MCCAIN: USHTRIA TË BËHET ME NDRYSHIME KUSHTETUESE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta lënë vetëm Kosovën dhe Uashingtoni mbetet i përkushtuar ta ndihmojë atë, ka deklaruar të enjten në Prishtinë, senatori John McCain.

Këto komente, McCain i ka bërë në një fjalim para Kuvendit të Kosovës, i cili është mbledhur në një seancë solemne, pikërisht për senatorin republikan.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për paqe e stabilitet në gjithë Evropën, e në këtë kuadër edhe në rajonin e Ballkanit.

Sa i përket Kosovës, McCain ka lavdëruar angazhimin e institucioneve të Kosovës për luftimin e terrorizimit.

“Kosova është aleate në luftimin e terrorizmit dhe duke treguar kontributin e saj, dëshmon se mund të jetë anëtare e familjes së shteteve në luftimin e kësaj dukurie”, ka theksuar McCain.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me Kosovën në angazhimin e saj për t’i përmbushur standardet që e drejtojnë atë në Bashkimin Evropian dhe strukturat tjera ndërkombëtare, ka theksuar ai.

McCain u ka bërë thirrje edhe deputetëve të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që vendi të sigurojë heqjen e vizave për qytetarët e saj.

Në vijim, McCain tha se Kosova është shtet sovran dhe se përpjekjet për krijimin e ushtrisë janë legjitime, por sugjeroi që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Ai tha se Kosova duhet të ndërtojë raporte politike me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aletarët, kështu që ky transformim duhet të jetë i koordinuar dhe gjithëpërfshirës.

“Është shumë me rëndësi që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës të bëhet përmes amendamenteve kushtetuese”, ka thënë Mccain.

McCain ka inkurajuar Prishtinën zyrtare që ta vazhdojë dialogun me Serbinë deri në normalizimin e raporteve. Ai tha se ky proces nuk është aspak i lehtë, por Kosova, si tha ai, duhet t’i tregojë botës se është në gjendje që të falë dhe se në këtë rrugë, ajo nuk është vetëm.

“Le të jetë Kosova ajo që do t’i tregojë botës së pajtimi është i mundshëm. Dhe, përderisa Kosova të ecë në këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë, Kosova nuk do të jetë vetëm. Amerika është me ju”, ka thënë senatori amerikan.

Ai ka porositur institucionet, që të vazhdojnë dhe me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, shkruan REL.

Kurse në aspektin ekonomik, ka sugjeruar vazhdimin e reformave ekonomike, ndërtimin e “Termocentralit Kosova “C” si dhe vazhdimin e ndërtimit të infrastrukturës rrugore.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme