“Problemet kardinale të shqiptarëve të Maqedonisë siç është diskriminimi në të gjitha sferat i shqiptarëve të Maqedonisë, siç është çështja e gjuhës, e identitetit kombëtar dhe të drejtave të cilat na takojnë si popull në Maqedoni do të na mundësojnë të gjejmë një gjuhë të përbashkët me të gjitha subjektet politike të cilat pretendojnë se e kanë këtë mision dhe këtë vizion. Por, nëse ka diçka në prapaskenë, atëherë është diçka tjetër. Por, vlerësoj se mund të gjendet një gjuhë e përbashkët edhe me LrPDSH sepse ne nuk e kemi luksin si shqiptarë në Maqedoni që të dallojmë për ideologji të ndryshme, jemi të djathta apo të majta”, kështu është përgjigjur kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami i pyetur nëse dallimet ideologjike janë problem i bashkimit të bashkimit të partive të reja shqiptare në Maqedoni.
Ai është shprehur se është duke u punuar që të arrihet bashkimi i të gjithë faktorëve që duan ta largojnë BDI – në nga pushteti, duke qenë të hapur edhe për personalitete nga shoqëria civile.
“Është formuar një famë e rrejshme në Maqedoni në të cilën investon me të madhe BDI se gjoja kjo parti mund të mposhtet vetëm me një opozitë të bashkuar. Ne si Lëvizje politike kemi dal që edhe vetë ta largojmë nga skena politike këtë të keqe, por kjo nuk do të thotë se ne do të jemi individualistë apo bajraktarë. Andaj, jemi të gatshëm t’ia shtrijmë dorën e bashkëpunimit çdo subjekti dhe faktori të rëndësishëm që bashkërisht ta largojmë BDI – në nga pushteti”, ka deklaruar Kasami.
Lidhur me bashkimin kombëtar, Kasami ka thënë se është hipokrizi konsumimi i kësaj teme për nevoja politike ditore në Maqedoni.
“Shqiptarët e Maqedonisë janë në një gjendje të mjerueshme dhe kur politikanët e keqpërdorin ndjenjën e padiskutueshme të shqiptarëve të Maqedonisë se janë që të jetojnë me vëllezërit e tyre në Shqipëri dhe Kosovë në një shtet të përbashkët, vërtetë që është një mëkat i madh. Ta biesh situatën që shqiptarët e Maqedonisë mos të kenë rrugë, mos të kenë ujë, mos të kenë kanalizime. Që shqiptarët e Maqedonisë mos të kenë ujë të pijshëm, mos të kenë ajr të pastër, që fëmijët tanë të helmohen dhe të vdesin çdo ditë nga kanceri dhe të flasësh çdo ditë për bashkim kombëtar, vërtetë që është hipokrizi mbi çdo hipokrizi. Prandaj, ne si Lëvizje politike vlerësojmë se çështja e bashkimit kombëtar është fillimisht çështje e shtetit shqiptar, pastaj e Kosovës dhe së fundmi knë të drejtë për këtë çështje të flasin politikanët shqiptarë të Maqedonisë. Detyrë parësore e politikanëve të Maqedonisë duhet të jetë që shqiptarëve tua rikthejë dinjitetin, shqiptarët e Maqedonisë t’i bëjë të barabartë me popullin maqedonas, që t’ua kthejnë mundsinë që të vendosin për fatin e tyre, që më pastaj kur shqiptarët e Maqedonisë të kenë mundësinë të jenë popull shtetformues, elitat politike që do të jenë në atë kohë, le të vendosin se si – të jetojmë me maqedonasit apo me Kosovën dhe Shqipërinë të shohim në një të ardhme të përbashkët. Në këtë fazë kur shqiptarët e Maqedonisë diskriminohen edhe si komb, edhe si individë në çdo aspekt, çdo ditë, të flasësh për bashkimin kombëtar vlerësojmë se është hipokrizi”, është shprehur Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA në Maqedoni./Sakte.net