Nuk tërhiqet LDK-ja, LAA jo koalicion me PAN-in

Derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar ende rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme 11 qershorit për shkak të rinumërimit të 280 kutive, partitë politike kanë nisur konsultat në mes vete për koalicionin e ri që do ta formojë Qeverinë e Kosovës.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Labinot Tahiri, ka deklaruar se kjo parti nuk e ka ende të qartë nëse do të qëndrojnë në koalicion më Lidhjen Demokratike të Kosovës apo do të bëjë koalicion paszgjedhor me PDK-AAK-Nisma ose Lëvizjen Vetëvendosje.

I pyetur për mundësinë e formimit të një koalicioni me PAN, Tahiri ka thënë se të gjitha opsionet janë të hapura.

Megjithatë, sipas tij, vendimi i Kryesisë së AKR-së do të jetë në të mirën e Kosovës dhe të partisë.

“Pra, janë të hapur mundësitë. Çdo gjë që do të vendosë Pacolli dhe Kryesia e AKR-së”, ka thënë ai.

Megjithëse gazeta ka kontaktuar edhe dy deputetët e tjerë të kësaj partie, Korab Sejdiu dhe Albena Reshitaj, ata nuk kanë dashur të deklarohen për këtë çështje.

Pacolli: Më komod jemi në opozitë sesa në Qeveri me PAN-in

Ndërkohë, vet presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, ka thënë se partia e tij, është duke i pritur rezultatet e certifikimit të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së dhe pastaj do t’i shqyrtojnë ofertat rreth koalicioneve pas zgjedhore.

Por, ai ka theksuar se ftesave që iu bëhen atyre për koalicion mund t’iu përgjigjet vetëm iniciuesi i koalicionit LAA, Isa Mustafa.

“Nuk ka asgjë të re, ne jemi duke i pritë rezultatet e certifikimit. Kur të certifikohemi, atëherë ne dalim me qëndrime. Vetëm Isa Mustafa si përgjegjës i koalicionit mundet t’iu përgjigjet ftesave e deklaratave për koalicion”, ka deklaruar Pacolli.

Ndërkohë , i pyetur nëse AKR do t’i bashkohet koalicionit PAN, Pacolli ka thënë se është më komod në opozitë.

“Ne jemi komod që të shkojmë në opozitë”, ka deklaruar ai.

LDK: S’ka koalicion me PAN-in

Ndërkaq, në LDK kanë ripërsëritur se koalicioni LDK-AKR-Alternativa, është kundër një koalicioni me PAN-in.

Sadri Ferati nga LDK-ja, i ka thënë gazetës “Bota sot” se Labinot Tahiri duhet të sqarojë deklaratën e tij, pasi ajo ndryshon nga ajo e kreut të AKR-së, Pacolli.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se koalicioni i LDK-së me PDK-në më as që diskutohet.

“Më mirë do të ishte që ai të shpjegonte se cka ka dashur të thotë sepse deklarata e tij prej të Pacollit ndryshon. Qëndrimet e LDK-së tashmë dihen, ato janë që mos të shkohet në një koalicion me PDK-në dhe kjo më as që diskutohet”, ka deklaruar Ferati.

PAN: Po bisedojmë me parti dhe individë

Ndërsa, në PAN, nuk i kanë mohuar zërat se ata kanë nisur bisedimet me parti të tjera politike për koalicion, por edhe me individë.

Duke folur në lidhje me këtë, deputeti i PDK-së Bislim Zogaj, ka thënë për “Bota sot”, se interesi i PAN është që të formohet sa më shpejtë Qeveria.

“Tash të gjitha partitë, jo vetëm PAN-i, por edhe të gjitha partitë tjera po shikojnë të formojnë koalicionin, pasi është interesi i tyre që të formohet sa më shpejtë qeveria. Sigurisht se jemi të interesuar të bisedojmë fillimisht me subjekte, por normalisht se ka mundësi të bisedohet edhe me individë”, ka deklaruar deputeti Zogaj.

Kurse, sipas analistëve politikë, një koalicion mes AKR-së dhe PAN-it, megjithëse bashkë me minoritetet serbe dhe të tjera, do të mund t’I bënin numrat, qeveria e tyre nuk do të ishte jetëgjatë.

Ahmeti: Qeveria PAN-AKR-minoritete, jetëshkurtër

Duke komentuar për çështjen në fjalë, analisti Hidajet Ahmeti, ka thënë se AKR-ja nuk e ka fuqinë politike që të jetë determinuese në formimin, jetëgjatësinë dhe stabilitetin e qeverisë.

“Nuk është e rrugës që të mendohet një konstulacion i tillë i forcave politike dhe të prodhojë frytet e duhura, pasi që AKR-ja nuk e ka fuqinë politike të jetë determinuese në formimin, jetëgjatësisë dhe stabilitetit të qeverisë. Mund të bëhet shumica e thjeshtë me votat e PAN-it, AKR-së, minoriteteve serbe dhe minoriteteve tjera, por nuk mund të jetë qeveri stabile e jetëgjatë, pasi që të varesh nga votat e komunitetit serb për t’i çuar proceset përpara është absurd i llojit të vet”, ka deklaruar Ahmeti për “Bota sot”.

Deklaratën e Labinot Tahirit, Ahmeti e ka quajtur joserioze dhe të njëashme.

“Çdo kalkulim i tillë është joserioz, i pasinqertë e mbi të gjitha jokordinim i duhur i zyrtarëve partiak brenda partive të tyre, duke lëshuar komunikata të njëanshme , të cilat nuk janë zëri i partisë, por zëri i tyre individual. Nuk kemi kohë për të humbur me eksperimente të tilla politike, pasi që koston totale do ta paguajnë qytetarët e Kosovës. Jemi të vetëdijshëm që është obligim kushtetues që komuniteti serb të jetë pjesë e qeverisë së Kosovës, por jo votat e tyre të jenë determinues për formimin e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht votat e komunitetit serb të jenë faktor determinues në proceset e rëndësishme për Kosovën dhe rrugën e saj euro-atlantike. Deklarata të tilla të zyrtarëve partiak më shumë janë për të shpërqendruar opinionin publik karshi problemave reale se sa të konsiderohen deklarata serioze, të sinqerta, të cilat mund të jenë determinues. E në formimin e qeverisë së ardhshme”, ka shtuar analisti Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme