MPB: Masa për rastin e dhunës në Aerodrom

Gazetare: Melihate Rustemi

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se dy të mitura janë marrë në pyetje në prani të prindërve të tyre, pasi dyshohen për përfshirje në një rast dhune ndaj një vajze 12 vjeçare në një park në komunën e Aerodromit në Shkup. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, më 1 korrik, rreth orës 19:30, një grua 31-vjeçare denoncoi se vajza e saj ishte sulmuar fizikisht një natë më parë. Sipas denoncimit, fillimisht një 14-vjeçare, e shoqëruar nga një tjetër e mitur, e kishte detyruar vajzën 12-vjeçare që në dy raste të gjunjëzohej dhe të kërkonte falje. Më pas, teksa po largohej nga vendi i ngjarjes, ajo u sulmua fizikisht nga një tjetër e mitur. Ngjarja u filmua me celular nga disa të mitur që ndodheshin në vendin e ngjarjes, të cilët madje motivonin edhe më shumë dhunën. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, thotë se janë ndërmarrë të gjitha masat në kompetencën e tyre. Sipas Toshkovskit, në koordinim me Prokurorinë Publike, do të ngrihen kallëzime ndaj personave që plotësojnë kushtet ligjore për përgjegjësi penale, si dhe ndaj prindërve të tyre.

“Ministria e Punëve të Brendshme, për këtë rast si edhe për të gjitha rastet e tjera, ka ndërmarrë të gjitha veprimet që janë në kompetencën e saj. Fillimisht është zhvilluar bisedë me viktimën dhe prindin e saj. Më pas janë thirrur të gjithë personat e përfshirë në rast, si ata që kanë ushtruar drejtpërdrejt dhunë ndaj viktimës, ashtu edhe ata që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, si dhe ata që e kanë dokumentuar, përkatësisht e kanë incizuar ngjarjen. Këta fëmijë janë thirrur së bashku me prindërit e tyre. Është njoftuar prokurori publik, ndërsa një mjek kompetent ka kryer ekzaminimet shëndetësore të viktimës. Gjatë ditës së sotme, në konsultim me prokurorin publik kompetent, për një pjesë të personave që kanë qenë të pranishëm në ngjarje do të ngrihen kallëzime penale ndaj atyre që plotësojnë kushtet ligjore për këtë, por edhe ndaj prindërve të tyre”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Pas përfundimit të hetimeve, ndaj personave përgjegjës do të parashtrohen kallëzime penale për veprën “Dhunë” sipas nenit 386 dhe “Neglizhimi dhe keqtrajtimi i një të mituri” sipas nenit 201 të Kodit Penal./Alsat.mk.

The post MPB: Masa për rastin e dhunës në Aerodrom appeared first on Alsat.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme