U.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me emërimin e djalit të deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, Flakron Shala si Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë.
Osmani përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se emërimi i Konsullit të Përgjithshëm në Pragë dhe emërimet e tjera të cilat po publikohen këto ditë janë bërë nga ish-Presidenti Thaçi, e jo nga ajo si ushtruese e detyrës.
Sipas saj, përkundër kërkesës së saj deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk i është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë.
“Emërimi i Konsullit të Përgjithshëm në Pragë dhe emërimet e tjera që po publikohen këto ditë janë bërë nga ish-Presidenti Thaçi, e jo nga unë si ushtruese e detyrës. Përkundër kërkesës sime, deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk më është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë”, ka thënë Osmani.
“Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njejtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm. Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen”, ka shkruar ndër të tjera, u.d e presidents, Vjosa Osmani.



