Sakte.net/ E Premte- 16 Shtator 2016 / 17:05
Policia e Kosovës ka konfirmuar se një ditë më parë ka arrestuar dy persona, të shtetësive ruse dhe ukrainase, pasi janë futur ilegalisht në territorin e Kosovës. Dy të arrestuarit janë paraqitur si gazetarë, derisa policia thotë se “është ende duke bërë verifikimin e tyre” dhe se janë dërguar në mbajtje.
Siç kishin raportuar mediet ruse gjatë ditës së sotme, gazetarja e arrestuar është identifikuar të jetë rusja Oksana Sazonova, ndërsa i arrestuari tjetër, sipas medieve ruse, është Sergei Belus.
Arrestimin e dy gazetarëve e konfirmoi për Insajderin, zëdhënësi i policisë Daut Hoxha, i cili tha se dy gazetarët janë dërguar në mbajtje.
“Dje rreth orës dy janë arrestuar dy persona të shtetësisë ruse dhe ukrainase. Ata janë paraqitur si gazetarë mirëpo Policia e Kosovës është ende duke bërë verifikimin e tyre”, tha Hoxha, raporton Insajderi.
Ndërkaq, shteti i Rusisë ka reaguar për arrestimin e shtetasës së saj, Oksana Sazanova. Ministria e Punëve të Jashtme të këtij shteti, përmes një komunikate ka kërkuar “lirimin e menjëhershëm të gazetares”.
“Rusia është e shqetësuar me arrestimin e raportuar të gazetares ruse, Oksana Sazanova, dhe kolegut të saj ukrainas, Sergei Belous, në Krahinën Autonome të Republikës së Serbisë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, njofton Sputniknews, raporton Insajderi.
Ministria e Jashtme ruse po ashtu bëri të ditur se “Ambasada Ruse në Serbi në bashkëpunim me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë janë duke bërë të pamundurën për lirimin e gazetares”. /Insajderi.com