Kryesia e Kuvendit vendosi sot që ta hedhë këtë kërkesë, bashkë me atë për Sharrcem-in, në seancën e ardhshme të Kuvendit.
Kërkesa e kompanisë kanadeze Envidity për hulumtimin e qymyrit në një të tretën e hapësirës së Kosovës do të shqyrtohet të enjten nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Kryesia e Kuvendit vendosi sot që ta hedhë këtë kërkesë, bashkë me atë për Sharrcem-in, në seancën e ardhshme të Kuvendit.
Kërkesa është përcjellë me debat të gjerë politik dhe në shoqërinë civile tash e dy javë.
“Kuvendi i Kosovës do ta merr vendimin e vet në mënyrë të hapur. Kosova ka nevojë për investitorë, siç janë ata nga SHBA e secili vend perëndimor. Ne duhet t’i japim perspektivë vetvetes”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pas mbledhjes së kryesisë.
Por shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, kundërshtoi vendimin.
“Sa u përket kërkesave të dy kompanive, për shkak të procedurave e kemi kundërshtuar në komision e prapë do ta kundërshtojmë sepse asnjë deputet nuk është informuar drejt për debatin, pronësinë e shpronësimin dhe impaktin ambiental”, tha ai.
Gazeta Jeta në Kosovë dy javë më parë ka publikuar hulumtimin për interesimin e kompanisë në të cilën ish gjenerali amerikan Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën e bombardimeve të NATO-s mbi ushtrinë serbe në pranverë të vitit 1999, është kryetar i bordit, për të hulumtuar për qymyr në Kosovë.