Për Gjykatën Speciale

Për fat të keq, edhe shumica e atyre që janë pro Gjykatës Speciale në Kosovë mendojnë se kjo gjykatë duhet të themelohet për shkak se këtë po e kërkojnë partnerët tanë ndërkombëtarë, apo për shkak se kështu çlirohemi nga ata që e kanë ngulfatur vendin për këto gati dy dekada. Por, pothuajse nuk ekziston fare mendimi se kjo gjykatë duhet të themelohet për shkak të satisfaksionit moral për familjet e viktimave, por edhe për shkak të korrektimit të kriminelëve.

Raporti «Perceptimi Publik i Gjykatës Speciale të Kosovës – rreziqet dhe mundësitë» i publikuar në shtator të këtij viti nga Integra, CPT, PAX dhe Impunity Watch, nxjerrë në pah se më shumë se gjysma e shqiptarëve të Kosovës (60.4%) besojnë se nuk marrin informacion të mjaftueshëm për Gjykatën Speciale. Sipas këtij raporti, ¾ e shqiptarëve të Kosovës (76.4%) e shohin mandatin e Gjykatës Speciale për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, që lidhen kryesisht me UÇK-në, si të padrejtë. Shumica e shqiptarëve(60%), sipas këtij raporti, besojnë se ka gjasa ose ka shumë gjasa që Gjykata Speciale të sjellë drejtësi për kryesit e krimeve të rënda të luftës. Pak më shumë se gjysma e shqiptarëve të Kosovës (51%) thonë të jenë të gatshëm të protestojnë nëse luftëtarët e UÇK-së akuzohen nga Gjykata Speciale, e madje 36% të jenë të gatshëm edhe të veprojnë për të parandaluar ndjekjen penale të pjesëtarëve të UÇK-së.

Dështimi i UNMIK-ut dhe EULEX-it në fushën e drejtësisë nuk ka ardhur vetëm për faj të këtyre dy misioneve ndërkombëtare, por edhe për shkak se deri vonë shoqëria jonë në masë të madhe e ka kundërshtuar ballafaqimin e kriminelëve shqiptarë të luftës me drejtësinë. Faji për Gjykatën Speciale, në radhë të parë, mbetet tek ne, shoqëria kosovare, që për gjithë këto vjet, sidomos pas shpalljes së Deklaratës së “Pavarësisë”, nuk arritëm ta krijonim – siç bënë Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia – një Gjykatë Speciale që do të merrej me krimet e kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.

Duhet ta kemi parasysh që asnjë gjykatës e prokuror vendor nuk guxoi t’i ndiqte e t’i dënonte individët nga radhët e UÇK-së, që kryen krime lufte e krime kundër njerëzimit. Prandaj, për fat të keq, përveç për prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, dëshmuam se kemi nevojë edhe për policë e gardianë ndërkombëtarë,për shkak të favoreve e privilegjeve që policët e gardianët vendorë ua krijuan të burgosurve nga radhët e UÇK-së. E njëjta vlen edhe për mjekët vendorë, të cilët lëshuan raporte mjekësore false për gjendjen shëndetësore të të akuzuarve/dënuarve. Për më keq, për gjithë këto vjet dëshmuam se kemi nevojë deri edhe për avokatë ndërkombëtarë, për shkak se asnjëri prej avokatëve kosovarë nuk guxoi ta mbrojë Nazim Bllacën (i cili u dorëzua vetë në organet e drejtësisë për krimet që i kishte kryer me urdhra të udhëheqësve kryesorë në UÇK), ndonëse detyra kryesore e avokatëve është t’i mbrojnë ata që akuzohen për krime.

Mbi të gjitha –siç edhe besojnë gati gjysma e shqiptarëve (48.8%) sipas raportit «Perceptimi Publik i Gjykatës Speciale të Kosovës – rreziqet dhe mundësitë»–dëshmitarët nuk janë të sigurt që të dëshmojnë. Prokurori Special i Task Forcës së BE-së, Clint Williamson, pati deklaruar se një numër i dëshmitarëve të mundshëm të identifikuar nuk janë intervistuar, sepse vendndodhjet e tyre aktuale nuk mund të zbulohen. Pra, edhe sot ka sfida të panumërta që vijnë nga klima e frikësimit që përpiqet të minojë çdo hetim të individëve të lidhur me UÇK-në. Për më shumë, edhe gazetarët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile janë shumëdimensionalisht të kufizuar në raportimin e rasteve apo në paraqitjen e të dhënave të krimeve të bëra ndaj joshqiptarëve.

Kundërshtuesit e Gjykatës Speciale thonë se prokurori Clint Williamson ka bërë konstatimin më të rëndë perëndimor për Kosovën përderisa ka folur për spastrim etnik të pjesës më të madhe të serbëve, dhe romëve në jug të lumit Ibër, si rezultat i persekutimit të pakicave nga ana e UÇK-së. Ç’është e vërteta, sipas të dhënave të UNMIK-ut, pas luftës në Kosovë janë vra rreth 1 mijë serbë dhe prej rreth 200 mijë serbëve sa kanë jetuar në Kosovë deri në qershor të vitit 1999, nga Kosova janë larguar gati gjysma e tyre, pra rreth 100 mijë serbë. Ndër fajtorët kryesorë për vrasjet dhe largimet e tyre janë individë të UÇK-së, madje individë me pozita të larta, që menjëherë pas luftës krijuan një atmosferë në Kosovë në të cilën nuk kishte vend për ata që nuk ishin shqiptarë, e madje as për shqiptarët që nuk ishin me UÇK-në. Për shembull, si ta quajmë ndryshe përpos spastrim etnik dëbimin e romëve nga të gjitha lagjet e Prishtinës dhe plaçkitjen, djegien e shkatërrimin e pothuajse të gjitha shtëpive të tyre?

