Kompania turke paralajmëron miliona investime dhe mbi 1 mijë vende të reja pune

Kompania e njohur turke në sektorin minerar ESAN me iniciativë të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka prezantuar sot para Komisionit Ndërministror mundësitë dhe planet e saj investive në Kosovë dhe akterëve tjerë institucionalë që mund të prekin këto investime potenciale.

Në hapje të takimit, Stavileci tha se hyrja në fuqi e Ligjit për Investime Strategjike, sektori minerar dhe sektorët të tjerë kanë një dritare të re mundësish për investitorët që duan të investojnë këtu, me çka krijohen shumë vende pune.

Kreu i MZHE-së tha se aktualisht është duke u punuar paralelisht në dy iniciativa ligjore mjaft të rëndësishme, të cilat e kompletojnë kuadrin ligjor të sektorit minerar siç është amandamentimi i Ligjit për Miniera dhe Minerale dhe Ligji për Mbetjet Industriale nga MMPH, çka shkon në drejtim të krijimit të kushteve për investime në sektorin minerar, raporton Koha.net.

Stavileci përsëriti se çdo investim duhet t’i plotësojë tri kriteret kryesore, atë ekonomik, ambiental dhe mjedisor.

Nga ana e tij, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala tha se Kompania ESAAN ka vite që vepron në këto zona dhe gjatë këtyre viteve ka arritur rezultate të matshme.

Ai tha se është i interesuar t’i gjejë modalitetet e mundshme legjislative që zonat e interesit të jenë të gatshme për investime, qoftë në modelin e investitorit strategjik, qoftë në modelin e investitorëve të tjerë në mënyrë që këto zona të jenë në funksion të shkencës, të hulumtimit por edhe të zhvillimit të vendit.

Më pas, drejtoresha e ESAN, Serpil Demirel, duke prezantuar profilin dhe planet e kompanisë për Kosovë, tha se nëse hulumtimet e rezerva rezultojnë të suksesshme janë të gatshëm të investojnë më shumë se 100 milionë euro në këtë sektor.

Ajo tha se me licencat e hulumtimeve që kanë marrë në vendit tonë, po kërkojnë plumb dhe zink, pasi çmimet e këtyre metaleve në treg janë rritur.

“Në ESAN, politikat lokale të punësimit janë diçka që ne i kushtojmë rëndësi dhe kudo që ne shkojmë për investime ne punësojmë njerëz nga aty dhe kemi programe speciale edukative për trajnimin e punëtorëve, e veçanërisht përfshirjen e grave”, tha Demirel.

Drejtori për hulumtime në ESAN, Ali Can Akpinar duke prezantuar aktivitetet e kompanisë përgjatë pesë viteve në Kosovë, ka theksuar se këtu kanë parë potencial, prandaj kanë kryer hapin e parë që ka qenë eksplorimi.

“Në vitin 2015 dhe 2016 ne kemi bërë shpime diku 8 mijë metra në Bellaqicë. Në këtë periudhë pesëvjeçare ne kemi shpenzuar 5 milion euro. Në hapin tjetër ne kemi marrë harta dhe në kemi parë potencial për plumb dhe zink në tri zona me interes siç janë: Karaqa e Gumnishta (Vushtri) dhe Bresalci (Gjilan)”, tha Akpinar.

Sipas tij, në zonën e Gumnishtës kanë parë potencial për plumb, zink dhe argjend ndërsa në Bresalc kanë hasur potencial për ari dhe plumb. Akpinar shtoi se ESAN planifikon të investojë 43 milionë dollarë dhe angazhimin e 410 punëtorëve.

Nismat për investime në këto zona i kanë mirëpritur edhe drejtuesit e komunave ku gjendet këto resurse siç janë Vushtrria dhe Gjilani.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme