Myslimanët në SHBA me fushatë kundër keqkuptimeve

Udhëheqësi i xhamisë më të madhe në New Jerseyn verior, ka thënë se fushata e Donald Trumpit për zgjedhjet presidenciale, e ka nxitur komunitetin e tij që të kontaktojë sa më shumë me fqinjët jo myslimanë.
“Ne jemi të kujdesshëm, sepse nuk duam që njerëzit të informohen rreth nesh nga Trumpi. Ne duam që njerëzit të informohen prej nesh”, ka thënë Omar Awad, presidenti i Qendrës Islamike për qarkun Passaic në Paterson.

Trump, i cili më 21 korrik e ka pranuar nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale, sipas të gjitha gjasave, do të përballet me kandidaten demokrate, Hillary Clinton më 8 nëntor.

Gjatë fushatës deri më tash, Trump ka thënë shumëçka për myslimanët.

Në dhjetor, ai bëri thirrje për “ndalim total të myslimanëve që duan të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”.

Në fund të vitit 2015, ai e përkrahu idenë e vëzhgimit të xhamive, ndërsa është raportuar se e ka përkrahur edhe krijimin e një baze të veçantë të të dhënave për myslimanët amerikanë.

Trump, gjithashtu, ka përhapur informacionin e pavërtetë se “mijëra e mijëra” myslimanë në New Jersey e kanë festuar sulmin e Al Kaidës në kullat binjake të Qendrës Tregtare Botërore më 11 shtator 2001.

New Jersey e ka grupin e dytë më të madh të popullatës myslimane në një shtet federal amerikan, një grup i madh i imigrantëve që vijnë nga bota arabe, Turqia dhe Sudani, si dhe ata që në fakt kanë lindur në SHBA.

Paterson, mbi 30 kilometra në veriperëndim të qytetit të Nju Jorkut, konsiderohet si qendër e myslimanëve.

Një kandidat mysliman për herë të parë është duke garuar për bordin e arsimit në Clifton, që është ngjitur me Patersonin. Xhamia e Omar Awadit, e ka hapur edhe një konvikt të dytë në Cliftonin fqinj, në muajin qershor.

Rruga kryesore që i lidh të dy qytetet e vogla, është shembull i diversitetit: berber turq e ndajnë trotuarin me ëmbëltoret e palestinezëve, një bukëpjekës sirian e ndan një pjesë tjetër me një dyqan libanez.
Restorantet kineze me ushqime “hallall” dhe supermarkete që ofrojnë edhe dërgimin e ushqimeve në shtëpi për popullatën që flet spanjisht janë të përhapura ngado.

Së fundi, shenjat e vendosura përgjatë rrugëve, ua uronin Ramazanin myslimanëve.

Në një kafene të quajtur “Stambolli”, Nesibe Kiliq, 20-vjeçare e lindur në Turqi thotë se të rritesh në një ambient si ky, është “sikur je në një flluskë”.

“Sinqerisht nëse (Trump) bëhet president, nuk e di nëse do të rrija këtu. Unë kam mundësi tjera. Mund të kthehem në vendin tim, mund të shkoj në Kanada pasi babai im punon atje. Një vend me atë(Trump) si president do të eskalonte në kaos”, thotë Kiliq.

Fushata e Trumpit dhe prospekti i një presidence të tij, ka nxitur qendrën islamike të Awadit që të rrisë përpjekjet për kontakte me fqinjët jo myslimanë.

Awadi dhe xhamia e tij, që pranon deri në 2 mijë vizitorë të rregullt, ka një kohë që është përfshirë në përpjekje të tilla: përmes fushatave për shpërndarjen e ushqimeve për të uriturit, ftesat dërguar jo myslimanëve për pushime etj.

Tani, thotë ai, xhamia është duke bërë përpjekje për më shumë vëmendje. Po shpërndan më shumë komunikata. Adoleshentët nga xhamia kanë shpërndarë “Trëndafila për paqe” në qytetin e New Yorkut dhe kanë qenë të gatshëm që të flasin me njerëzit rreth besimit.

Gjithashtu, xhamia po rekruton stazhierë që do të merreshin me rrjetet sociale.

“Ne kemi qenë duke bërë shumë punë gjatë 25 vjetëve të fundit”, thotë Awad dhe shton: “Ndoshta na duhet më shumë vëmendje nga mediet për punën që po e bëjmë”.

Në të njëjtën kohë, ai thotë se presidenca e Trumpit dhe komentet e bëra për myslimanët e New Jerseyt po e tërheqin pjesën më të madhe të vëmendjes.

Amerikano-egjiptiania, Mona Ahmed, 55-vjeçare, e cila ishe e ulur në hollin e xhamisë para lutjeve të drekës, ka thënë se gjatë fushatës së Trumpit, ajo ka hezituar fare që ta mbajë mbulesën islamike, hixhab.

“Unë ndihem më krenare tani. Më besoni. Unë e kam një vajzë, e cila nuk është e mbuluar me hixhab. Por, prejse Trump ka filluar të flasë për myslimanët, ajo ka filluar të afrohet me islamin”, thotë ajo.

Megjithatë, jo të gjithë myslimanët në zonën e saj e kanë të njëjtin mendim për Trump.

Elena Serbest, myslimane 41-vjeçare nga Bullgaria, thotë se ajo do të votojë për Trumpin, pasi asaj i pëlqejnë idetë e tij për ekonominë. Ndoshta me udhëheqjen e Trumpit ajo mendon se do ta gjejë një punë më të mirë se sa puna që e bën momentalisht, si monitoruese e një kafiterie.

Rita Makhoul, një dado e krishterë 51-vjeçare nga Siria, thotë se ajo planifikon që të votojë për Trumpin, sepse thotë që demokratët “i kanë ardhur në majë të hundës” dhe nuk beson që Hillary Clinton e thotë të vërtetën.

“E di që jeni të befasuar me këtë, sepse jam arabe dhe siriane”, thotë ajo dhe shton: “Mua më pëlqen ndryshimi”.

Jim Sues, drejtor i degës së New Jerseyt të Këshillit të Marrëdhënieve Amerikano Islamike, thotë se edhe xhami të tjera të mëdha po bëjnë përpjekje si ajo e New Jerseyt për të biseduar me fqinjët e tyre jo myslimanë.

“Islamofobia ka ekzistuar për dekada, por dikush në pozitë lideri si Donald Trump është pak a shumë duke i dhënë dritën e gjelbër kësaj ndjesie ndaj myslimanëve”, ka thënë Sues.

Në aspektin lokal, kjo qasje e kontaktit me jo myslimanët ka filluar të ketë ndikim. Kur Qendra Islamike e Awadit e ka hapur një konvikt të ri në Clifton, ka pasur edhe këshilltarë komunalë që kanë shkuar si mysafir. Një nga ta ishte Lauren Murphey, pjesëtare e Partisë Demokratike që nuk është myslimane.

Banori i Patersonit, David Read, një jo mysliman 55-vjeçar ecte rrugës kryesore pasi kishte blerë ushqime. Kimisti i pensionuar thotë se duke jetuar në këtë vend është interesuar më shumë për myslimanët në Amerikë dhe ai thotë se i ka pëlqyer se çfarë ka zbuluar për ta.

“Ata janë të njëjtë sikur unë”, thotë derisa shpreh shqetësimin se si do t’i shohin amerikanët personat e racave apo feve tjera nëse Trump bëhet president./REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme