Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti, shprehet për dritare.net se edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të shkuar, Maqedonia do e vazhdojë ecjen drejt kalbjes së saj të brendshme. Sipas tij, përbërja e ardhshme qeveritare nuk duhet parë nga këndvështrimi i interesit shtetëror dhe ai i qytetarëve, por nga ai që ka për qëllim shpëtimin e atyre që e sollën shtetin buzë greminës- drejtuesve të VMRO-DMNE-së dhe BDI-së.
Mehmeti tregon për dritare.net se e vlerëson brengën e drejtuesve të BDI-së që Maqedonia të mos mbetet pa qeveri, si një një brengë që buron nga frika të mos shpaloset e kaluara e tyre si pjesë e regjimit antishqiptar, DPMNE-BDI. Sipas Mehmetit, sikur drejtuesit e BDI-së të ishin sadopak të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, ata nuk do e kishin hallin e përbërjes së qeverisë së ardhshme, por zbardhjen e rasteve dhe projekteve antishqiptare.