Ky shkrim nuk rekomandohet për “nazim rashidët”!

Zeqirija Ibrahimi, deputet dhe nënkryetar i Lëvizjes BESA

Para zgjedhjeve desh na shpallën antishqiptarë që nuk ndodhi bashkëpunimi opozitar. Dhe, tash kur doli në pah se “çelësi i humbur i forcave progresive” paska qenë te Kryeplaku, askush nuk flet më për fajtorin që opozita nuk u bashkua dhe që përsëri partia e kriminalizuar dhe e korruptuar e fitoi shumicën e mandateve.

Tash sërish:
– nuk është temë se pse shqipja nuk u zyrtarizua qe 15 vjet të tëra,
– nuk është temë pse për 15 vjet nuk u zgjidh çështja e veteranëve dhe dëshmorëve të UÇK-së,
– nuk është temë as pse 15 vjet nuk u arrit barazia ekonomike,
– nuk është temë se pse 300.000 shqiptarë për 15 vjet i braktisën vatrat e tyre,
– nuk është temë që vendbanimet shqiptare e vuajnë ujin e pijshëm,
– nuk është temë që në Pollog njerëzit po vdesin nga kanceri për shkak të ajrit të ndotur,
– nuk është temë as pse për 15 vjet shqiptarëve u ndodhën “Brodeca”, “Sopota”, “Monstra” e “Lagje Trimash”, njësoj si në vitet e ’90-ta,
– nuk është temë as pse për 15 vjet u vranë ushtarët më të mirë të UÇK-së dhe askush nuk dha llogari për ata,
– nuk është temë se pse u lejua të bëhej Enciklopedia antishqiptare edhe me paratë tona,
– nuk është temë që librat shkollore janë plot antishqiptari dhe që arsimi shqip është më i dobëti në vend, kjo nga partizimi i arsimit,
– nuk është temë që të rinjtë shqiptarë duhet të bëjnë shkolla nëpër fshatra, sepse kanë frikë të vijnë në qytet;
– nuk është temë që nënat shqiptare u shpallën më pak të vlefshme se nënat maqedonase;
– nuk është temë as pse u lejua të bëhej projekti “Shkupi 2014” edhe me paratë tona dhe pse partia shqiptare i votonte buxhetet për të,
– nuk është temë që kultura shqiptare nuk vlerësohet as sa përmendorja e Car Dushanit në sheshin e Shkupit,
– nuk është temë as pse disa funksionarë të asaj partie më shumë ishin kujdesur për eurot në xhepa, për biftekun në bark dhe për kënaqësitë nën bark,
– nuk është temë as pse na gënjyen se po ndodhë integrimi në BE dhe NATO,
– nuk është temë as se pse shqiptarët ikën në LSDM për shkak të neverisë ndaj tyre,
por
kryetema e kryetemës është se pse BESA nuk ulet me “Kryeplakun”.

Ne e dimë se pse po bëhet kjo – sepse Kryeplaku po përfundon si i Kryeturpëruari, por opinioni ka të drejtë ta dijë se:
– nuk mund të ulemi me atë që është Kryefajtori që shqipja nuk u zyrtarizua;
– nuk mund të ulemi me atë që është Kryefajtori që 15 vjet qëndroi në pushtet në saje të gjakut të ushtarëve të UÇK-së dhe nuk e zgjidhi statusin e tyre;
– nuk mund të ulemi me atë që është Kryefajtori që ndodhën proceset e montuara politike kundër shqiptarëve, e për të cilat ai kurrë nuk kërkoi e nuk dha llogari;
– nuk mund të ulemi me atë që është Kryefajtori që burgjet janë plot me shqiptarë, siç thoshte bashkëpunëtorja e tij Jankullovska, ndërsa atij aq i bënte;
– nuk mund të ulemi me atë që është Kryefajtori që ushtarët e UÇK-së u vranë nga policia në të cilën edhe ai ishte pjesë;
– nuk mund të ulemi me atë që është Kryefajtori që lejoi që ne të quheshim “fise të egra të ardhura në shek. XIX” dhe, veç kësaj, na detyroi të paguajmë për këtë;
– nuk mund të ulemi me atë që është Kryefajtori që Shkupi u deshqiptarizua dhe u deislamizua;
– nuk mund të ulemi me atë që është Kryefajtori që mbi 300.000 shqiptarë të rinj sot janë të shpërngulur dhe bredhin rrugëve të Europës;
– nuk mund të ulemi me atë që është Kryefajtori që nuk ndodhi BE dhe NATO;
– nuk mund të ulemi me atë që është Kryefajtori që mbetëm pa ujë e pa ajër të pastër;
– nuk mund të ulemi me atë që është Kryefajtori që e ndaloi bashkimin e opozitës shqiptare para zgjedhjeve.

Proverbi i urtë kinez thotë: “Kush ia falë fajin kriminelit, e amniston krimin!”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme