Pas publikimit të letrës së presidentit Gjorgje Ivanov dërguar faktorit ndërkombëtarë, nënkryetarja e BDI-së Teuta Arifi, ka reaguar duke thënë se platforma shqiptare nuk është ajo që përshkruhet në letrën e presidentit të Maqedonisë. Arifi ka thënë se platforma është hartuar në Shkup ndërsa në Tiranë është kryer vetëm akti formal i firmosjes.
Platforma e partive shqiptare nuk është ajo që përshkruhet në letrën e presidentit Ivanov drejtuar komunitetit ndërkombëtar dhe do flet për gjuhën shqipe që e flet një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të këtij vendi, flet për zhvillimin e barabartë të të gjithë qytetarëve dhe për anëtarësimin në Nato dhe BE që është angazhim i kahmotëshëm i këtij vendi. Mendoj se tendenca për ta vendosur këtë platformë si element të provokimit dhe urrejtjes etnike të maqedonasve karshi shqiptarëve sipas meje është një papërgjegjësi serioze politike dhe kushtetuese sepse në këtë mënyrë rrezikohet rendi kushtetues i Maqedonisë – deklaroi Teuta Arifi, nënkryetare e BDI-së.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i LSDM-së, prej ku thanë se përmes kësaj letre, Ivanov po përpiqet të arsyetoj para botës vendimin e tij antikushtetues për të mos ia dorëzuar mandatin Zoran Zaevit, pavarësisht se ai ka siguruar shumicën.
Letra e Ivanovit synon justifikimin e tij. Ne si LSDM bisedojmë për programin e qeverisë së ardhshme programi i së cilës është për Maqedoninë unitare dhe të të gjithë qytetarëve. Gjithçka tjetër është pjesë e justifikimeve në funksion të strukturave të caktuara politike, për mbrojtjen e tyre – deklaroi Oliver Spasovski, LSDM.
Ivanov, sot përmes një letre drejtuar liderëve botërorë kërkoi nga ata që të dënojnë publikisht atë që ai e quan platformë Tiranase pasi sipas tij me të kërcënohet sovraniteti I Maqedonisë.