Kosova përballë ndikimit të Rusisë

Përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin në rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, janë evidente, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve në vend.

Megjithatë, sipas tyre, shtrirja e këtij ndikimi në Kosovë, është shumë më i vogël, në krahasim me disa nga vendet e rajonit.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet e Rusisë për të dominuar në rajon tashmë janë të qarta.

Në këtë kontekst, sipas tij, përpjekjet për shtrirje të influencës ruse edhe në Kosovë, janë evidente.

“Ka të dhëna për fonde të shtuara nga ana e Rusisë, në fusha të ndryshme të veprimtarisë. Ajo që ka qenë shumë evidente është mbulimi mediatik i ngjarjeve nga mediet e fuqishme ruse, të cilat shpeshherë pastaj edhe i kanë shtrembëruar realitetet, ashtu siç u ka konvenuar atyre, ne i kemi pasur disa raste, brenda në Kosovë, por edhe në rajon”.

Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se Federata Ruse, në strategjinë, të cilën e ka në të ashtuquajturën “lufta informative”, për vendosjen e agjendave në opinionet publike të vendeve të ndryshme, një qasje të tillë e ka të drejtuar edhe ndaj Kosovës.

“Kjo, kryesisht ndikohet përmes prodhimit të lajmeve të rrejshme, ndikimit në krijimin e opinionit, në dobësimin e qasjes, përkatësisht perceptimit pozitiv që e ka populli i Kosovës për shtetet perëndimore dhe në rend të parë, në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, pjesa tjetër, sigurisht që është e ndërlidhur me aspektin e biznesit, përkatësisht me praninë e biznesit të kompanive të lidhura me Rusinë”.