Egert Vargu, i arrestuar si agjent doganor i kompanisë ‘Apetit Group’, në kontejnerin e se cilës u gjet 45.5 kg kokainë, është anëtarë i Këshillit Bashkiak në Tiranë në njësinë numër 8 me Partinë Socialiste. Sikurse raporton shqiptarja.com, Vargu ka hyrë si anëtar i Këshillit Bashkiak pasi opozita ka braktisur këshillin, sepse ishte i 43-ti në listë.
Para hetuesve ka deklaruar se është agjent i pavarura doganor dhe se punon bashkë me gruan. Sipas tij ka bërë veprimet doganore për kompaninë dhe s’ka asnjë njohje dhe as lidhje. Pas arrestimit dhe procedimit penal ndaj tij, i pezullohen funksionet publike.
Kujtojmë se, droga u gjet në një kontejner të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur transit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut, filial i kompanisë ‘Apetit Group’ me qendër në Prishtinë.
Pas kontrollit të ushtruar në kontejner, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë. Pakot ishin të mbështjella me letra që kishin të stampuar personazhe të filmave vizatimore si ‘Goku’ dhe ‘Buda’.
Zbulimi i kokainës është krejtësisht punë e Policisë së Durrësit, e sektorit të luftës kundër drogës në bashkëpunim me Doganën e Durrësit, pra pa ndihmën e partnerëve.
Kjo është sasia e dytë e cila është kapur brenda një kohe të shkurtër, brenda pak javësh në Portin e Durrësit. Vetëm pak javë më parë, u kap një tjetër sasi kokaine në një anije me qymyr e cila vinte nga Kolumbia.
Kokaina u gjet në hambarin e anijes “Unistream” me flamur të Antigua Barbuda nga Ishujt Karaibe. Ajo ishte e ndarë në 53 pako, në 2 çanta dhe bëhej fjalë për 59 kg. Të arrestuar nuk pati asnjë.