Po ashtu, kundërshtuesit e Gjykatës Speciale pretendojnë se kjo gjykatë aspiron njëfarë balance të kriminelëve, sipas palëve, dhe angazhohet të krijojë përshtypjen e gabuar që Tribunali i Hagës gjykonte serbët për luftën, ndërkaq tash Gjykata Speciale do t’i gjykojë shqiptarët për pasluftën. Në fakt, Tribunali i Hagës ka gjykuar shumë prej liderëve politikë e ushtarakë të Serbisë dhe një pjesë të tyre edhe i ka dënuar, kurse shumësinë e kriminelëve serbë që kanë kryer krime në të gjitha hapësirat e ish-Jugosllavisë duhet ta gjykojë e dënojë Gjykata Speciale për krime lufte në Serbi dhe për këtë duhet të angazhohemi edhe ne. Kriminelët nga ana jonë është dashur t’i dënonim ne vetë, por, shumë punë që nuk i bëjmë vetë, i bëjnë të tjerët, natyrisht, duke i pasur për bazë edhe interesat e veta – prandaj, frika ime është se Gjykata Speciale mund të jetë mjeti i ardhshëm i shantazhit ndaj politikanëve të Kosovës.

Për më shumë, ekziston edhe një përpjekje që mandati i Gjykatës Speciale të prezantohet si mandat vetëm për krimet e pasluftës. Është e vërtetë se theksi vihet sidomos te krimet e kryera pas përfundimit të luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999, ndërsa si vendndodhje e krimeve thuhet se janë kampet në territorin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Por duhet të jetë e qartë se elementë të UÇK-së kanë kryer krime kundër serbëve, romëve dhe pakicave të tjera në Kosovë, si dhe kundër shqiptarëve të Kosovës të etiketuar si kolaboracionistë të Serbisë dhe kundër kundërshtarëve politikë të udhëheqjes së UÇK-së edhe gjatë periudhës së luftës: janar 1998 – qershor 1999.

Hetimi dhe akuzat nuk janë drejtuar ndaj UÇK-së, por ndaj individëve, për krime që janë kryer gjatë luftës, kur këta individë ishin pjesëtarë të UÇK-së, madje në hierarki të lartë dhe për krime që u kryen menjëherë pas luftës, kur po ashtu këta persona ishin anëtarë të UÇK-së. Të mos harrojmë, UÇK-ja është demilitarizuar vetëm në shtator të vitit 1999. Këtu bëhet fjalë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dhe sipas të gjitha gjasave, këta individë e kanë përdorë armatimin, infrastrukturën dhe financat e UÇK-së për t’i kryer krimet e tmerrshme që përmendën në raportin e Dick Marty-t.

Hulumtimi «Perceptimi Publik i Gjykatës Speciale të Kosovës – rreziqet dhe mundësitë»tregon se vetëdijesimi i publikut për qëllimin, mandatin dhe fushëveprimin e Gjykatës Speciale të Kosovës është i ulët. Ta zëmë, disa, për ta mbrojtur vetveten, përpiqen ta portretizojnë Gjykatën Speciale si sulm mbi betejën e Kosovës për liri ose mbi UÇK-në si organizatë. Kjo është, thënë më së buti, e pakuptimtë. Ne duhet ta shfrytëzojmë Gjykatën Speciale për ta pastruar UÇK-në dhe Kosovën nga kriminelët. Fakti se zyrtarë të lartë të UÇK-së kanë kryer krime lufte e krime kundër njerëzimit nuk i bën të gjithë pjesëtarët e UÇK-së kriminelë, sikur që fakti se udhëheqësit politikë të Kosovës janë të korruptuar nuk e bën të gjithë popullin e Kosovës të korruptuar.

Për fat të keq, edhe shumica e atyre që janë pro Gjykatës Speciale në Kosovë mendojnë se kjo gjykatë duhet të themelohet për shkak se këtë po e kërkojnë partnerët tanë ndërkombëtarë, apo për shkak se kështu çlirohemi nga ata që e kanë ngulfatur vendin për këto gati dy dekada. Por pothuajse nuk ekziston fare mendimi se kjo gjykatë duhet të themelohet për shkak të satisfaksionit moral për familjet e viktimave, por edhe për shkak të korrektimit të kriminelëve. Prandaj, në diskursin e atyre që janë pro kësaj gjykate vërejmë fraza si “krimet e supozuara të UÇK-së”, që është absurde, njësoj sikur të thuhet “krimet e supozuara të forcave serbe”.

Për fund, është e vërtetë se themelimin e Gjykatës Speciale, Serbia do ta përdorë në rrafshin ndërkombëtar për ta njollosë Kosovën dhe krejt UÇK-në si bartëse të luftës për çlirim, me qëllim që prej viktimizues ta portretizojë veten ndërkombëtarisht si viktimë. Prandaj, kërkohet një projekt ndërkombëtar që i kundërvihet fushatës ndërkombëtare të Serbisë, e që e rifreskon kujtesën globale me një pasqyrim objektiv të ngjarjeve në Kosovë gjatë periudhës janar ‘98 – dhjetor ‘99.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme