Ngjarja e pazakontë ka shqetësuar së tepërmi krerët e ushtrisë greke, te cilët kanë urdhëruar menjëherë hapjen e një hetimi, ndërsa komandanti i repartit dhe shefi i shtabit te forcave tokësore greke, rrezikojnë postet e tyre.
Sipas burimeve nga ministria e mbrojtjes,pak mbas publikimit të fotos në fjale, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë greke ka urdhëruar identifikimin dhe në vazhdim shoqërimin e ushtarëve të përfshirë në foton, që sipas autoriteteve greke konsiderohet jo vetëm skandaloze, por edhe një gjest i rrezikshëm për sigurinë kombëtare të Greqisë.
U deshën pak orë, që autoritetet helene të kenë emrat e 7 shqiptarëve me shtetësi greke të përfshirë në këtë incident.
Ata janë ndaluar dhe u morën në pyetje prej autoriteteve ushtarake greke.
Janë kontrolluar edhe telefonat e tyre celulare, nëse janë fotografuar ambiente të repartit ose armatime të gjendura në të, si dhe telefonatat e tyre, nëse kanë komunikuar me persona të cilësuar si të rrezikshëm për sigurinë kombëtare greke.
Sipas një njoftimi të shtabit te përgjithshëm të ushtrisë, hetimet janë hapur për mënyrën e futjes se telefonit brenda ambienteve te repartit, si dhe për shkallën e përfshirjes së 7 kadetëve në propagandë anti-greke.
Mësohet se 7 kadetët do të bënin betimin e tyre në datën 2 shkurt dhe do të shërbenin në ushtrinë greke për 9 muajt e ardhshëm.
Ata kanë marrë shtetësinë greke në saj të ligjit që ua mundëson këtë për shkak të përfundimit të studimeve në shkollat greke.
Fillimisht ata do të transferohen në zonat kufitare ku do të kryejnë pjesën e mbetur të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por mbas presionit të mediave greke dhe qarqeve ekstremiste vendase, nuk përjashtohet që atyre t’iu hiqet shtetësia, një veprim ky që nuk ka ndodhur asnjëherë për të njëjtat arsye deri tani.
Me interes pritet edhe kthimi nga SHBA ku ndodhej për ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri amerikan, i ministrit grek të mbrojtjes Panos Kamenos.
Ky i fundit njihet si përkrahës i linjës patriotike, shpesh herë e konsideruar si ekstremiste për mbrojtjen e identiteti helen në ushtri, ndaj dhe pritet që dënimet ndaj 7 kadeteve do të jenë shumë të ashpra, shkruan TCH, përcjellë Klan Kosova.
Sipas burimeve, dënimet ndaj 7 ushtareve do të jenë edhe më të forta, edhe për të parandaluar çdo tentativë të imitimit në të ardhmen të gjesteve të ngjashme.