Libri i Kim Mehmetit ndër 10 librat më të mirë shqiptarë në Ballkan

Rrjeti i kritikës letare: 10 librat më të mirë 2017

Me bashkëpunëtorë të kritikës letrare si Diana Çuli, Agim Baçi, Mimoza Ahmeti, Ledia Dushi etj., Mapo letrare në harkun kohor të një viti ka promovuar e prezantuar për lexuesin librin shqip, me autorë të rëndësishëm, dhe letërsi cilësore për të rikthyer vëmendjen, dhe sidomos në receptimin e letërsisë shqipe, për të pasur një gjendje natyrore mes autorëve dhe lexuesit. Pikërisht, mbi këtë tregues është ndërtuar rrjeti i kritikës letrare prej të cilëve kemi marrë disa propozime mbi 10 librat më të mirë për vitin 2017

Me bashkëpunëtorë të kritikës letrare si Agim Baçi, Diana Çuli, Mimoza Ahmeti, Ledia Dushi etj., Mapo libri në harkun kohor të një viti ka promovuar e prezantuar për lexuesin librin shqip e të huaj, me autorë të rëndësishëm e letërsi cilësore për të rikthyer vëmendjen mbi një marrëdhënie natyrore mes autorëve dhe lexuesit. Pikërisht, mbi këtë tregues është ndërtuar edhe rrjeti i kritikës letrare ku çdo vit paraqesin propozimet e tyre mbi 10 librat më të mirë të vitit. Këtë herë kësaj skene iu bashkua Agim Baçi dhe Diana Çuli, duke veçuar 10 librat që sipas tyre meritojnë leximin, botuar përgjatë vitit 2017. “Letërsia shqiptare- ose më saktë, letërsia e shkruar në shqip, pasi tashmë ka shumë autorë shqiptarë që jetojnë nëpër botë dhe shkruajnë shqip- ka nisur të përballet me realitetin e një letërsie të përbotshme. Por, duhet të pranojmë se, nuk ka qenë e lehtë të kalonim nga një roman që shkruhej për t’i pëlqyer sistemit, në një roman që jo vetëm mediton mbi ekzistencën por që ka parasysh edhe lexuesin”, thotë gazetari dhe kritiku Agim Baçi, ndër të vetmit që ndjek prej vitesh, në mënyrë intensive prurjet e reja në letërsi, e me dedikim të veçantë duke ndihmuar lexuesin shqiptar në orientimin e leximeve.Ndërsa, shkrimtarja dhe përkthyesja Diana Çuli, me prezencë letrare përgjatë gjithë vitit, në kontributin për të njohur e shijuar letërsinë brenda e jashtë vendit, thotë se lista e saj është një përzgjedhje personale, me autorë që sipas saj meritojnë një lexim të vëmendshëm. Ndërsa në terrenin tonë letrar është e vështirë të flitet për librat më të mirë, apo autorë më të mirë, edhe pse nuk flitet për çmime që ndahen gjatë një viti, jashtë këtij konteksti vazhdon izolimi, dhe qasja e letërsisë shqipe për botën e huaj. Megjithatë kontributi letrar vazhdon të mbajë gjallë sistemin letrar në vend, me autorë që pas ’90-ës, vazhdojnë intensivisht të krijojnë. Ndërsa mbetet hallka më e vështirë dalja dhe evidentimi i të rinjve, gjë që nuk mungon në shkrimet promovuese të poetes Mimoza Ahmeti, duke sjellë çdo javë profile interesante e dinjitoze të skenës së re letrare.

