Pluhur i dyshimtë në një zarf, evakohen zyrat e Clintonit

E shtune, 22 Tetor 2016  –  Sakte.net

Selia e fushatës së Hillary Clinton në Bruklin është evakuuar për shkak të zbulimit të një pluhuri të bardhë në një zarf, i cili është dërguar të premten në zyrën e Manhatanit të Clinton, ku është hapur në orën 17:00 nga dy stazhistë. Këta të fundit e kanë dërguar pastaj në selinë e fushatës në Bruklin. Policia bën me dije se katër persona janë ekspozuar nga pluhuri i bardhë. Substanca pastaj rezultoi jo e rrezikshme, ndonëse priten analiza të tjera.

Policia e Nju Jorkut ka hapur menjëherë një hetim: “Pluhuri nuk është i rrezikshëm. Hetimet paraprake kanë verifikuar që testi ka dalë negativ sa u takon substancave të rrezikshme”, – kanë shpjeguar krerë të policisë, duke saktësuar që Departamenti i Shëndetit po zhvillon hetime për të përcaktuar natyrën e substancës. “Për momentin mund të përjashtojmë faktin që pluhuri ka pasur natyrë të dëmshme apo vdekjeprurëse”.