Ku i ka rrënjët urrejtja e Koresë së Veriut për SHBA-në

Në Korenë e Veriut ka shumë gjëra që mungojnë. Por një gjë ky vend e ka: një makineri efektive të propagandës.

Që në kopshte dhe në librat e shkollës ushqehet urrejtja ndaj SHBA, e lidhur me frikën prej “agresorit imperialist nga Washingtoni”.

Propagandën e ndihmon fakti që mund të bazohet në përvojën kolektive të Luftës së Koresë. Kjo luftë lë gjurmë në botën e njerëzve sot, edhe sepse ajo nuk ka marrë fund. Nuk ekziston një marrëveshje paqeje. Që prej më shumë se gjashtë dekadash, në paralelin 38 sundon vetëm një armëpushim.

Kjo luftë – për ta thënë qartë – nisi nga vetë Koreja e Veriut. Trupat e Koresë së Veriut ishin ato që e kaluan në 25 qershor 1950 paralelin e 38-të. Me forcën e armëve Pheniani donte të impononte ribashkimin e gadishullit të ndarë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë: kur Presidenti i SHBA, Donald Trump kërcënon tani me zjarr, zemërim dhe me pushtet të pafrenuar dhe lë të kuptohet se Koresë së Veriut “do t’i ndodhnin gjëra, të cilat nuk i ka konsideruar kurrë të mundura”, atëherë kjo përshtatet si me historitë që tregon Pheniani, ashtu edhe me përvojën historike.

Kur ministri i Mbrojtjes, James Mattis e paralajmëron udhëheqjen e Koresë së Veriut për rrezikun e “asgjësimit të popullit”, trauma nacionale që ushqehet vazhdimisht rigjallërohet nga propaganda. Sepse asgjësim koreanoveriorët kanë përjetuar – midis viteve 1950 dhe 1953.

Tri vjet bombardim mbi sipërfaqe

Për tri vjet me radhë u mbulua atëherë Koreja e Veriut me bombardime mbi sipërfaqen e vendit nga avionët luftarakë të SHBA. Pa e ruajtur fare popullatën civile, siç shkruan historiani i SHBA, Bruce Cumings. Cumings e karakterizon këtë si krim lufte.

Në këtë kohë mbi Korenë e Veriut u hodhën më shumë bomba dhe napalm se sa u hodhën kundër Japonisë në hapësirën e Paqësorit në të gjithë Luftën e Dytë Botërore. Vlerësohet se jetën e humbën prej tyre 20 për qind e popullatës.

Ish-ministri i Jashtëm i SHBA, Dean Rusk – që në kohën e luftës së Koresë qe përgjegjës për Azinë Lindore në Ministrinë e Jashtme – deklaroi se “midis paralelit 38 dhe kufirit kinez ne kemi bombarduar çdo tjegull, që qëndronte mbi një tjetër, gjithçka që lëvizte. Ne kishim epërsi të plotë ajrore dhe e bombarduam rëndë Korenë e Veriut”.

Në të vërtetat e pakëndshme historike, që harrohen në Perëndim, por kujtimi i të cilave mbahet gjallë në Korenë e Veriut bëjnë pjesë edhe masakrat. Të tilla si masakra e No Gun Ri, e kryer nga ushtarët e SHBA vetë. Nën një urë, u vranë qindra civilë që kishin marrë arratinë, siç u bë e ditur në vitin 1999.

Edhe më të këqija qenë spastrimet antikomuniste të forcave të armatosura të Koresë së Jugut. Menjëherë pas fillimit të luftës, në jug u ekzekutuan simpatizantë të vërtetë ose të supozuar të Veriut, me dijen dhe në sytë e oficerëve të SHBA. Për to u akuzua Koreja e Veriut./DW

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme