Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot do të takohet me presidentin e Francës Emanuel Macron dhe kancelarin gjermane Angela Merkel, në kuadër të takimeve të hapura në Konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që organizohet nga Franca dhe Gjermania.
Por siç është paralajmëruar në agjendë takimi Merkel dhe Zaev do të zhvillohet para fillimit të samitit.
Sipas njoftimit të Kancelarisë gjermane, sot kancelarja Merkel fillimisht do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për një bisedë.
“Kjo do të shoqërohet me një bisedë me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Më pas, kancelarja do të zhvillojë një bisedë dypalëshe me presidentin francez, shoqëruar edhe me një deklaratë të përbashkët”.
Siç dihet, përpos Holandës dhe Danimarkës, Franca është një ndër vendet që vlerëson se Bashkimi Evropian nuk duhet të zgjerohet me çdo kusht.
Sipas agjendës të qeverisë gjermane, në konferencë do të merr pjesë edhe Federika Mogerini, përfaqësuesja e lartë për politik të jashtme të BE-së.