Përçudnimi i demokracisë direkte

Një nga rezultatet më të pakundërshtueshme të literaturës ekonomike tregon se sa më demokratik të jetë një vend, sa më shumë të jetë e përfshirë shoqëria në vendimmarrje, sa më i kufizuar të jetë pushteti individual e sa më mirë të funksionojnë institucionet kolegjiale, aq më i zhvilluar ekonomikisht është ai vend.

Thuajse çdo vend që sot konsiderohet i zhvilluar, e ka arritur këtë nivel përparimi ekonomik, vetëm pasi ka plotësuar më parë këto kritere politike. Jo më kot klasat politike që kanë pasur objektiva zhvillimin dhe fuqizimin ekonomik të vendit, kanë nxitur dhe kontribuar në ecjen përpara dhe forcimin e demokracisë në vendet e tyre.

Shembulli më klasik në këtë drejtim është Zvicra, e njohur për demokracinë e saj direkte, por edhe për standardet e larta të jetesës. Qytetarët e saj ftohen të votojnë, të paktën 4 herë në vit, për referendume të ndryshme, për të tre nivelet e qeverisë: federale, kantonit apo komuna.

Çdo ndryshim i Kushtetutës, i miratuar nga dy Dhoma parlamentare, kalon edhe në referendum të detyrueshëm kombëtar. Qytetarët kanë po ashtu të drejtën të kërkojnë referendum edhe mbi ligje të zakonshme të miratuara nga Parlamenti, si dhe të propozojnë referendum për amendamente kushtetuese, edhe nëse Parlamenti nuk i ka pranuar ose propozuar ato.

Demokracia direkte e Zvicrës është vetëm një nga kriteret e demokracisë vitale zvicerane. Përtej referendumit, sistemi politik zviceran përcaktohet nga dy kritere të qarta: shpërndarjen e pushtetit dhe kolegjialitetin.

Qeveria federale ushtron një numër të kufizuar detyrash. Qeveritë e kantoneve, secila me Kushtetutën e tyre, dhe ato vendore, janë përcaktueset kryesore të rregullave dhe ligjeve që rregullojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Parlamenti ka dy dhoma, të zgjedhura në mënyrë të ndryshme.

Dhoma e Ulët zgjidhet nëpërmjet një liste proporcionali rajonal. Dhoma e Lartë përbëhet nga dy anëtarë për të gjithë kantonet, me përjashtim të katër kantoneve të vogla që kanë vetëm një, duke siguruar kështu përfaqësim përpjesëtimor. Në këtë mënyrë, vendimmarrja e kantoneve të mëdha në Dhomën e Ulët limitohet nga Dhoma e Lartë.

Mbi të gjitha, Zvicra nuk ka një kryeministër ose president. Këshilli federal luan funksionet ekzekutive dhe përbëhet nga shtatë anëtarë, të cilët mbulojnë shtatë kabinete ose ministri. Të shtatë anëtarët zgjidhen nga dy Dhomat e Parlamentit dhe janë nga parti të ndryshme. Kësisoj vendimet e qeverisë, jo vetëm që miratohen me kolegjialitet, por prej anëtarëve të partive të ndryshme.

Ky sistem, i decentralizuar, me vendimmarrje kolegjiale dhe me pjesëmarrje të vazhdueshme të demokracisë direkte, ka lejuar që pushteti politik në Zvicër të mos jetë kurrë i dominuar nga një numër i vogël individësh. Dhe, jo rastësisht, Zvicra është edhe një nga vendet më të zhvilluara të botës.

Ky është sistemi politik nga i cili Shqipëria ka nevojë të mësojë dhe adoptojë shumë rregulla, sidomos në drejtim të përfaqësimit, ekuilibrit dhe pushtetit kolegjial. Por, fatkeqësisht, Shqipëria nuk është pjesë e grupit të shteteve me ekonomi të zhvilluar e të qëndrueshme.

Arsyet pse, janë të shumta, por mbase më thelbësorja është ajo që zbuloi dhe raporti më i fundit i Freedom House: vendi mbetet ende larg standardeve politike të demokracive të zhvilluara .

Kontrasti më i qartë i këtyre standardeve të ndryshme u vu re me zhvillimet më të fundit në lidhje me Këshillimin Kombëtar.

Përpjekja për të paraqitur këtë nismë, si një dëshirë për të dëgjuar mendimet e shoqërisë, bie poshtë nëse krahasojmë rregullat e demokracisë direkte shqiptare me vendin model në botë në këtë fushë: Zvicrën. Këshillimi kombëtar shqiptar, në rastin më të mirë, mund të themi se është një shaka e keqe krahasuar me sisteme të tilla politike.

Këshillimi kombëtar shqiptar ishte një nismë joformale, e pastrukturuar në ligje dhe rregulla, me rezultate të pakonfirmuara nga askush, me pyetje çorientuese që lejojnë lehtësisht manipulimin e mendimit të shprehur nga ata që marrin pjesë në proces dhe për çështje të paracaktuara nga vendimmarrësit.

Nuk ka asnjë qartësi ligjore për periodicitetin apo fuqinë zbatuese të këtyre nismave. Në thelb, nuk është aspak ekzagjerim të themi se e gjithë nisma është thjesht një shfaqje, pa asnjë vlerë të vërtetë.

Ndërkohë, sot, qytetarët shqiptarë e kanë thuajse të pamundur të thërrasin një referendum. Ligji për kryerjen e tyre është aq i komplikuar në lidhje me kohën kur mund të thërritet, apo pyetjet që mund të përdoren, sa me të drejtë juristët e quajnë si “ligji për moslejimin” e referendumeve.

Kushtetuta shqiptare, dokumenti thelbësor politik i një vendi, sot nuk mund të ndryshohet nga shoqëria. Qytetarët nuk paraqesin dot nisma referendare, por as nuk kanë fuqi të ndalojnë amendamente të miratuara nga Parlamenti.

Fatkeqësisht, mungesa e këtyre kontrolleve ka lejuar që Kushtetuta të ndryshohet shpesh për arsye të paqarta për publikun, në funksion të atyre që ngjajnë më shumë me pazare personale, sesa marrëveshje madhore politike, të cilat konsolidojnë themelet e shtetit dhe fuqizojnë institucionet.

E gjithë kjo strukturë politike, ku eliminohet në maksimum pjesëmarrja e qytetarëve në procesin politik, plotësohet nga një Kushtetutë që kthen thuajse në mbret këdo, i cili arrin të bëhet Kryeministër. As brenda Parlamentit, as brenda qeverisë, as në qeveritë lokale, e aq më pak në institucionet e pavarura, nuk ekzistojnë sot kontrolle dhe balanca ndaj pushtetit të një njeriu.

Farsa me Këshillimin!

Aq i pafuqishëm është sot qytetari shqiptar, sa që ai shpërfillet nga skema politike, me anë të mekanizmave zgjedhorë dhe referendarë përjashtues, jo përfaqësues dhe lehtësisht të manipulueshëm.

Por prishja e ekuilibrave të pushteteve, dobësimi i institucioneve dhe përqendrimi i fuqisë në pak individë, ka përforcuar sjelljen përçmuese të pushtetit ndaj qytetarit.

Ky Këshillim është, në të vërtetë, një mishërim i parullës politike së para viteve ’90-të, “Ç’do populli bën Partia dhe ç’thotë Partia bën populli”. Këshillimi ka një synim të thjeshtë propagandistik, për të veshur me një “argument demokratik të pëlqimit nga shumica” vendime të padobishme për publikun, që duket se tashmë Qeveria i ka marrë në prapaskenë. Mjaftojnë dy elemente për të kuptuar manipulimin me Këshillimin:

1.Shumica e munguar. Mjafton të shihet numri i pjesëmarrësve në procesin e Këshillimit për të rrëzuar të gjitha “shumicat”, të cilat qeveria pretendon se i ka si përkrahje për vendimet që merr. Një krahasim i thjeshtë me popullsinë e pranishme në Shqipëri të moshës mbi 18 vjeç, që është mosha e lejuar për të shprehur opinion nëpërmjet votimit, tregon se referimi bëhet te një “shumicë thellësisht e munguar”.

2.Pyetje pa pyetje. Cilësia e shprehjes së opinionit publik varet gjerësisht nga qartësia e problemit që i shtrohet përpara. Në listën e 12 çështjeve të shtruara për këshillim ka një mangësi të theksuar thjeshtësie e qartësie, që jo vetëm ngatërron opiniondhënësin, por lehtësisht lejon tjetërsimin e rezultateve.

Qartësisht kemi të bëjmë me një element propagande, i cili nuk duhet marrë seriozisht për sa kohë, që nuk shndërrohet në një tendencë për vendimmarrjet e ardhshme të rëndësishme, të cilat duhet patjetër t’i ofrohen nëpërmjet referendumit, publikut të vërtetë, pa dallim dhe përzgjedhje.

Në të kundërt, ky fenomen, i cili aktualisht mund të ketë shkaktuar vetëm disa të qeshura më tepër, në skenën e aktrimit politik, mund të shndërrohet në një mekanizëm të rrezikshëm, që na largon akoma më tej nga demokracia e vërtetë, shijen e së cilës publiku shqiptar ende nuk e ka provuar.

Krahasimi i “shumicës” këshilluese (e kuqe) me shumicën e munguar (blu)

1.Ka njerëz që thonë se nënat me fëmijë të mitur duhet të përfitojnë mbrojtje të veçantë sociale nga shteti.

Të tjerët thonë se shteti nuk duhet të bëjë diferencime as në këtë rast. Si mendoni ju?

2. Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimin e autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit, duke e dyfishuar dënimin për ta dhe duke hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve.

Të tjerë thonë se dënimet në fuqi janë të mjaftueshme për përsëritësit dhe dhunuesit ndaj familjes e fëmijëve. Si mendoni ju?

3. Ka njerëz që thonë se të punësuarit, që denoncojnë metoda të pagave fiktive nga punëdhënësi, duhet të mbrohen nga shteti me dëmshpërblim financiar në rast largimi të padrejtë nga puna, kur denoncimi i tyre vërtetohet, ndërsa punëdhënësi në fjalë duhet penalizuar me ashpërsim të masave në fuqi.

Të tjerë thonë që masat në fuqi ndaj punëdhënësve që abuzojnë me pagat e punonjësve janë të mjaftueshme. Si mendoni ju?

4. Ka njerëz që thonë se ata që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë ende të punojnë, nuk duhet të paguajnë kontribute shoqërore.

Të tjerë mendojnë që nuk duhet bërë diferencim i tillë. Si mendoni ju?

5. Ka njerëz që thonë se emigrantëve shqiptarë, që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre duhet t’u jepet amnisti e plotë.

Të tjerë mendojnë se depozitimi i tyre në vendin tonë i kursimeve të punës në emigracion nuk duhet inkurajuar përmes amnistisë. Si mendoni ju?

6. Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa legalizuar për arsye të përdorimit vetjak.

Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?

7. Ka njerëz që thonë se ashtu si vendet e tjera të Europës, Shqipëria duhet të vendosë detyrimin që qytetarët të paraqesin certifikatën e vaksinimit në të gjitha hapësirat publike të mbyllura dhe në tubimet e mëdha.

Të tjerë thonë se kjo praktikë nuk duhet të jetë e detyrueshme pasi kufizon lirinë dhe të drejtat e njeriut. Si mendoni ju?

8. Ka njerëz që thonë se qeveria duhet të ashpërsojë gjobat dhe masat kundër evazionit fiskal të shoqërive të biznesit të madh.

Të tjerë thonë se rregullat në fuqi janë të mjaftueshme nëse zbatohen si duhet. Si mendoni ju?

9. Ka njerëz që thonë se qeveria duhet të tregohet më e ashpër jo vetëm me subjektet, po edhe me individët që ndotin hapësirën publike.

Të tjerë thonë se rregullat aktuale janë të mjaftueshme. Si mendoni ju?

10. Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende Vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin.

Të tjerë thonë se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhen sipas procedurave në fuqi. Si mendoni ju?

11. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Ka njerëz që thonë se aplikimi i Shqipërisë për anëtarësimin në BE nuk duhet të varet nga ai i Maqedonisë së Veriut, që vendi ynë të vlerësohet për meritat e veta.

Të tjerë thonë që duhet të vazhdojmë të presim Maqedoninë e Veriut. Si mendoni ju?

12. Ka njerëz që besojnë se krijimi i nismës “Ballkani i Hapur” midis Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është në interes të Shqipërisë.

Të tjerë thonë se kjo nismë nuk i sjell përfitime Shqipërisë. Si mendoni ju?/MONITOR 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme