Ministri Bushati vizitë zyrtare në Iran

Gjatë takimit me Presidentin Rouhani u ra dakord mbi nevojën e rritjes së bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha me interes të përbashkët.

Me ftesë të homologut iranian Mohammad Javad Zarif, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Iran. Në një njoftim zyrtar nga MPJ e Shqipërisë thuhet se gjatë vizitës së tij dyditore, ministri Bushati zhvilloi takime me Presidentin e Iranit, Hassan Rouhani, homologun e tij Zarif, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në njoftim theksohet se gjatë takimit me Presidentin Rouhani u ra dakord mbi nevojën e rritjes së bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha me interes të përbashkët.

“Gjatë takimit mes dy ministrave të jashtëm, palët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për konsultimet diplomatike. Duke vlerësuar hapat për rigjallërimin e marrëdhënieve dypalëshe, dy ministrat ranë dakord mbi nevojën për të forcuar kuadrin ligjor të bashkëpunimit, në mënyrë të veçantë në fushën e shkëmbimeve tregtare, turizmit dhe kulturës. Në këtë kontekst, bashkëpunimi parlamentar u konsiderua si element i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme.

Ministrat shkëmbyen pikëpamje dhe qëndrime rreth zhvillimeve ndërkombëtare, veçanërisht situatën në Lindjen e Mesme, luftën ndaj terrorizmit dhe nevojën për përpjekje të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare për t’u përballur me këto sfida.

Sipas njoftimit, në të gjitha takimet ministri Bushati parashtroi kërkesën ndaj qeverisë së Iranit për njohjen e Kosovës, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm për forcimin e stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme