Në seancën e sotme gjyqësore është rritur numri i të akuzuarve të cilët janë ankuar për keqtrajtim.
Ndryshe nga radhët tjera, këtë herë të akuzuarit janë ankuar për torturë mentale. I pari që është ankuar, ka qenë Enver Hoxha – Klein, pas ankesës së tij edhe disa të akuzuar tjerë nga vendi me fjalë kanë njoftuar për keqtrajtim.
“A kafshë jemi ne a? Kjo nuk është normale!”, është shprehur në seancë i akuzuari, Lirim Krasniqi.
Në ndërkohë gjykatësja, Verka Petrovska, ka kërkuar që ta ngrenë vetëm dorën ata që konsiderojnë që nuk janë në gjendje ta dëgjojnë seancën e sotme gjyqësore.
Gjykatësja është revoltuar, pas aktit kur, shumica e të akuzuarve e kanë ngritur dorën si shenjë solidariteti për keqtrajtimin nga rruga prej burgut deri në Gjykatë.
“Nuk pranoj solidaritet, ku ka nevojë ne do të reagojmë, por jo në këtë mënyrë”, ka thënë gjykatësja Petrovska.
Derisa të akuzuarit, ankoheshin se po torturohen, dëgjoheshin fjalët e Njësitit Special, që qëndronin anash, duke thënë “ku janë shkopat e gomës?”. Të njëjtën gjë, e kanë dëgjuar edhe gazetarët të cilët kanë qenë duke e ndjekur seancën.
Përveç të akuzuarit, Enver Hoxha – Klein, për torturë mentale janë ankuar edhe të akuzuarit, Dem Shehu, Genc Sefaj, Landrit Rustemaj, Mirsad Kerimi, Musadik Pajaziti dhe Andi Krasini. Të njëjtët kanë kërkuar që përveç mjekut të përgjithshëm, ata duhet t’i kontrollojnë dhe të raportojnë për gjendjen e tyre mentale edhe psikologët.
Pas ankesave të shumta, gjykatësja Petrovska, ka lejuar që të thirret ndihmë mjekësore dhe për momentin para Gjykatës është Ndihma e Shpejtë për t’i kontrolluar të gjithë ata që janë ankuar për lëndime, përcjellë Portalb.
Ndryshe, Petrovska, ka njoftuar se me shkrim ka informuar Ministrinë e Punëve të Brendshme në lidhje me ngjarjet e torturave ndaj të akuzuarve. Gjykatësja gjithashtu ka thënë se me datë 04.10.2016, pas mbarimit të seancës, te i akuzuari, Andi Krasniqi ka gjetur telefon celular.