Muri, jashtë agjendës së dialogut

Bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të ndërpriten deri në heqjen e murit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Kështu kanë vlerësuar analistët kosovarë, të cilët kanë thënë se Prishtina duhet t’ua bëjë të qartë Brukselit dhe Beogradit se për murin nuk do të bisedohet me askënd. Madje disa prej tyre kanë hedhur idenë që vetë serbët e Kosovës ta heqin murin atje. “Prishtina duhet t’ua japë një afat kohor serbëve kosovarë që ta rrënojnë vetë murin, përndryshe duhet të intervenojë me mjete ligjore për heqjen e tij”, ka thënë publicisti Halil Matoshi.

Në anën tjetër, në Lëvizjen “Vetëvendosje” thonë se me këto bisedime deri më tani nuk është arritur asgjë, përveçse është minuar e ardhmja e Kosovës. Sipas tyre, kjo është një tjetër dëshmi se këto bisedime duhet të ndërpriten sa më parë.

“Ne jemi dëshmitarë që dialogu pa kushte i Kosovës me Serbinë vetëm sa e ka kushtëzuar dhe minuar të ardhmen e shtetit të Kosovës. Ky mur është dëshmi që këto negociata duhet të ndërpriten”, ka thënë Teuta Rrusta, koordinatore për qendra në Lëvizjen “Vetëvendosje”.