Për atdheun, veteranët janë gati!

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Hysni Gucati, ka thënë se veteranët e UÇK-së i kanë pritur me shqetësim provokimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gucati ka thënë se Kosova tanimë i ka institucionet e veta, Presidencën, Kuvendin, Qeverinë, Policinë dhe FSK-në, për t’u mbrojtur si shtet kundër çfarëdo reagimi të Serbisë. Por, sipas tij, nëse është e nevojshme, veteranët e luftës së UÇK-së janë të gatshëm t’i përgjigjen shtetit të tyre për çfarëdo ndihme.

“Veteranët e UÇK-së nuk i kanë pritur mirë provokimet nga Serbia. Ta di çdokush se veteranët e UÇK-së në çdo moment janë të gatshëm t’i dalin zot vendit të tyre, ashtu siç i kanë dalë zot në kohën e Millosheviqit. Ne tani i kemi institucionet tona, Presidencën, Kuvendin, Qeverinë, Policinë dhe FSK-në, por nëse është e nevojshme, veteranët e luftës së UÇK-së janë të gatshëm t’i përgjigjen shtetit të tyre”, ka thënë Gucati.

Ai ka vlerësuar se provokimet e Serbisë po vijnë për shkak të zgjedhjeve presidenciale që ka ky shtet. Sipas Gucatit, serbët e Kosovës janë qytetarë të këtij shteti dhe për mbrojtjen e tyre kujdesen institucionet e këtij vendi. “Me mundësinë që ka shteti i Kosovës është duke e bërë detyrën e duhur. Provokimet e tilla nga Serbia po bëhen sepse atje tash janë zgjedhjet presidenciale dhe krerët e shtetit serb para fushatës zgjedhore po tregojnë kinse janë duke u përpjekur t’i mbrojnë qytetarët serbë të Kosovës. Qytetarët serbë në Kosovë janë të mbrojtur nga institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast nga Policia e Kosovës”, është shprehur Gucati.

Në këtë intervistë Gucati ka folur edhe për protestën e thirrur nga OVLUÇK-ja në mbështetje të Ramush Haradinajt, e cila do të mbahet këtë të shtunë në Prishtinë.

Ai ka thënë se në këtë protestë do të paraqesin disa kërkesa për Francën dhe institucionet e Kosovës. “Së pari, në këtë protestë do t’i drejtohemi shtetit mik francez që ta çojë drejtësinë në vend e të mos merret me paragjykimet dhe akuzat që po i bën vazhdimisht Serbia. Do të kërkojmë që sa më shpejt shteti francez ta lirojë gjeneralin tonë, z. Haradinaj”, është shprehur Gucati.

Ai ka thënë se Kosova duhet t’i bëjë trysni Brukselit që Serbia t’i heqë nga Interpoli emrat e ish-ushtarëve të UÇK-së.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme