Një konflikt i filmuar dhe më pas i publikuar në rrjetet sociale ka çuar në ndalimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve.
Policia bën me dije se, pas verifikimeve, ka rezultuar se pamjet e konfliktit janë filmuar në afërsi të mbikalimit të Rinasit. Për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Policinë e Lezhës, kanë kryer një sërë veprimesh hetimore.
Në kuadër të hetimeve është ndaluar shtetasi J. M., 30 vjeç, i identifikuar si këngëtari Jozefin Marku. Sipas Policisë, ai dyshohet për disa vepra penale, mes tyre “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Po ashtu, është ndaluar shtetasi K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtuesi i një automjeti tip “Land Rover” që lidhet me ngjarjen. Ndaj tij rëndojnë dyshime për një sërë veprash penale, përfshirë përkrahjen e autorit të krimit, armëmbajtjen pa leje, heqjen e paligjshme të lirisë, plagosjen e lehtë me dashje dhe kanosjen.
Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç.
Gjatë kontrollit në banesën e K. N., uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni. Gjithashtu, është sekuestruar automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur gjatë konfliktit.
Sipas Policisë, personat e ndaluar, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë dhunuar 26-vjeçarin E. K. Shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një fyerje që viktima i kishte bërë njërit prej personave të përfshirë.
Hetimet vijojnë për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në ngjarje dhe përballjen e tyre me përgjegjësinë penale.
The post Dhunuan një person pranë Rinasit, ndalohet këngëtari Jozefin Marku. Në kërkim dy persona të tjerë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



