Lëvizja BESA: Mbështesim çdo nismë për interesat shqiptare, por nuk marrim pjesë në takimin e ftuar nga A. Ahmeti

Duke qenë të përkushtuar për mbrojtjen e interesave shqiptare në Maqedoni, duke e respektuar vullnetin politik të votuesit shqiptar, duke pasur parasysh se këtë takim e fton dikush që përmendet nga Prokuroria Speciale Publike dhe ata që dyshohen për rastin “Magjar Telekom”, si dhe duke mos harruar në asnjë moment se jo më larg se javën e kaluar Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare – si anëtarë të KSHZ-së – edhe një herë i shërbyen VMRO-DPMNE-së, duke ia minusuar një deputet shqiptar koalicionit “Rilindje me BESË” dhe duke ia dhuruar Gruevskit, koalicioni “Rilindje me BESË” ka vendosur ta respektojë vullnetin e votuesve të tij dhe mos të marrë pjesë në takimin që e ka ftuar kryetari i BDI-së nesër (e shtunë, më 24.12.2016) në Shkup.

“Rilindje me BESË” nuk mund t’u përgjigjet atyre që, pasi abuzuan me pushtetin dhe vullnetin e shqiptarëve për 15 vite, duke nëpërkëmbur dhe poshtëruar shqiptarët si kurrë më keq, si dhe duke e forcuar deri në këtë masë figurën antishqiptare të Nikolla Gruevskit, i detyruan shqiptarët të votojnë edhe për parti maqedonase.
Megjithëse qëndrimi jonë është i prerë që mos të ulemi në një nivel me ato subjekte, deklarojmë publikisht se koalicioni “Rilindje me BESË” do t’i mbështesë të gjithë nismat që do të vijnë nga cilatdo subjekte që e mbrojnë dhe avancojnë interesin institucional shqiptar dhe interesin strategjik euro-atlantik të shtetit.