‘Nuk mundem! E pashë Atdheun lakuriq’: Dita për të përkujtuar poetin pa varr, Trifon Xhagjika

Sot, historia jonë përkujton poetin pa varr, ushtarakun dhe disidentin, Trifon Xhagjika (1932 – 1963).

“Po të më jepni një top do të qëlloja mbi regjimin tuaj”.

Në Muzeun Historik Kombëtar janë të ekspozuara katër dorëshkrime origjinale të tij.

Trifon Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Bashkë me familjen e tij u sistemua në qytetin e Tiranës në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua në 1954 në Shkollën e Bashkuar për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë. Në këtë kohë bëri një kurs për gazetari e histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë.

Qysh në vitet e para të punës bëhet i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, transferohet nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”.

Dy herë rresht kërkoi të shkonte në Moskë me studime për Gjuhë-Letërsi, por nuk e lejuan. Kishte një pasion të fshehur për muzikën dhe së bashku me Kostandin Trakon ka bërë himnin e Shkollës së Bashkuar.

Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Në vitin 1959 botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”.

Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari, diçka e tillë do e çonte në një disidencë të hapur. Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit.

Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua.

Mjaft nga poezitë e pabotuara kanë humbur Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”.

Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij, thuhet ne Muzeun Kombëtar “Shtëpia me gjethe”.

Poeti i pushkatuar, Trifon Xhagjika, mund të konsiderohet si një meteor drite në poezinë shqipe.

Në vitin 1994, Trifon Xhagjika është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me motivacionin: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”.

Kohët e fundit në fshatin e tij të lindjes, në Peshtan të Tepelenës ëshët vendosur një bust në kujtim të veprës dhe jetës së tij.

Nuk mundem,
…nuk mundem,
nuk mundem.
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
1963

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme