Pagat e KLGJ dhe KLP, ministri i Drejtësisë: S’do ketë përplasje institucionesh, çështja zgjidhet me ligj në Kuvend

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, ndërsa theksoi se zgjidhja përfundimtare e situatës së krijuar kërkon plotësimin e boshllëkut ligjor nga Kuvendi.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme dhe të detyrueshme. Nuk negociohen, nuk relativizohen. Për mua kjo nuk është zgjedhje, është thelbi i detyrës sime”, u shpreh Gogu.

Sipas ministrit, përgjegjshmëria për përdorimin e parasë publike dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk janë parime që bien ndesh me njëri-tjetrin.

“Paraja publike është para e qytetarëve, nuk është e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Përgjegjshmëria ndaj buxhetit dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk janë në luftë me njëra-tjetrën. Përkundrazi, kërkojnë të njëjtën gjë: autorizimin e qartë ligjor për ta zbatuar”, tha ai.

Gogu sqaroi se problemi nuk lidhet me një debat mbi atë se kush kërkon më shumë apo kush jep më pak, por me mungesën e bazës ligjore për formulën e pagës së magjistratëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Duhet ta themi troç: kemi arritur këtu sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Ky boshllëk duhet të plotësohet atje ku e ka vendin: në Kuvend, me ligj”, deklaroi ministri.

Sipas tij, çështja pritet të adresohet me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Gogu e cilësoi plotësimin e boshllëkut ligjor si rrugën për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes.

“Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen me njëra-tjetrën. Zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë. Detyra ime është që kjo të bëhet shpejt dhe sa më mirë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe me përgjegjshmëri të plotë ndaj buxhetit të shtetit”, u shpreh ai.

I pyetur për interpretimet e ndryshme të gjyqtarëve dhe për padinë e ngritur lidhur me çështjen e pagave, ministri tha se Ministria e Drejtësisë nuk mund të ndërhyjë në proceset që janë në kompetencë të institucioneve të tjera.

“Nuk kam ndërmend të bëj Gjykatën Kushtetuese apo të gjykoj veprimet e Kuvendit. Nuk e kam këtë kompetencë. Ajo që mund të siguroj si ministër i Drejtësisë është se nuk do të pushoj deri në ditën kur të plotësojmë boshllëkun ligjor”, deklaroi Gogu.

Në përfundim, ministri theksoi nevojën për respektimin e roleve kushtetuese të institucioneve.

“Ligjet bëhen në Kuvend. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohen. Mosmarrëveshjet gjyqësore zgjidhen në gjykatë. Secili në vendin e vet”, përfundoi ai.

The post Pagat e KLGJ dhe KLP, ministri i Drejtësisë: S’do ketë përplasje institucionesh, çështja zgjidhet me ligj në Kuvend appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme