Liderët institucionalë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë bërë homazhe te kompleksi memorial i Jasharëve në Prekaz, duke thurur lavde për Adem Jasharin dhe heronjtë e Kosovës. Por as Veseli e as Thaçi nuk kanë shkuar në kullën e Jasharëve për t’ua uruar këtë festë Jasharëve të gjallë.
Thurin lavde për heroizmin e ikonës së luftës së UÇK-së Adem Jasharin, duke thënë se në Prekaz marrin forcë dhe energji për punën e mëtutjeshme për ndërtimin e shtetit të Kosovës, shkruan “Zëri”.
Por, asnjëri prej tyre nuk shkoi në kullën e Jasharëve për t’i uruar burrat e familjes Jashari, të cilët mbajnë derën hapur për të gjithë shqiptarët që duan të takohen me ta, jo vetëm për festat e nëntorit, por edhe në ditë të tjera.
Kadri Veseli e Hashim Thaçi, dy figurat kyçe të shtetit të Kosovës, nuk gjetën forcë për t’u kthyer deri në kullë të hënën, ditën më të madhe të shqiptarëve – 28 Nëntorin. Derisa Veselin në Shalë dhe në Drenicë e quajnë “Kryeministër”, ai herë-herë kthente kokën nga kulla, Thaçi nuk shikonte fare andej.
“Është kjo festë e bashkimit, festë e sakrificës, festë e kujtimit, por edhe e përgjegjësive për të ardhmen. Andaj dëshiroj t’i uroj të gjithë me mesazhin e bashkimit. Dëshiroj të shpreh vlerësimin dhe respektin më të lartë për të gjithë ata njerëz që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, për bërjen e Shqipërisë së pavarur, për këtë progres të madh. Ndërsa sot ndihemi shumë mirë që sot Kosova është vend i lirë, i pavarur, sovran në rrugë të sigurt për integrime euroatlantike. Sot kujtojmë sakrificën e të gjithë komandantëve të UÇK-së, sakrificën e Jasharëve, sakrificën e të gjithë invalidëve të luftës, të gjithë atyre veteranëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës që dhanë gjithçka për këtë ditë e që e gëzojmë sot”, tha Thaçi.