Nuk ka klimë të përshtatshme politike për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, thonë analistët politikë në Prishtinë. Sipas tyre, organizimi i shpejtë i zgjedhjeve, do të mund të përcillej me tensione e atmosferë jo të mirë zgjedhore, për shkak të situatës së krijuar politike në vend.
Çështja e zgjedhjeve të parakohshme është aktualizuar këto ditë pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli për nevojën e ri-formatimit të koalicionit dhe një varg vërejtjesh dhe kritikash që ka adresuar për punën e qeverisë aktuale, e cila drejtohet nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë se klima aktuale politike është mjaft e tensionuar. Ndërkohë që kundërshtimet ndërmjet partive në pushtet dhe opozitë janë të mëdha.
Por, vijon Krasniqi, nuk vërehet harmoni as brenda opozitës apo partive që janë duke bashkëqeverisur. Andaj, shkuarja në zgjedhje, sipas tij, do të barte me vete gjithë këto tensione.
“Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme do të ishte mjaft i tensionuar dhe nuk është se do të na prodhonte diçka më ndryshe sesa atë çfarë e kemi në Kuvend”.
“Zëvendësimi i partnerëve të koalicionit nuk na thotë shumë për përmirësimin e kualitetit e qeverisjes në vend”, thotë Krasniqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, analisti nga organizata Demokracia Plus, Driton Selmanaj, thotë se organizimi eventual i zgjedhjeve të parakohshme, për nga aspekti legal, nuk do të ndryshonte për asgjë me zgjedhjet e vitit 2014. Por, vijon ai, do të ishte e rëndësishme që paraprakisht të ndodhte një shtensionim i situatës politike në vend, ngase klima aktuale nuk është e përshtatshme.
“Për shkak të tensionimit të skajshëm të skenës sonë politike dhe polarizimit të saj për më gjatë se një vit, del si domosdoshmëri, që nëse eventualisht ka një pajtim për të shkuar në zgjedhje, atëherë paraprakisht të organizohej një tryezë e rrumbullakët e subjekteve politike”.
“Aty do të trasohej rruga deri në një datë të caktuar, e cila mund të ishte pas pesë apo gjashtë muajve për t’i mbajtur zgjedhjet. Po ashtu, do të caktoheshin edhe afatet se çka mund të kryhet brenda kësaj periudhe”, thekson Selmanaj për Radion Evropa e Lirë.
Tutje, Selmanaj thotë, po ashtu, se në çdo rast të zgjedhjeve eventuale të parakohshme, nuk do të mund të zbatoheshin disa reforma të proklamuara qëmoti, ngaqë nevojitet kohë për miratimin dhe zbatimin e tyre.
Ndryshimi i Ligjit zgjedhor, listat e hapura, pastaj pastrimi i listave të votuesve e deri te zgjedhjet presidenciale apo miratimi i kodit, me të cilin do t’u pamundësohej konkurrimi në zgjedhje personave nën aktakuzë, do të mbeteshin të parealizuara nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të shpejta.
Sipas Selmanajt, pavarësisht rëndësisë së reformave, ulja e tensioneve politike para zgjedhjeve, është më e rëndësishme.
“Nga mënyra se si është adresuar, mendoj se kjo është një lojë politike për konsum të brendshëm dhe për politikë ditore, sesa diçka konkrete për të vendosur rreth datës së zgjedhjeve”.
“Unë e shoh një jo-koordinim të duhur brenda partive politike në pushtet dhe më pas edhe një mungesë pajtimi që ato të gjejnë rrugëzgjidhje për situata të mëdha politike, përfshi këtu edhe datën e zgjedhjeve”, vlerëson Selmanaj.
Në anën tjetër, Albert Krasniqi mendon se do të ishte më e dobishme për vendin që qeveria dhe institucionet ta përmbyllin mandatin aktual kushtetues dhe të mos shkohet në zgjedhje të shpejta.
Duke përmbyllur mandatin, thekson Krasniqi, qeveria do të mund të jepte llogari për premtimet që ka dhënë dhe mbi bazën e rezultatit, votuesit do të vendosnin se kë do ta mbështesnin në zgjedhje.
Ai thotë, po ashtu, se vendi ka nevojë për disa përmirësime ligjore, për t’i shmangur dobësitë që kanë ligjet aktuale.
“Aktualisht, do të ishte e përshtatshme që të niset një proces i reformimit të sistemit zgjedhor dhe të përmirësimit të administrimit të zgjedhjeve. Kjo do të na garantonte që të kemi zgjedhje më të mira dhe si rezultat, edhe një qeverisje që do të buronte nga vullneti i qytetarëve”.
“Me dispozitat aktuale ligjore, ky vullnet i qytetarëve ka ditur të deformohet”, thekson Krasniqi.
Shkuarja në zgjedhje, në këtë moment politik, vlerësohet se nuk do të mund të garantonte përfshirjen në proces të komuniteteve pakicë, sidomos atij serb.
Lista Serbe, subjekti më i madh politik që përfaqëson këtë komunitet në Kosovë dhe që mbështetet drejtpërsëdrejti nga Beogradi, aktualisht është duke bojkotuar punën e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Mungesën eventuale të serbëve në zgjedhje, besohet se nuk do ta pëlqente aspak faktori ndërkombëtar pas investimeve dhe angazhimeve të shumta në diplomaci e dialog politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për ta përfshirë këtë komunitet në jetën institucionale e politike në Kosovë.
Në kohën e formimit të koalicionit të gjerë, ku janë të përfshira dy partitë më të mëdha, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, me mbështetjen edhe të komuniteteve pakicë, ishte vlerësuar se një qeveri e tillë do t’i kishte, jo vetëm votat, por edhe fuqinë e mjaftueshme për vendime të mëdha, siç ishin, themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte, i Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo edhe i ndryshimeve kushtetuese, përfshirë edhe formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Megjithatë, disa nga këto parashikime ky koalicion nuk i përmbushi deri në këtë fazë, për shkak të pakënaqësive apo edhe mospajtimeve politike brenda vetë koalicionit./REL