***

Letërsia, nevoja për debat

Nga Agim Baçi

Letërsia shqiptare- ose më saktë, letërsia e shkruar në shqip, pasi tashmë ka shumë autorë shqiptarë që jetojnë nëpër botë dhe shkruajnë shqip- ka nisur të përballet me realitetin e një letërsie të përbotshme. Por, duhet të pranojmë se, nuk ka qenë e lehtë të kalonim nga një roman që shkruhej për t’i pëlqyer sistemit, në një roman që jo vetëm mediton mbi ekzistencën por që ka parasysh edhe lexuesin. Mjafton të kujtojmë se, nga dhjetëra e dhjetëra shkrimtarë që mbaheshin nga “Lidhja” me para për botimet e tyre, vetëm pak prej atyre arritën të riktheheshin në ritmet e letërsisë e të botonin romane apo libra me poezi. Ndërkohë, 20-30- vjeçarët e viteve ’90, vetëm pas vitit 2000 nisën të kishin botime për të cilat mund të diskutohej për çështje të mirëfillta letrare. Lidhur me debatin mbi letërsinë e sotme shqipe, fatmirësisht ka mediume që i kushtohen autorëve shqiptarë edhe pse askush nuk mund të pretendojë se është debatuar aq sa duhet apo ashtu si duhet, përmes një raporti të mirëfilltë të debatit mbi letraren. Ajo që duhet bërë më shumë është lidhja e një debati në të gjitha hapësirat shqipfolëse, si dhe letërsisë që shkruhet shqip kudo nëpër botë. Hapësira online e debatit është një dritare tjetër që kërkon vëmendje ndaj asaj që thuhet e shkruhet, edhe pse mund të mos e nxjerrë në pah diskutimin e duhur lidhur me vlerat letrare, pasi sot kushdo merr iniciativën të bëjë kritikun apo sugjeruesin e letërsisë.

Nga ana tjetër, fatmirësisht, shkrimtarët hyjnë në kontakt vetë me botues jashtë Shqipërisë, edhe pse një problem thelbësor mbetet çështja e përkthimit në gjuhë të huaj. Në këtë aspekt, edhe për rëndësinë që ka prezantimi i letërsisë shqipe në gjuhë të ndryshme, është me rëndësi që institucionet menaxhuese të librit të jenë sa më orientuese për autorët duke krijuar kontakte dhe mbështetje. E rëndësishme është se tashmë po kalojmë nga letërsia që dikur e injoronte lexuesin, në letërsinë që e sheh lexuesin si një domosdoshmëri në rrugëtimin letrar.

Vepra të rëndësishme për 2017

-“Vepra poetike”, Martin Camajt

Polifoni e zërave njerëzorë dhe dashurie për atdheun…. Poezia e Martin Camajt shket mes akullit dhe zjarrit dhe ndërton folenë në lartësi ndjesish, duke kërkuar që të rrokim dashurinë, dridhjen, trishtimin dhe këngën njëkohësisht. Eshtë zë prej vendlindjes, është zë prej njeriut, është zë prej kohës që kurrë s’ndalet, e që e marrin njeriun përdore duke e shëtitur në viset e admirueshmë të së bukurës dhe mallit. E gjithë poezia e tij është një udhëtim drejt njeriut dhe vendlindjes. Të gjitha stacionet e tjera të përkohësisë janë thjesht për të mbushur atë tren të duhur, që bart shumëçka për të patur së fundmi një grafikë të gjithë shfaqjes së tij letrare, ku ekzistojnë gjithë ngjyrat e duhura për ta pikturuar fytyrën e njeriut që dëshirojmë të njohim

-“Anemona”, Kim Mehmeti (tregime)

Fati, si peshore e jetës, është ai që përcakton krijimtarinë e Kim Mehmetit. Ai ka mundur të ndërtojë rrëfim pas rrëfimi “fshatin e tij poetik”, një fshat magjepsës për gjuhën dhe magjinë reale që ngre, duke dhënë kështu një autoportret letrar me penelata të qarta dhe origjinale. Personazhet dhe gjithçka përreth në lëmin e prozës së Mehmetit është bota që duam ta njohim edhe kur nuk jetojmë aty. Ai nuk u nënshtrohet shablloneve kur përshkruan, por i dorëzohet qëndismës së lëndës së vet rrëfyese. Ndaj proza e tij është e veçantë dhe tërheqëse. Thjesht ajo e rrëmben lexuesin dhe e shpie drejt thellësive joshëse nga shkon imagjinata e tij e bujshme, e cila shtrihet nga fantazmagoria e së vërtetës dhe reales deri te irrealja dhe fantastikja.

-“Ati”, Ardian Kyçyku

A mund ta kuptojmë ndonjëherë përkushtimin e prindërve ndaj fëmijëve? A mund ta përmbledhim me fjalë? Ardian Kyçyku përmes një gjuhe “të shkartisur” të personazheve sjell dhe amullinë e shoqërisë shqiptare me gjithë paragjykimet dhe ndasitë e mëdha sociale e psikologjike. Eshtë një rrëfim që ndërton ngadalë atë fytyrë që s’kemi dashur ta shohim, por që ka vendosur mbi fatin tonë- diktatura ideologjike është kthyer në diktaturën e fatit dhe të njeriut, që më pas nis të kërkojë gjithnjë e më pak nga vetja, gjithnjë e më pak nga shoqëria. “Ati”- rrëfen autori- më ndihmoi të shoh gjëra që dihen e nuk shkruhen dhe anasjelltas. Se shpesh aty ku jeta duket e padurueshme, dendësia e përjetimeve, e pyetjeve pa përgjigje, është një lloj mrekullie.

-“Profeti nga Praga”, Musa Ramadani

Ka autorë që kanë parasysh lexuesin kur shkruajnë. Ka nga ata që lexuesin e projektojnë vetë. Musa Ramadani tenton t’i lidhë së bashku edhe lexuesit e projektuar edhe ata që janë gjithnjë aty, si vazhdues të letërsisë, duke i ftuar që të bashkudhëtojë në një shumësi kuptimesh. Madje, Ramadani, rreshtohet herë në anën e rrëfimtarit e herë në trenin e lexuesve, duke na sjellë një rrëfim ku autori është gjithnjë aty, duke biseduar me secilin nga ne dhe duke na kërkuar ta shoqërojmë. Sepse fjalët e shkrimtarit janë shpesh më afër se ata me të cilët shkëmbejmë përditshmërinë, por jo kuptueshmërinë apo ëndërrimet. Dhe askush më mirë se sa emri i Franz Kafkës nuk arrin të na sjellë pikëpyetje aq të mëdha për njeriun. Musa Ramadani na fton në një lexim jo thjesht për letërsinë e Kafkës që vjen e zgjerohet çdo ditë nga leximet, por edhe për jetën e tij plot dilema për botën, dështime dashurie, rrëzime apo dhe një shëndet të dobët që e përndjek.

-“In Love, Njëqind e Një poezi dashurie”, Preç Zogaj

Poezia e Preç Zogajt është si një ikje nga terri i së rëndomtës dhe një ftesë për shndërrim drejt asaj që duhet të jemi apo që të kemi. Vargjet janë pambarimisht një ftesë për të shkërmoqur dëshpërimin, e për të ndërtuar në vend të tij një kalërim të së bukurës, të ndjenjës që zgjon gjithnjë sy të vëmendshëm për të shquar atë që vlen të mbahet mend, atë që na jep kuptim. Vargjet e Zogajt janë një ftesë për të jetuar. Nuk ka kohë tjetër në vargjet e tij përveç kohës që ke mundur të fusësh brenda teje një shpirt tjetër, që ke mundur të besosh se dashuria është shenja më e fortë se ke qenë vërtet gjallë.

-“Ditar i shkurtër kufijsh”, Gazmend M. Kapllani

Është më vështirë t’i arrish kufijtë apo t’i kapërcesh? Ka kufij të përhershëm apo i vendosim vetë? Janë më të rëndësishëm kufijtë që duken apo ata që nuk duken? Gazmend M. Kapllani, filozof dhe rrëfimtar, ka rrëfyer përmes një historie mes të shkuarës dhe të tashmes një ëndërr dhe një realitet, një absurd dhe një komedi, që vallëzojnë pafundësisht lëkurës së njeriut. “Ditar i shkurtër kufijsh” sjell absurdin e një sistemi pa liri dhe odisenë e pafundme të emigrimit. Ka pranuar fatin që i ka rënë për vendin ku ka lindur dhe “kohën-diktaturë”, por ka tentuar të jetë edhe zoti i fatit të tij, duke tentuar të vendosë për atë që duhet të arrijë. Por që të dyja kanë një kufi- mënyrën se si kërkojmë t’i shohim të shkuarën e të tashmen, se si t’i pranojmë jetët tona, fatet tona, hapat tanë.

-“Një grusht jetë sa me dekë” dhe “Poemat e hueja”, Entela Tabaku

A na duhet një stinë më shumë…, a na duhet një det tjetër…, a krijon furtunë një puthje…, a na mjafton qielli përpara syve…, a mund të dalë dielli nëse nuk shihemi…, a mund të mos jemi atje ku kemi qenë…. Entela Tabaku rindërton me telajo fjalësh një pikturë pyetjesh që nuk mundesh të mos ja mendosh përgjigjet. Nuk janë larg nesh, por brenda nesh shumica e atyre që kemi nevojë t’i dimë. Vijnë si një det e sjellin aty gjithçka. Por të njëjtat valë shpesh edhe i rrëmbejnë ato që sjellin e i kthejnë brenda nesh, në kujtime. “sot i nxora barkat në ranë/ si andrra të mbërrime” shkruan Tabaku duke na ulur në një breg nga ku na mbetet veçse të kundrojmë atë që ajo hap pas hapi na e shfaq aq lirisht. Nuk lodhet të shkojë larg. I ka gjërat aty. Dhe kur janë kujtime, edhe kur janë ëndrra, Tabaku i gërsheton, si një floknajë e përbashkët. Dy librat e Tabakut janë një himn ndaj gjërave që duhet t’i shohim, duke i kaluar përmes lëkurës sonë..

-“Lulet e skajbotës”, Namik Dokle

Pas romanit befasues “Vajzat e mjegullës”, Dokle vazhdoi rrëfimin e tij në një prozë ku lodrojnë bashkë jeta dhe vdekja, e ku njeriut i duhet të masë hapat për të arritur në vendin e caktuar, sepse koha nuk shkon askund njëlloj. Eshtë një prozë ku “vdekjen mund ta marrin të tjerë”, ndërkohë që për njeriun mjafton të kuptojë se dashuria ka përballë urrejtjen, siç ka dhimbja gëzimin. Dokle duket sikur shkruan për një botë që “ka mbetur diku, në një kohë tjetër” pa mohuar kurrë se dhimbja dhe gëzimi, krenaria dhe përçmimi, e shkuara dhe e tashmja jetojnë ngjitur, ashtu si qielli, toka dhe nëntoka. Kjo botë që njohim, por edhe një botë tjetër atje, në skajin ku njerëzit përveç ajrit frymëmarrin ende mite dhe legjenda

-“Pëshpërimë gruaje”, Klara Buda

Një shoqëri që nuk është e gatshme të presë ardhjen e një fëmije në jetë ajo ka vulosur vdekjen e saj, edhe pse nuk e di. Klara Buda ka mundur ta sjellë si një pëshpërimë gruaje atë që arriti të mbijetonte në një shoqëri ku gjithkush ishte i rrethuar, edhe pse mendonte se kishte një hapësirë për të lëvizur. Duke vënë në betejë dashurinë me fytyrën e vdekjes pikërisht në jetën studentore, Buda ka mundur të ndërtojë filozofinë e kohës, që prodhonte njerëz pa identitet, të cilët duhej të çliroheshin edhe nga dashuria, si e vetmja ndjesi që e rrezikonte fytyrën e diktaturës. Ashtu siç e ka theksuar edhe filozofja Hanah Arendt, teksa shkruante në librin e saj “Gjendja njerëzore” se, “Dashuria, nga natyra e saj, është hyjnore dhe pikërisht për këtë është jo vetëm apolitike por edhe antipolitike, ndoshta me e fuqishmja e të gjitha forcave antipolitike njerëzore“.

2017, autorë në fokus

Për vitin që po mbyllet ka edhe autorë që përmes librave apo botimeve të ndryshme kanë bërë të mundur ngritjen e një debati lidhur me atë që po botohet në Shqipëri, apo që lëvrohet nga shqiptarët jashtë Shqipërie. Thanas Medi, Grigor Banushi, Alban Bala, Artan Gjyzel Hasani, Ramiz Gjini, Lindita Arapi, Skënder Rusi, Loer Kume, Anita ZelaVarosi, Rezart Palluqi, Gëzim Aliu, Adil Olluri, Xhelal Ademi, Salajdin Salihu, Ndriçim Ademaj, apo të rinj si Liridon Mulaj e Saimir Muzhaka, apo edhe emra të tjerë që përmes postimeve apo botimeve të tyre u janë imponuar lexuesve, kanë sjellë romane apo vëllime poetike që vlen të jenë pjesë e debatit.

Propozimet letrare: Diana Çuli

John Fowles – roman, Gruaja e togerit.
Alki Zei – roman, Konstandina.
Henri Cili- studim, ese, Vonesa shqiptare.
Virgjil Muçi – roman, Historia e parrëfyer e mustaqeve te zotit president.
Idlir Azizaj – tregime, Shekspiriotet.
Alfred Peza – roman Sarah.
Robert Wilton – roman, Merimanga e Sarajeves.
Lucia Nadin – studim, Statutet e Shkodres.
Gianrico Carofiglio – roman, Rregulli i ekuilibrit.
Jean Sasson – roman, Jasmina.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme