Sakte.net / e Martë 20 Shtator / 09:45
Duke u bazuar në një vizitë pesëditore në Kosovë e Serbi, një ekspert i të drejtave të njeriut nga Kombet e Bashkuara ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë dhe ajo e Kosovës të gjejnë një zgjidhje urgjente dhe të qëndrueshme, për qytetarët që janë shpërngulur gjatë luftës para 17 viteve.
“Një zgjidhje e qëndrueshme për të shpërngulurit e brendshëm duhet të jetë një opsion i hapur për ta dhe duhet të jetë diçka e shkëputur nga procesi politik”, ka thënë raportuesi special i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut të personave të shpërngulur, Chaloka Beyani, në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Komisionerit të lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së (OHCHR).
“U sugjeroj autoriteteve atje që të marrin parasysh urgjentisht kërkesat dhe të shohin nevojat e personave të shpërngulur brenda vendit”, ka thënë ai, duke bërë me dije se nuk zgjidhet problemi vetëm me rikthimin në shtëpitë e tyre.
Sipas UNHCR-së janë ende më shumë se 88 mijë persona që janë shpërngulur brenda vendit në Serbi dhe më shumë se 16 mijë të tillë në Kosovë, e sipas këtij publikimi atyre duhet t’u gjendet një zgjidhje e qëndrueshme.
Eksperti i OKB-së për të drejtat e njeriut shprehet gjithashtu i shqetësuar për kushtet në të cilat jetojnë këta njerëz, sidomos ata që u takojnë komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
“Këtyre personave duhet t’u plotësohen disa kërkesa specifike, sidomos në të drejtën e tyre për të pasur qasje në shtëpitë e dikurshme, në punësim, shërbim shëndetësor dhe edukim”, thotë Beyani, duke shtuar se këto problematika duhet të adresohen si diçka vërtet emergjente.
Raportuesi special vë në dukje se ka edhe probleme të tjera, si sundimi i ligjit për pronat dhe uzurpimi i pronave. Sipas ekspertit të OKB-së, zgjidhja e këtij problemit duhet të bëhet një nga temat kryesore për Serbinë e Kosovën në bisedimet e tyre në Bruksel, shkruan TopChannel, përcjellë Klan Kosova.