve tona politike. Sigurisht se kjo sjellë edhe një mendësi të re politike, e cila është vështirë e kuptueshme për ata, që thuajse mision të vetëm e kishin nënshtrimin karshi partnerit maqedonas në fillim për leverdi personale, e tani për ta shpëtuar lëkurën e tyre politike. Parimet tona për pjesëmarrje në qeveri janë të njohura dhe të deklaruara qysh nga koha e fushatës elektorale. Parakushtet themelore që BESA të diskutojë për mundësinë e përfshirjes në qeveri janë tri: se BESA pranon të marrë pjesë në qeverisje vetëm nëse në të nuk ka figura politike të inkriminuara dhe të dyshuara nga Prokuroria Speciale Publike dhe afera të tjera që e kanë dëmtuar interesin publik; BESA pranon të jetë e pjesë e bisedimeve për qeverisje vetëm nëse pranohet diskutimin për RIDEFINIMIN e sistemit juridiko-kushtetues të shtetit dhe se BESA do të pranojë të bëhet pjesë e qeverisjes vetëm nëse marrëveshja qeveritare do të jetë transparente për publikun dhe e afatizuar”, ka deklaruar Kasami për portalin sakte.net
Sipas tij, çdo tentativë tjetër është vetëm dashakeqësi e atyre që tash e sa vite nuk kanë zgjedhur metodë për manipulimin e opinionit publik sa herë që e kanë ndjerë fundin e tyre politik.
“Mendësia e skandaleve të përgjimeve është diçka që i përket së kaluarës. Ne nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që ata protagonistë sot të paraqiten si shpëtimtare dhe t’i shpërlajnë mëkatet politike. Është koha e një gjenerate të re politikanësh, pa hipoteka, të cilët do ta avancojnë veçanërisht çështjen shqiptare, që aq shumë e dëmtuan ata që nëpërkëmbën thuajse çdo gjë në emër të përfitimeve personale”, ka thënë i pari i Lëvizjes BESA./Sakte.net