Lëvizja Vetëvendosje për vite rresht ka denoncuar dhe kundërshtuar politikat abuzuese me pushtetin.
Kandidati i saj për kryeministër, i cili është edhe prijës i listës së kandidatëve për deputetë, Albin Kurti, disa herë ka përfunduar prapa grilave, por vetëm për vepra që lidheshin me aktivizimin dhe rezistencën në rrugë e institucione, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kurti, njeri që nuk i është përshkruar ndonjë aferë deri tash, ka për top prioritet hartimin dhe miratimin e Ligjit antimafia, nëpërmjet të cilit do të bëhej i mundur edhe konfiskimi i pasurisë së krijuar jashtëligjshëm. Po kështu, edhe një Veting për prokurorët e gjyqtarët, si dhe krijimin e një njësie të veçantë për hetimin dhe zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbuluara.
Krahas kësaj, vend qendror në programin qeverisës për mandatin që do të nisë pas zgjedhjeve të parakohshme zënë edhe politikat sociale. Premtimi për 10 euro shtesa për secilin fëmijë nën moshën 15-vjeçare është një nga më të mëdhenjtë, krahas edhe rritjes së pensioneve.
Të dhëna të pjesshme programore “Kohës Ditore” i janë prezantuar nga Besnik Bislimi, i cili në këtë mandat la postin e deputetit dhe tani e drejton fushatën e LVV-së për zgjedhjet e 11 qershorit.