Muzeu i krenarisë

Fotografitë, fjalët e shkruara dhe gjësendet personale të dëshmorëve të kombit i presin vizitorët që ngjiten shkallëve të drunjta që çojnë në katin e dytë të ndërtesës shekullore. “Më kanë qortuar disa herë shokët në front dhe më kanë thënë të mos gjuaj në këmbë, por si të shtrihesha kur me sytë e mi shihja vdekjen e armikut”, thoshte dëshmori i parë i Komunës së Shtimes, Ruzhdi Salihu, nga Zborci, rënë më 26 korrik 1998.

“Më patën pyetur disa: A frigohesh se do të vdesësh në luftë?. Unë iu thashë: Frigohem se nuk do të vdes. Atyre u erdhi çudi”, është fjalia nën fotografinë e Skender Salihajt – “Mensuri”, dëshmori nga Mollopolci që ishte pjesë e njësitit special në Rancë. Pranë fotografisë ka thikën.

Thënia “Të fortë si guri”, e vuloste atdhedashurinë e Xhemshir Xhemshirit. Para portretit me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka briskun e orën.

“Janë si citate të tyre, me të cilat gjatë komunikimit ndërmjet vete, kanë lënë shenjë, kanë qenë tingëlluese për ta dhe janë ruajtur”, thotë Arben Deliu për trashëgimi në Komunën e Shtimes, por që në mungesë të koleges në pushim vjetor, bën ciceronin në Muzeun Historik të rreth së cilës lidhen fshatrat e rrafshit dhe bjeshkës.

“Kush nuk derdh një pikë gjaku për tokë të veten, kush nuk jep asnjë qindarkë për të, ai s’ka të drejtë as të varroset në të”, lexojnë filloristët Besir Mehmeti, Edison Deliu e Aris Salihaj fjalët e një tjetër dëshmori, derisa shikojnë gjërat personale dhe biografitë e shkurtra të të rënëve në luftën e fundit.

“Kjo është palltoja e policisë ushtarake të UÇK-së. Ka qenë e axhës Basri”, i tregon Deliu Besirit. “Ka qenë ndër ushtarët e parë të UÇK-së. Kjo është palltoja e axhit Bes…. kur u kanë ftoftë se verës jo”, shton me qeshje ciceroni.

“Gatimi i bukës së lirisë”

Brenda hapësirës prej jo më shumë se 150 metrash katrorë, Deliu ua tregon njomakëve historinë nëpërmjet uniformave, gjërave personale, fotografive të dëshmorëve dhe veglave spitalore të UÇK-së – si dhe copave të artilerisë dhe rekuizitave të forcave serbe. Kati i dytë – në të parin është sektori etnologjik – reflekton krenarinë e familjeve, shokëve të dëshmorëve, por edhe të vizitorëve që mund t’i prekin veshmbathjet dhe mjetet me të cilat burrat dhe gratë e Shtimes – dhe më gjerë – luftuan, mjekuan e gatuan në rrugëtimin drejt lirisë

“Gatimi i bukës së lirisë – Mollopolc, 1999”, shkruan anash njërës prej dy fotografive të kuzhinierëve me të bardha para dhjetëra bukëve të gatuara. Varur në mure – prapa shpinës – shihen armët. “Është dashur të jenë gjithnjë në gjendje gatishmërie”, thekson ciceroni Deliu. Shtyn njërin krah të xhamit të vitrinës që reflekton nga drita që depërton nëpërmjet kanatave të drunjta të dritareve në objektin në sheshin e Shtimes. “Kjo është tepsia me të cilën është gatuar”. Në të njëjtën vitrinë janë edhe pajisjet e vrojtimit. Në vitrinën tjetër, djathtas, janë gërshërët, fashat e kutia e ndërhyrjes emergjente mjekësore. Sipër, fotografitë dëshmojnë punën e mjekëve të Zonës Operative të Nerodimes dhe asaj të Pashtrikut, duke kuruar ushtarë e civilë të plagosur nga forcat serbe. Në spitalin e improvizuar, Drenusha trevjeçare, po trajtohej nga mjekët që i ishin bashkuar lëvizjes kryengritëse në male.

“Doktor Vezir Bajrami me disa ushtarë të plagosur në Rancë. Këtu janë trajtuar të plagosurit”, tregon Deliu me shikimin kah fotografia. Bën një hap anash, duke thënë: “E kemi edhe një fotografi ku i kemi mjekët Jakup Ismajli dhe Musa Baftiu në Zonën e Pashtrikut. Granata kishte rënë në civilë”.

“Këndi i armikut”

Në një kënd të ndarë brenda xhamave, janë vendosur copëza të artilerisë së rëndë serbe që ishte përdorur edhe kundër popullsisë civile. “E kjo ka qenë e ndaluar sipas konventave dhe ligjeve ndërkombëtare të luftës”, thekson Deliu. “Kuleta është gjetur nën trupin e pajetë të Mehmet Shasivarit në Petrovë. Pra, kjo tregon se ky polic ka vepruar dhe ka qenë pjesë e masakrave në Komunën e Shtimes”.

Afër ndodhet një helmetë e kaltër policore serbe. E shpuar nga plumbi. Vrima e nxit edhe më shumë kureshtjen e vizitorëve të rinj.

Deliu nuk e lejon Muhamed Ramadanin dhe dy shokët e tij filloristë të kalojnë në këndin e fotografive të masakrës së Reçakut. Pamjet janë të rënda. Njëri prej të masakruarve është me fytyrë të deformuar. “Janë pamje të vrazhda”, thotë Deliu pasi u kërkon djelmoshave të lëshohen në katin e parë.

Ramadani është me prejardhje nga fshati bjeshkor, Luzhak, ku edhe kishin operuar pjesëtarët e UÇK-së. “Më ka treguar babi për luftën se te na ka nejtë UÇK-ja”, thotë me krenari djaloshi, me çehren e çelur. “Dajën e kam pasur në luftë, Muhamet Xhemajli”.

Ciceroni thotë se brezi i ri përbën numrin më të lartë të vizitorëve të Muzeut Historik të vendosur në objektin e rinovuar nga programi i Bashkimit Evropian, “Beautiful Kosovo” më 2015. Në faqen zyrtare të Komunës në “Facebook” bëhet e ditur se vlera e përgjithshme e projektit ka kushtuar mbi 146 mijë euro, me dhjetë për qind kontribut financiar nga Qeveria vendore. Objekti konsiderohet i “rëndësisë së veçantë”.

“Kjo ndërtesë dykatëshe, e ndërtuar qysh në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, është njëra ndër objektet më të vjetra të qytetit të Shtimes”, thuhet aty, duke shtuar se objekti ishte shfrytëzuar për 145 vjet për nevoja të banorëve të kësaj treve. “Më 1890 është ndërtuar nga Agush Aga, i familjes së vëllazërisë së Hysajve të Shtimes, dhe një kohë të gjatë ka shërbyer si objekt i Komunës së Shtimes”.

“Këtu ka punuar kryetari i parë shqiptar, Ahmet Shtimja. I njohur”, thotë ciceroni Deliu para objektit me pamje kah lumi matanë sheshit të ri.

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme