Meta në Greqi flet hapur për çështjen çame

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Athinë, i është përgjigjur pyetjeve të mediave vendase lidhur me situatën në marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e hapura dhe ato që ai i quan çështje të së kaluarës, por që kërkojnë zgjidhje.

Gjatë një intervistë në numrin e së dielës në gazetën më të madhe të vendit “Kathimerini”, pa ngurruar dhe i drejtpërdrejtë, Ilir Meta ka folur për çështjen çame, ligjin e luftës, varrezat e ushtarëve grekë, por edhe për projektet madhore rajonale, interesat e përbashkëta dhe të ardhmen e dy vendeve tona.

I bindur se tashmë ka ardhur koha që të dy palët të avancojnë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, për t’i kaluar ato, në atë që Ilir Meta e quajti marrëdhënie vëllazërore mes dy vendeve.

Meta thekson se asgjë nuk duhet lënë jashtë bisedimeve, por në dëshirën e mirë dhe gjatë dialogut të dy vendet duhet të gjejnë zgjidhje për çdo problem, çdo çështje të vjetër ose të re, me ngarkesë politike ose emocionale, si për çështjet e bashkëpunimit rajonal, edhe për ato që, sipas Metës, krijojnë dhembje në dy anët e kufirit, siç e quajti ai Çështjen Çame.

I pyetur nëse ai beson se mund të avancojë dialogu në një klimë deklaratash të ndërsjella, Ilir Meta i është përgjigjur se në bisedimet e tij në Athinë, të dy palët pranojnë se marrëdhëniet tona janë strategjike, praktike dhe jetike.

“Dëshira pozitive dhe dinamika e axhendës dypalëshe prevalojnë në marrëdhëniet tona. Siç diskutova edhe me zotin Tsipras, trashëguam prej së kaluarës disa plagë, të cilat duhet t’i përballojmë me kujdes dhe besim. Ndaj, duhet që në të dyja anët e kufirit të izolojmë qëndrimet që tentojnë t’i hedhin benzinë zjarrit, duke përdorur histori të vjetra për përfitime elektorale. Besoj se dëshira ekziston, si në Tiranë, ashtu edhe në Athinë, për t’i dhënë zgjidhje çdo çështjeje që mbetet pa zgjidhur, nëpërmjet një dialogu të hapur dhe të sinqertë, besimit të ndërsjellë dhe afrimit gradual, siç bëjnë kombet europiane. Pas takimeve të mia në Athinë, kam vënë re dëshirën e sinqertë që të avancojmë duke gjetur zgjidhje të pranueshme nga palët për çështjet e së kaluarës. Kjo u duk edhe në takimet e mia me përfaqësitë e partive të opozitës. Patëm dakordësi për një klimë besimi mes dy vendeve, drejt bashkëpunimit greko-shqiptar”, tha Meta, transmeton Tch.

I pyetur nëse Shqipëria ndjehet në ndonjë mënyrë e kërcënuar prej Greqisë, Meta iu përgjigj se në asnjë mënyrë nuk ka ndjerë ndonjë kërcënim prej fqinjit të saj jugor.

“Përkundrazi, ndjej se Greqia është një partner dhe fqinj i mirë. Mbështetemi tek Greqia dhe ndjejmë se Greqia është mbështetësja më e mirë e Shqipërisë në rrugën tonë europiane. Ju jemi mirënjohës si nga qeveria, ashtu edhe prej Parlamentit, për ndihmën e dhënë në këtë drejtim. Pikërisht për këtë kam përsëritur në të gjitha takimet e mia në Athinë se “gjendja e luftës” mes dy vendeve tona nuk ka asnjë kuptim mes dy aleatëve miqësorë, anëtarë të NATO-s”, theksoi Meta.

I pyetur se përse ende nuk ka asnjë avancim në kërkesat e palës greke, si për varrezat e ushtarëve grekë të rënë në luftë, por edhe në marrëveshjen e demilitimit të shelfit ndërkombëtar, Meta i është përgjigjur se këto çështje duhet të jenë pjesë e një pakete të përbashkët, në të cilën do të jenë vendosur të gjitha temat ende të hapura mes dy vendeve, si dhe shqetësimet dhe fobitë që i shoqërojnë ato, mes dy palëve.

“Të dy palët duhet të dëgjojnë, të vlerësojnë, të dialogojnë në mënyrë profesionale dhe mirëbesimi të ndërsjellë. Parlamenti ynë do të mbështesë një avancim real përmes këtij mekanizmi. Për varrezat greke, di se ekziston komisioni dypalësh, sikurse edhe për librat e historisë. Parlamentet respektive kanë rënë dakord për të mbështetur dhe avancuar punën e këtyre komisioneve”, deklaroi Meta.

Pyetjes se cilat janë temat e hapura mes Greqisë dhe Shqipërisë, Meta iu përgjigj: “Si fqinj të mirë, është e natyrshme që të kemi disa çështje të hapura. Fqinjët janë si kushërinj të parë, ndajnë të njëjtin gjak, të njëjtën hapësirë, por meqenëse duhet të ndajnë të njëjtën hapësirë vitale, duhet të zgjidhin edhe disa çështje praktike, si dhe të koordinohen edhe më mirë me njëri-tjetrin. Si dy shtete ballkanike, trashëguam disa çështje që lidhen me të kaluarën. Pikë së pari, është, sipas mendimit tim, ligji i luftës, ende në fuqi me Shqipërinë. Ky ligj i padrejtë, ende nuk është aborguar nëpërmjet një veprimi ligjor, çka do të konfirmonte klimën pozitive mes dy vendeve. Nuk mund të ekzistojë “gjendja e luftës” mes dy fqinjëve të mirë, aleate të NATO-s. Për të thënë të vërtetën, ky është një paradoks! Së dyti, unë besoj se duhet të përballemi me të kaluarën, edhe pse ajo hap plagë të vjetra, duhet t’i bëjmë ballë me besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Nuk ka asgjë që nuk mund të diskutojmë si fqinj që jemi. Të përballemi me historinë siç kanë bërë kombet e tjera europiane, të përgatisim bazamentet për gjetjen e zgjidhjeve për çështjet që kanë të bëjnë me varrezat e të rënëve grekë në tokën shqiptare, për librat e historisë, të përcaktimit të shelfit ndërkombëtar dhe vijës bregdetare dhe natyrisht çështjen çame, për të cilën kemi qasje dhe qëndrime të ndryshme. Të gjitha këto janë çështje të trashëguara, që krijojnë dhembje në të dyja anët e kufirit”.

“Ne, si parlament shqiptar, do të mbështesim këmbimet e sinqerta dhe mirëbesuese mes dy qeverive, për të gjendur zgjidhje që kënaqin të dy palët, duke anashkaluar etnicizmat dhe qëndrimet emocionale. Interesat tona strategjike të së ardhmes duhet të prevalojnë mbi çështjet e trashëguara dhe e vetmja rrugë për t’i zgjidhur ato është dialogu dhe jo manovrat oportuniste”, theksoi Meta.

Përsa i përket çështjes së pronave të minoritetit grek që jeton në Shqipëri, Meta thotë se çdo aludim se ndaj anëtarëve të minoritetit grek që jeton në Shqipëri ekzistojnë shkelje të të drejtave të njeriut ose të së drejtës së pronës, janë spekulime.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme