Pas disa seancash bojkoti, asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Skenderajt janë kthyer përsëri në Kuvend. Përmes një komunikate, PDK e Drenasit ka bërë të ditur se janë kthyer në seancë me një kërkesë të vetme, mosvazhdimin me gabime.
Asamblistët kanë theksuar se vazhdojnë me konsistencën politike në përkrahjen e plotë të sinqertë dhe të drejtë, për aq kohë sa në këtë Kuvend sillen iniciativa dhe propozime dhe propozime të ligjshme dhe në interes qytetar.
Ja njoftimi i asamblistëve të PDK-së:
I nderuar Kryetar i Komunës z. Jashari!
Kryesuese e Kuvendit, kolegë asambleistë, më lejoni që në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së të ri konfirmojmë qëndrimin tonë parimor si subjekt politik në funksion të interesit të përgjithshëm qytetar dhe pikërisht rikthimi në këtë seancë vazhduese (maratonë), përkundër faktit që ne u larguam si manifestim i pakënaqësisë politike me formën dhe mënyrën e zgjedhjes së organeve të Kuvendit, është treguesi më i qartë i këtyre parimeve.
Përveç këtyre, ne sot jemi kthyer në po të njëjtën seancë edhe me një kërkesë të vetme; mos vazhdimin me gabime, sepse të gjithë kemi përgjegjësi ndaj ligjit dhe qytetarëve.
Sepse thirrja për të tretën herë për të vazhduar të njëjtën seancë, ndërkohë që jemi futur në afatet kohore për të ftuar seancë të rregullt, meqë tani janë themeluar edhe organet profesionale të Kuvendit, është praktikë e pa njohur deri më tani, apo thënë më mirë është praktika më e keqe.
Kjo praktikë, përveç se e keqe, bartë më vete edhe shkelje ligjore, marrë parasysh faktin se pika e rendit të ditës; Mbi shpalljen e interesit të përgjithshëm për themelimin e një zone ekonomike mbi pronësinë e menaxhuar nga KP-ja, me një sipërfaqe kaq të madhe, është e një rëndësie të veçantë, prandaj duhet që patjetër t’i nënshtrohet procedurës së rregullt ligjore, konform detyrimeve të nenit 52. Paragrafi 2, të Ligjit Nr.03?L-040, Për Vetëqeverisje Lokale, ku thuhet: “Komitetit për politikë e financa është përgjegjës për shqyrtimin e të gjitha politikave, dokumenteve fiskale dhe financiare, planeve dhe iniciativave, duke përfshirë dokumentet e planifikimit strategjik…”. Pra një propozim i tillë i një rëndësie strategjike pa një rekomandim nga organi profesional i Kuvendit me përgjegjësi të qarta ligjore, konsiderojmë se është i jashtëligjshëm.
Po ashtu propozimi ka pa qartësi dhe është i mangët në përmbajtje sepse:
Thirrja ligjore sipas nenit 14 të Ligjit Nr. 04?L-144, për Dhënien në Shfrytëzimi dhe Këmbimin e e Pronës së Paluajtshme të Komunës, në propozim për shpalljen e interesit të përgjithshëm për pronat e evidentuar në menaxhim të AKP-së, sipas paragrafëve 1, 2, 3, 4, të nenit 1 të këtij propozimi i referohen procedurës së këmbimit si formë e bartjes së pronësisë më ç ‘rast në propozim nuk figurojnë pronat e ofruara për këmbim nga Komuna, konform po të njëjtit nen 14, në paragrafin 2 thuhet “… të ofrojë certifikatë të pronësisë nga zyra komunale kadastrale për ngastrat kadastrale të ofruara për ndërrim nga Kuvendi i Komunës, jo më të vjetra se gjashtë (6) muaj.
Pra ne nuk e dimë cilat dhe ku gjenden ato prona të Komunës për këmbim. A ka Komuna një sipërfaqe prej 30 hektarë për këmbim dhe cila do të jetë afërsisht vlera e këtyre pronave, marrë parasysh se Komuna nuk ka një pronë me sipërfaqe të tillë në një vend, por janë të shpërndara dhe të parcializuara anë e kënd territorit administrativ të Komunës?
A është kjo forma e inicuese më e mirë në interes të Komunës, kur kemi parasysh se legjislacion parasheh edhe forma më të favorshme për Komunën për arritjen e qëllimit të njëjtë?
Të nderuar kolegë asambleistë, duke marrë për bazë të gjitha këto si dhe përgjegjësit ligjore dhe obligimet para qytetarëve, në emër të Grupi Parlamentar të PDK-së Në Kuvendin komunal të Skenderajt, propozoj që kjo pikë e rendit të ditës të hiqet nga rendi i ditës dhe të obligohet ekzekutivi që të njëjtën ta propozojë në një nga seancat e ardhshme në procedurë të rregullt ligjore, me një propozim të arsyetuar në aspektin ligjor dhe të kompletuar në aspektin e përmbajtjesor.
I nderuar Kryetar i Komunës, shfrytëzoj rastin të ju ri konfirmoj se ne si Grup Parlamentar dhe si subjekt politik vazhdojmë me konsistencën tonë politike në përkrahjen e plotë të sinqertë dhe të drejtë, për aq kohë sa në këtë Kuvend sillni iniciativa dhe propozime dhe propozime të ligjshme dhe në interes qytetar, por jo edhe propozime dhe iniciativa të jashtë ligjshme dhe gjysmake, si ky propozim q tani po e diskutojmë.