Mustafa: Mariqin e durova gjatë, po të ishte shqiptar do ta shkarkoja moti

Kryeministri Isa Mustafa ka dhënë për herë të parë arsyet e shkarkimit të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq.

Kreu i Qeverisë ka thënë për Ekonomia Online se Mariqi në vazhdimësi ka bërë deklarata në kundërshtim me të qenit e tij anëtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Po e them sot publikisht se po të ishte ai një ministër shqiptar qysh moti s’do të ishte ministër”, tha Mustafa.“Por meqenëse jemi në një situatë ku po kemi vullnet dhe po jemi më gjenerozë sa i përket hapësirës për integrimin e komunitetit serb, duke pasur parasysh edhe rrethanat në të cilat ndodhemi, jam munduar që të bisedoj disa herë me të dhe t’i bëj vërejtje që duhet të respektojë ligjin dhe Kushtetutën”, ka shtuar kryeministri i vendit.

“Mendoj që për një kohë të gjatë, ministri Mariq edhe ka vepruar, edhe ka dhënë deklarata të cilat kanë qenë në kundërshtim me të qenit e tij anëtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës… I kemi thënë që çdo gjë mund ta thotë në mbledhjen e Qeverisë, si anëtar i saj, por që s’mundet të punojë këtu e të shkojë në Beograd të japë deklarata që janë kundër subjektivitetit edhe shtetëror dhe juridik të vendit”, ka thënë Mustafa, i pyetur nga Ekonomia Online rreth shkarkimit të Mariqit, më herët gjatë këtij muaji.

Kryeministri shtoi se i vjen mirë që edhe Lista Serbe ka konstatuar se Mariqi nuk po e bënte punën si ministër. “Ata janë të interesuar që ministrat e tyre të punojnë në mënyrë që të përfitojë komuniteti serb.

Është bërë një zgjidhje e mirë me ministren e re Mirjana Jevtiq”.Por, Mustafa paralajmëron edhe deputetët e Listës Serbe të cilët po kundërshtojnë institucionet e vendit se nuk do t’i durojnë gjatë.“Askush nuk ka të drejtë të marrë pagë nga shteti i Kosovës dhe të mos e bëjë punën për atë pagë”.Shefi i Qeverisë së Kosovës i ka quajtur të papranueshme edhe deklaratat që vijnë nga zyrtarë të Beogradit, të cilët e thonë hapur se ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës i përgjigjen Beogradit dhe kryeministrit Aleksandër Vuçiq.

“Ka pasur deklarata edhe nga zyrtarët në Beograd e të cilat janë totalisht të papranueshme dhe për të cilat Bashkimi Evropian duhet të ulet dhe konstatojë sesi mundet që një (Marko) Gjuriq, si përfaqësues i Serbisë, të thotë se ata mund të na përgjigjen neve”.

“Ata duhet ta dinë që janë përfaqësues të Kosovës dhe nuk janë përfaqësues të politikave të Beogradit. Me këtë ata po dëshirojnë destabilizim dhe t’i mbajnë peng njerëzit. Këtë nuk do ta lejojmë”, ka përfunduar Isa Mustafa.

Lubomir Mariq, i cili u shkarkua nga pozita e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, tha sot në Beograd se nuk ka marrë asnjë shpjegim në lidhje me shkarkimin e tij.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme