Letër e hapur ambasadorëve të Quintit: Dështimi ynë është dështimi Juaj

Autor: Afrim Blyta

Letër e hapur ambasadorëve: të SHBA-ve, Greg Delawie; Gjermanisë, Angelika Viets; Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Conell; Francës, Didier Chabert; Italisë, Andreas Ferrarese

Ekselencë të nderuara,

Në pamundësi të takohemi personalisht, Ju drejtohem përmes kësaj letre, duke mbetur në shpresë se do ta lexoni, meqë është publike.

Jam mjek, neuropsikiatër, i paangazhuar politikisht, njeri që e dua shume vendin tim. Njeri qe di të dalloj të mirën prej të keqes, të drejtën prej të padrejtës, dhe kur kam mundësi të zgjedh, e zgjedh gjithnjë të mirën dhe të drejtën, se interesi i vendit dhe popullit tim është më i madh se interesi im.

Letrën e shkruaj si borxh të cilin ua kam prindërve të cilët më mësuan për vlerat, fëmijëve, dhe shpresoj fëmijëve të fëmijëve, për të ardhmen e të cilëve nuk ndihem i qetë.

Të nderuar ambasadorë. 17 vite më parë, Kosova dhe qytetarët e saj humbën pothuajse çdo gjë: u vranë, u dogjën, u dëbuan, u zhvendosën, por as edhe një moment nuk e humbën më të vlefshmen, shpresën.

Dhe, posa u çliruan, shqiptarët e Kosovës, duke lënë vendet të cilat mund vetëm të dëshirohen, u kthyen shpejtë në vatrat e veta të djegura, ndonëse me zemra dhe shpirtra të lënduar, por me shpresë të madhe. U kthyen edhe më shpejtë se sa mund të paramendohej edhe në ëndrrat e atyre që planifikonin një gjë të tillë, por për shumë më vonë.

U kthyen, se ëndrra për një vend të çliruar dhe pa dhunë u realizua. U kthyen për të kontribuar për një ëndërr tjetër: ndërtimin e një shteti, shtetin e së drejtës, të qetësisë, të zhvillimit, të prosperitetit, për vetën, për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të vet.

Kaluan 17 vite dhe ëndrra mbeti vetëm ëndërr. As nuk ka shtet të drejtë, as nuk ka qetësi, as nuk ka zhvillim, as nuk ka prosperitet. E, ajo që është më e dhembshme, Kosova dhe qytetarët e saj po humbin. Po humbin atë të cilën nuk e patën humbur as gjatë pesë shekujve nën osmanlinj, e as njëqind vjet nën pushtetin sllav, po humbin shpresën.

E, te ne shqiptarët, besoj edhe te popujt e Juaj të nderuar ambasadorë, thuhet: kur vdes shpresa vdes çdo gjë. Se mund të kesh çdo gjë, por nëse nuk ke shpresë, nuk ke asgjë, e nëse ke shpresë, mund të kesh çdo gjë,

Shpresën po na e humbin Ata që na e rrëmbyen shtetin. Ata për të cilët e padrejta është e drejtë, e pafytyra është fytyrë, e pandershmja është e ndershme, e amoraliteti është moral.

Ju deklaroheni, të nderuar ambasadorë, që nuk keni faj për këtë gjë. Ju thoni se ne jemi ata që i zgjedhim Ata që na “udhëheqin”. Ju thoni se ne jemi ata që duhet bërë ndryshimin. E si ta bëjmë këtë ndryshim? Kur shtetin e ka rrëmbyer pushteti. Kur, çdo gjë që mund të kontrollohet Ata e kontrollojnë.

Ju na thoni mund të protestoni por në mënyrë të qetë. Por, sot të protestosh ndaj këtij pushteti, në çfarëdo forme, qetë ose me dhunë, është e njëjtë. Janë indolentë, është si të provosh t’ia tregosh dritën të verbrit, ose t’ia lëshosh zërin shurdhanit. Është e njëjtë të nderuar ambasadorë, se janë të dehur; janë të dehur nga pushteti.

Ata, të nderuar ambasadorë, na kanë në dorë, sikur që edhe Ju i keni Ata në dorë, që është një e vërtetë e madhe. I keni në dorë këta të dehur, por Ju nuk ndërmerrni asgjë me ta. E çka bëni? E ndëshkoni popullin e pafajshëm dhe e mbani të mbyllur në kafaz në mes të Evropës, në shekullin e XXI.

Të nderuar ambasadorë, flisni për mos përmbushje të kushteve, flisni për demarkacionin, për korrupsionin. Posa mësuam se Ukrainës ju dha e drejta për Schengen të lirë, dhe atë pasi e “ktheu” Krimenë dhe e “zgjidhi” demarkacionin me Rusinë. Mësuam se edhe Gjeorgjisë ju dha e drejta e njëjtë, pasi ju “kthye” Osetia jugore dhe u “zgjidh” demarkacioni me Rusinë (sic.).

Ju thoni: luftoni korrupsionin, si kusht për të drejtën e lëvizjes së lirë. Por, çka bëtë? U ulët në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga ata që janë burim jo vetëm i korrupsionit, por edhe i të gjitha të këqijave në këtë vend. Bile, edhe me cinizëm u drejtuat nga e njëjta tryezë duke thënë, se korrupsioni nuk luftohet me tryeza, por me zbatim të ligjit. Cilit ligj? Atij, në emër të cilit Ata qëndrojnë në pushtet?

Për fat të keq, Ju po i mbështetni Ata, dhe atë për qëllime të padrejta dhe joparimore. Po të mos ishte kështu atëherë, Ju do t’ju jepnit qytetarëve të Kosovës të drejtën e lëvizjes së lirë, e udhëheqësve të këtij pushteti të kalbur do t’ua ndalonit hyrjen në SHBA dhe në Bashkimin Evropian. Por, ju këtë nuk e bëni, se Ata janë “zogj kurve”, por, “zogjtë e Juaj kurvë”.

Të nderuar ambasadorë, është e vërtetë se kosovarët janë me shumicë absolute mysliman. Por, janë myslimanë me traditë të lashtë evropiane. Janë myslimanë të Evropës. Dhe, sa është e vërtetë që ne kemi nevojë për Evropën, aq është e vërtetë se edhe Evropa ka nevojë për ne. Ne jemi argument i Juaj në sy të botës se Ju nuk jeni kundër Islamit dhe myslimanëve, se Ju i keni myslimanët e Evropës, e ata jemi ne. Pra, Ju nuk jeni kundër islamit, por që jeni, së bashku si ne, kundër çdo bastardimi të fesë, e cila edhe në esencën e saj më të thellë, është paqe.

Na ndihmoni të integrohemi aty ku e kemi vendin, e mos lejoni që situata e pa shpresë, e cila e ka kapluar popullin, e sidomos rinin e mrekullueshme që e kemi, ta humbasë rrugën në oborr të vet dhe ta ndryshoj kahun e drejtimit, e nga perëndimi të kthehet kah lindja e afërt, ndoshta edhe ajo e mesme, aty ku asnjëherë nuk e kemi pasur vendin.

Të nderuar ambasadorë, a me të vërtetë mendoni se Kosova me 1.8 milionë banorë të integruar, mund të bëjnë më shumë dëm Evropës se 45 milionë ukrainas ose pesë milionë gjeorgjianë? Unë mendoj se jo, dhe Ju siguroj për këtë.

Më lejoni, shpresoj duke mos më kuptuar se jam pretencioz, të Ju jap një këshillë të cilën e kam mësuar gjatë punës time 33-vjeçare si neuropsikiatër, në punë të pandërprerë me njerëz dhe me hallet e tyre. Problemi, sado që të jetë i madh, nëse integrohet në kontekst më të gjerë zhduket ose zvogëlohet duke u bërë i parëndësishëm.

Na ndihmoni në rrugën e integrimit, aty ku e kemi vendin, tek e fundit na e keni borxh, se ne jemi krijesë e Juaj, na pëlqyet tani ose jo, së dështimi ynë, në esencë është dështimi i Juaj.

Me shumë respekt,

Dr. Afrim Blyta

Profesor i Neurologjisë, Psikiatrisë dhe Psikologjise Mjekësore, Fakulteti i Mjekësisë Prishtinë;

Mësimdhënës i Mjekësisë Mendje Trup, Washington DC,

Trajner i Psikoterapisë Pozitive, Wiesbaden

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme