Limaj: Bisedimet me Serbinë mund ta ndajnë Kosovën

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka bërë me dije se shteti ynë nuk ka me çfarë të krenohet për vitin 2016. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se koalicioni qeverisës PDK – LDK ka dështuar në të gjitha fushat.

“Fatkeqësisht, Kosova nuk ka me çfarë të krenohet me përmbylljen e këtij viti. Gjatë këtij viti kjo qeveri e ka futur Kosovën në një barrë të madhe. Do të kisha shumë dëshirë t’i rendisja ndonjë nga sukseset që kanë ndodhur gjatë 2016-s, të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por nuk ka suksese të tilla”, ka deklaruar Limaj, duke shtuar se ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe fushat e tjera janë më keq se më parë.

Ndërsa sa i përket pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ai ka thënë se drejtuesit e këtij koalicioni qeverisës me veprime aventureske, shtetit tonë, e kanë ngarkuar me obligime të pamerituara dhe të panevojshme, të cilat, sipas Limajt, do të na kushtojnë shumë në të ardhmen. Kurse duke folur për rolin e opozitës, ai ka thënë se në këtë vit partitë opozitare, në vend se të merren me ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe fushat e tjera, janë detyruar të merren me parandalimin e implementimit të marrëveshjeve të cilat janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, siç ka qenë ajo për asociacionin dhe demarkacionin. “Opozita ka pasur një hapësirë shumë të ngushtë të veprimit. Opozita është ndodhur para një akti të kryer sepse në çaste të caktuara është ballafaquar me marrëveshje të fshehta dhe në kundërshtim me interesat e Kosovës. Pra, është detyruar të merret me ato marrëveshje, me qëllim që t’ia bëjë të qartë opinionit publik, se çfarë përmbajnë ato marrëveshje, gjithashtu për t’ia bërë të qartë opinionit publik, se nuk janë në interes të shtetit marrëveshjet e nënshkruara”, është shprehur Limaj.

Megjithatë, ai ka thënë se 2016-shi ka qenë i suksesshëm për Nismën për Kosovën dhe, sipas Limajt, e ardhmja e kësaj partie është e fuqishme. “Mendoj se zgjedhjet në Drenas dhe rezultatet e sondazheve tregojnë më së miri se Nisma për Kosovën është rritur më shumë se çdo parti tjetër. Sipas sondazheve të fundit, Nisma është dyfishuar dhe kjo tregon se e ardhmja e Nismës do të jetë e fuqishme dhe Nisma do të jetë një nga faktorët kryesor në skenën politike të Kosovës në vitin 2017”, ka vlerësuar ai.

Limaj ka deklaruar se në përgjithësi 2017-shi do të jetë viti i ndryshimeve të mëdha në politikë. Sipas tij, ky vit do të jetë i vështirë si dhe do të sjellë sfida të mëdha për Republikën e Kosovës. “Do të ballafaqohemi me probleme të mëdha. Problemi kryesor është raporti në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht çështja e pjesës veriore të Kosovës. Nëse vazhdohet me këtë koalicion qeverisës të papërgjegjshëm, Kosova po përgatitet edhe formalisht të ndahet. Kjo do të jetë sfida kryesore”, ka theksuar Limaj.

Z. Limaj, si po e përmbyll shteti i Kosovës këtë vit? Ku mendoni se ka pasur progres e ku ngecje?

Limaj: Fatkeqësisht, Kosova nuk ka me çfarë të krenohet me përmbylljen e këtij viti. Gjatë këtij viti kjo qeveri e ka futur Kosovën në një barrë të madhe. Do të kisha shumë dëshirë t’i rendisja ndonjë nga sukseset që kanë ndodhur gjatë 2016-s, e të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve por, fatkeqësisht, nuk ka suksese të tilla. Nëse e shikojmë gjendjen ekonomike 2015-2016. sipas ekspertëve të Nismës për Kosovën, është zvogëluar numri i të punësuarve, pra janë minus 25 mijë vende të punës. Pastaj gjendja në shëndetësi është shumë më e keqe sesa që ka qenë, qytetarët vazhdojnë të kenë probleme në shërbimet shëndetësore. Mijëra qytetarë detyrohen të largohen nga Kosova për të kërkuar shërbime shëndetësore në vende të ndryshme, duke shpenzuar edhe shuma të mëdha parash. Po ashtu, nëse e shikojmë gjendjen në fushën e arsimit, besoj se mjaftueshëm flet rezultati i PISA-s. Prandaj, mendoj se koalicioni qeverisës PDK – LDK ka dështuar në të gjitha fushat. Ky koalicion ka dështuar në planin e qeverisjes së brendshme. Ndërsa sa i përket pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, drejtuesit e këtij koalicioni qeverisës me veprime aventureske ia kanë vënë një barrë të madhe shtetit tonë, duke e ngarkuar me obligime të pamerituara dhe të panevojshme, të cilat do të na kushtojnë shumë edhe në të ardhmen.

2016-shi filloi dhe po mbaron me përpjekjet për zgjidhjen e problemit të demarkacionit me Malin e Zi. Ka qenë i nevojshëm shpenzimi i gjithë kësaj kohe dhe energjie në këtë çështje?

Limaj: Nuk ka qenë e nevojshme. Po të kishim një qeveri ndryshe, një qeveri të arsyeshme, një qeveri që reflekton, një qeveri transparente dhe serioze, kurrë nuk do të ishte temë diskutimi çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Diskutimi i kësaj çështje ka ardhur si rezultat i dështimit të politikave të qeverisë aktuale, e cila udhëhiqet nga një politikë arrogante, jotransparente dhe e cila nuk pranon mendimin ndryshe dhe argumentet ndryshe. Për këto shkaqe kemi ardhur në këtë gjendje. Pra, është bërë temë e panevojshme demarkacioni. Ju siguroj se po të kishim një qeveri tjetër, nuk do të ishte temë më kjo çështje.

A mendoni se opozita në përgjithësi e ka luajtur rolin që i takon gjatë këtyre 12 muajve?

Limaj: Opozita ka pasur një hapësirë shumë të ngushtë të veprimit. Opozita është ndodhur para një akti të kryer sepse në çaste të caktuara është ballafaquar me marrëveshje të fshehta dhe në kundërshtim me interesat e Kosovës. Pra, është detyruar të merret me ato marrëveshje, që t’ia bëjë të qartë opinionit publik, se çfarë përmbajnë ato marrëveshje, gjithashtu për t’ia bërë të qartë opinionit publik, se nuk janë në interes të shtetit marrëveshjet e nënshkruara. Praktikisht opozita në këtë vit, në vend se të merret me çështjet e brendshme të qeverisjes siç janë ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe fushat e tjera, është detyruar të shpenzojë energji në parandalimin e implementimit të marrëveshjeve të cilat janë tërësisht në kundërshtim me interesat e Kosovës, siç ka qenë marrëveshja për asociacionin dhe ajo për demarkacionin. ‘Mbirja’ e murit në Mitrovicë tregon më së miri se sa të dëmshme kanë qenë bisedimet me Serbinë dhe sa jotransparente kanë qenë marrëveshjet e arritura, të cilat në shekullin XXI kanë sjellë ndërtimin e murit në veri, i cili simbolizon ndarjen e Kosovës.

Si ishte ky vit për Nismën për Kosovën? Rezultati i arritur në zgjedhjet në Drenas, a është frymëzim për të vazhduar më tutje?

Limaj: Nisma për Kosovën po e përmbyll këtë vit duke kaluar nga një iniciativë qytetare në një parti politike të mirëfilltë dhe me orientim socialdemokrat. Para disa muajve kemi bërë këtë transformim, kemi zgjedhur organet qendrore e lokale, si dhe kemi zhvilluar zgjedhje në të gjitha qytetet e Kosovës. Dhe, përfundimisht, kemi përmbyll ciklin e konsolidimit tonë partiak. Duke iu falënderuar kësaj pune dhe këtij transformimi kanë ardhur edhe rezultatet pozitive, siç ishin edhe zgjedhjet në Drenas. Pa dyshim se zgjedhjet në Drenas tregojnë se Nisma për Kosovën po shtrihet dhe po fuqizohet, si dhe është një prej subjekteve më serioze në vend, e cila dinë të bëjë befasi. Koncepti ynë socialdemokrat po përqafohet çdo ditë nga qytetarët sepse qytetarët po bashkohen rreth këtij koncepti të ndryshimit. Mendoj se zgjedhjet në Drenas dhe rezultatet e sondazheve tregojnë më së miri se Nisma për Kosovën është rritur më shumë se çdo parti tjetër. Sipas sondazheve të fundit, Nisma është dyfishuar dhe kjo tregon se e ardhmja e Nismës do të jetë e fuqishme dhe Nisma do të jetë një nga faktorët kryesorë në skenën politike të Kosovës në vitin 2017.

Z. Limaj, në vjeshtën e vitit 2017 do të mbahen zgjedhjet lokale në nivel vendi. Prisni që koalicioni parazgjedhor AAK – Nisma të jetë befasia e këtij procesi zgjedhor?

Limaj: Nuk kam dilemë se 2017-shi do të jetë viti i ndryshimeve të mëdha në niveli qendror dhe në nivelin lokal. Ka një pakënaqësi të madhe të qytetarëve të Kosovës, qytetarët e kanë kuptuar se emrat e partive nuk ua zgjidhin atyre problemet, por është vizioni, koncepti dhe njerëzit që i udhëheqin ato parti. Jam i bindur se 2017-a do të jetë viti i ndryshimeve të mëdha në politikë. Dhe në këtë ndryshim të madh, Nisma për Kosovën do të jetë subjekti politik që do të befasojë në shumë komuna të Kosovës.

Çfarë prisni nga 2017-shi? Cilat do të jenë sfidat kryesore për Republikën e Kosovës?

Limaj: 2017-shi do të sjellë sfida të mëdha për Republikën e Kosovës. Do të jetë vit sfidues dhe i vështirë. Duke pasur parasysh se në çfarë aventurash dhe obligimesh e ka futur Kosovën ky koalicion qeverisës, ne do të ballafaqohemi me probleme të mëdha. Problemi kryesor është raporti në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht është çështja e pjesës veriore të Kosovës. Nëse vazhdohet me këtë koalicion qeverisës të papërgjegjshëm, Kosova po përgatitet edhe formalisht të ndahet. Kjo do të jetë sfida kryesore. Prandaj duhet një angazhim i madh që sa më shpejt ta largojmë këtë koalicion qeverisës sepse këta njerëz jo që nuk mund të bëjnë asgjë të mirë për Kosovën, por qëndrimi i tyre i mëtutjeshëm paraqet rrezik për të ardhmen e vendit tonë. Gjithashtu, do të ballafaqohemi edhe me probleme ekonomike e sociale. Sfidat e 2017-s mund të përballohen vetëm nëse kemi një energji pozitive dhe të bashkuar për tema nacionale. Vetëm me një frymë të re dhe me energji të re, mund t’i përballojmë këto sfida. Por, nëse vazhdohet me këtë mentalitet, mendoj se gjërat vetëm do të përkeqësohen. Me këtë rast dëshiroj t’i uroj qytetarët e Kosovës që të kenë shëndet dhe realizim të dëshirave për vitin 2017.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme