Një kompani nga Beogradi ka blerë mijëra tonelata xehe të ndërmarrjes Trepça. Vendimi për kontraktimin e kompanisë nga Beogradi, “Metal-Hemiko”, është marrë nga menaxhmenti i pjesës veriore të ndërmarrjes, me bazë në Zveçan.
Tonelata xehe të ndërmarrjes “Trepça” i janë shitur një kompanie me bazë në Beograd.
Ky vendim është marrë nga menaxhmenti i pjesës veriore të Trepçës, i cili nuk kontrollohet plotësisht nga autoritetet kosovare, ndonëse zyrtarisht është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Vendimi i këtij menaxhmenti, i marrë më datën 14 shkurt të këtij viti, ka bërë përfitues kompaninë “Metal-Hemiko”, me bazë në Beograd të Serbisë.
Kompania nga Beogradi ka fituar dy lotet e tenderit për shitjen e materialit të situr të plumbit.
Tenderi është ndarë në dy lote/pjesë. I pari ka të bëjë me shitjen e materialit të situr të plumbit që gjendet në shkritoren e Trepçës në veri. Sasia e këtij materiali është 8 mijë tonelata.
Kompania nga Beogradi, bazuar në Njoftimin për Dhënie të Kontratës të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, për blerjen e kësaj xehe do të paguajë 864 mijë euro.
Kompania është shpallur fitues me 14 shkurt të vitit 2017.
Po, ashtu në të njëjtën ditë menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça, e cila gjendet në pjesën veriore, ka bërë edhe shitjen e materialit të situr të plumbit që gjendet në rafinerinë e ndërmarrjes. Sasia e këtij material është rreth 4 mijë tonelata. Kompania nga Beogradi do të paguajë 428 mijë euro për blerjen e kësaj sasie të materialit të plumbit.
Pjesa veriore e Trepçës deri më tash ka qenë vështirë e kontrolluar nga autoritetet qendrore në Prishtinë. Ka pasur raste kur shpenzimet e saj kanë qenë e pamundur të auditohej nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
“Vlera e pasurive në Pasqyrat Vjetore Financiare nuk është e saktë dhe e plotë. Ne nuk kishim qasje fizike në objektet e Trepçës veri dhe nuk kemi mundur të kryejmë të gjitha procedurat dhe testet e nevojshme audituese dhe ekzaminimet fizike të llogarive për pasuritë dhe stoqet të Trepçës veri”, theksohet në raportin e ZAP-it, të vitit 2012.
Drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit kanë njoftuar se kanë arritur ta shtrijnë kontrollin, duke treguar se kanë zhvilluar takime me menaxhmentin serb të pjesës veriore të ndërmarrjes Trepça./Insajderi.com