Intervistoi: Sabina Çabaravdiq
Radio Evropa e Lirë: Përse gjatë viteve të fundit Islami lidhet gjithmonë me të keqen?
Katja Drechsler: Për fat të keq, sot ka shumë lajme të këqija që vijnë dhe që lidhen me Islamin dhe shtetet islamike, si mospërfillja e pakicave ose e mendimeve ndryshe në Pakistan ose në Arabinë Saudite. Kemi lajme për terrorizmin, që nga talibanët, 11 Shtatori deri te grupi militant Shteti Islamik. Përveç kësaj, dëgjojmë histori për martesa të detyruara, poligami dhe prerje të organeve gjenitale të femrave.
Radio Evropa e Lirë: Ekziston Islami politik dhe Islami si fe. Si mund të bëhet e qartë se këto nuk janë sinonime, se ekzistojnë dallime midis këtyre dy termeve?
Katja Drechsler: Po, duhet të jemi të kujdesshëm në lidhje me këtë. Në të gjitha fetë ekzistojnë njerëz që besimin e tyre e perceptojnë si shpirtëror apo kulturor dhe e përdorin atë për t’u bërë njerëz më të mirë. Por, ekzistojnë edhe të atillë që këtë e përdorin për qëllime politike, ku feja pastaj bëhet ideologji, e mos të them dogmë.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të bëhet në përafrimin e botës së krishterë dhe asaj islame?
Katja Drechsler: Kjo është pyetje e vështirë në botën e sotme. Do të ekzistonte mënyra sikurse mediat të ishin më të angazhuara dhe të jepnin më shumë sqarime. Mirëpo, në të gjitha diskutimet publike vërehet qartë se sa janë të ndara frontet. Mund të ketë gjithmonë edhe një qasje personale, por edhe kjo, në përgjithësi, mungon në media. Gjithmonë raportohet vetëm për tmerret që ndodhin dhe shumë pak për të mirën dhe pozitiven.
Është e rëndësishme që publikut perëndimor t’i tregohet se edhe myslimanët jetojnë ndryshe në fenë e tyre dhe kjo varet prej shumë faktorëve. Por, jeta reale dhe prezantimi mediatik i kësaj jete janë me milje larg. Është e rëndësishme që të personalizohen gjërat, të flitet për jetë normale të njerëzve në Islam.
Për përafrimin e botës së krishterë dhe asaj islame duhet të përqendrohemi më shumë te ngjashmëritë dhe do të shohim se dallimet nuk janë të mëdha.
Radio Evropa e Lirë: Si mendoni, a kanë mediat më shumë rol pozitiv apo negativ në krijimin e opinionit publik?
Katja Drechsler: E gjitha varet prej asaj se cilat media konsumohen, a dinë t’i përdorin mediat. Fatkeqësisht, mediat sot nuk janë vetëm gazeta dhe radioja, por edhe interneti dhe rrjetet sociale, përmes të cilave shpërndahen përmbajtje të ndryshme dhe është vështirë të verifikohet nëse lajmet janë të vërteta ose jo.
Ajo që është më e mira, është përvoja e drejtpërdrejtë. Kur njerëzit nuk kanë kontakt direkt me myslimanët, ata janë më të prirë për të pranuar informacionet e medieve, pa distancë kritike.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Drechsler, sikur ju të ishit gazetare, çfarë do të ndërmerrnit kundër propagandës anti-islame?
Katja Drechsler: Nuk është aspak e lehtë. Për mua do të ishte shumë e rëndësishme që gjërat t’i shoh në tërësi, të zgjeroj horizontet, të bisedoj me sa më shumë njerëz. Në këtë mënyrë do t’i ndërtoja raportet e mia, sepse shpesh shoh njerëz që shkruajnë për tema që lidhen me Islamin, kurse dinë fare pak ose aspak për të dhe në këtë mënyrë i krijojnë gjërat gabim.
Radio Evropa e Lirë: Gati 15 vjet jetojmë në një botë në të cilën nuk është e lehtë të jesh mysliman. Por, për shkak të kërcënimeve nga Shteti Islamik dhe gjithçka që ai përfaqëson, nuk është e lehtë as të mbrohet Islami…
Katja Drechsler: Pikërisht, ne kemi problem me interpretimin fundamentalist të Islamit, por Islami nuk është vetëm kaq. Problemi është me vënien e theksit vazhdimisht mbi disa pjesë të Kuranit që flasin për dhunë, e gjëra të tilla ka në të gjithë librat e shenjtë, të të gjitha feve të botës, por nuk i përmend askush. Është po ashtu me rëndësi interpretimi i Kuranit, ajo çfarë është e shkruar të vihet në kontekstin historik dhe të mos interpretohet nga perspektiva e sotme.
Mediat janë në veçanti përgjegjëse për nxitjen e anti-islamizmit dhe gjërave tjera. Merreni shembullin e Anders Breivikut, i cili ka kryer krim në Norvegji, duke vrarë 77 veta. Ai shumë qartë është thirrur në traditën e krishterë, por askush në media nuk e ka quajtur terrorist i krishterë. Anti-islamizmi ekziston dhe mediat e nxisin. Natyrisht se ka edhe disa arsye politike për këtë, por është krejtësisht e gabuar të përfshihen të gjithë myslimanët.
Radio Evropa e Lirë: A ka shanse që kjo të ndryshojë shpejt?
Katja Drechsler: Për fat të keq jo dhe kjo më frikëson. Së voni në Gjermani është publikuar një karikaturë, e cila tregon një myslimane duke shpjeguar Islamin te një grup njerëzish dhe i duket se ka pasur sukses. Por, pas shpinës së saj, militantët e Shtetit Islamik shpërthejnë edhe një bombë. Grupet e tilla shkatërrojnë gjithçka. Dhe, ajo që vështirë mund ta ndryshojmë është fakti se pas të gjitha këtyre qëndrojnë interesa politikë. Nuk bëhet fjalë vetëm për fenë, por kemi të bëjmë edhe me ndarjen globale të pushtetit.